Nga: Idriz Ahmetaj
Lindur më 20 janar 1961 në fshati Qerret i Epër,Pukë. Rrjedh nga një familje me tradita në fushën e folklorit. Demush Pemaj, babai i Faikut ka qenë këngëtar e valltar i njohur në fshat e krahinë dhe më vonë në ansamblin e mirënjohur “Puka”. Këtë traditë të mirë e ka trashëguar edhe Faiku.
Që në moshën shtatëvjeçare është aktivizuar e ka interpretuar me grupet amatore të ish-kooperativave bujqësore. Për herë të parë është paraqitur me “Këngën e Rexhës” të shoqëruar me çifteli, së cilës i ka rënë vetë Faiku. Nga ajo ditë e deri sot ai nuk është shkëputur për asnjë çast nga kënga, duke e krijuar dhe interpretuar atë me dashuri të madhe e talent, duke e ndjerë veten pjesë të saj dhe që iu bë pjesë e jetës ose jeta vetë.
Në vitin 1976, pasi mbaroi shkollën 8-vjeçare, kërkoi të konkuronte për shkollën e mesme të muzikës, dega kanto, por për “arsye” biografike nuk u lejua të vazhdojë këtë shkollë, megjithëse fitoi në konkurs.
Por për talentin e vërtetë e njeriun me vullnet nuk ka pengesa.
Pas shumë përpjekjesh në vitin 1986 mbaron shkollën e mesme (part time) dhe konkurron për shkollë të lartë, dega dramaturgji. Nuk fiton përsëri për “arsye” biografie.
Faik Pemaj interpretoi në shumë skena brenda e jashtë atdheut,si: më 1998 në Ismailia-Egjipt; 200l, në Drenicë-Kosovë; 2002, në Austri; 2004, në Bosnjë-Hercegovinë dhe në 2008 në Poloni.
Zëri Faikut dhe i çiftelisë së tij u dëgjua me respekt në Jug e Veri të Shqipërisë dhe në Kosovë për më se 35 vjet.
Albumi i këngëtarit Faik Pemaj titullohet: “I këndoj vendlindjes sime”.
Ndonëse motet kalojnë e mosha bën punën e saj zemra, zëri dhe pasioni i Faik Pemës janë po ata të para disa viteve.
Faiku është ruajtës dhe inerpërtues i folklorit tradicional pukianë.
Leave a Reply