Librit me ese dhe publicistikë të Petrit Nikës që në ballinën e vet i prin një pyetje mjaft intriguese; "Nostalgji apo ankth ekzistencial?". "Ku mungon ankthi, nuk ekziston as koha as përjetësia dhe jeta është boshe", – thotë Kiergegaard tek shpjegon konceptin e ankthit, ndërkohë që ankthi i këtij libri shpërfaqet si dilemë përballë kohës; të shkuarës, çastit, të ardhmes. Shpërfaqet si druajtje dhe frikë e individit përballë tëhuajësimit prej ingranazheve të makinacioneve gjigande të shoqërisë së sotme moderne.
Është ankth kundrejt cinizmit, arrogancës, zvetënimit, kriminalitetit, dehumanizmit, bjerrjes së njeriut në botën moderne. Por nuk është vetëm individi i pambrojtur, është edhe kultura e pambrojtur, edhe e shkuara dhe e ardhmja e tij dhe e të gjithë individëve të tjerë që gjallojnë nën të njëjtën trysni. Kësisoj ankthi bëhet kolektiv dhe më tej përballë kategorisë së Kohës, bëhet një ankth universal.
Objekti i ankthit është sociumi i kohës në të cilën jeton, Homo Sapiensi shqiptar i trullosur prej lirisë. Po ta konceptojmë si një filëm të gjithë librin e Nikës, atëherë skena e ngjarjeve është kryesisht metropoli shqiptar, një (krye)qytet ku "ngjarjet" janë anormale, qytetarët janë shndërruar në mendjeshpëlarë prej industrive moderne, komercializmit, teknologjisë, retorikës mendjebjerrëse, kotësisë dhe kakofonisë së ligjërimit publik. Luksi i kameramanit qëndron në faktin se mund t’i afrohet dhe largohet objektit të vëzhgimit sipas nevojës së rrokjes më të tërësishme të kameras, e cila përballë tij shndërrohet në një objekt estetik nëpërmjet fjalës.
Të gjitha teknikat e përdorura, paratekstet e referuara vazhdimisht si tablo hyrëse, konturojnë dimensionet e një ligjërimi që kërkon me këmbëngulje të lërë gjurmë, të ndryshojë diçka, të pengojë, të shenjtërojë. Është kamera e një njeriu që vëzhgon nga periferia, vrojtimi i qytetarit i cili rrok një pamje të plotë dhe sheh çdo ditë qartë e më qartë kuturisjen kaotike të qytetit, ndërsa pamjet janë plot metamorfoza të cilat ndryjnë brenda vetes kontraste absurde.
Të vërtetat në shqyrtim kalojnë nëpër filtrin e një shpirti ëndërrues. Është një shpirt ëndërrues si i poetit që shkruan se "Është marrëzi të harrosh/ Fjalën që çel nga buza për të ngrohur,/ Trishtimin e ëmbël të shiut nënë erë/ Udhëtarët që në stacione të bardha ke njohur …" (I. Belliu). Ky tekst nuk risillet nga Nika pa qëllim, ai shenjon kryeidenë e Fjalës si shpërthim i kufijve materialë me plotpushtetin e vet prej Fryme që magjeps, shpërndërron, humanizon.
E lexon fjalën shndërruar në dashuri tek Petrit Nika dhe ankthi që të kap është ai i fatit të mbrapshtë dhe ferrit të cilit duhet t’i bien pash më pash ai dhe sivëllezërit e tij, shkrimtarë dhe poetë të pasviteve nëntëdhjetë. Është ferri i shkrimtarit pa lexues. Ky ferr ka qenë gjithmonë pas viteve nëntëdhjetë e përkëtej ankthi më i pranishëm dhe torturues i letërsisë së re shqipe. Përpjekja për të ridimensionuar hierarkitë e trashëguara letrare me qëllim orientimin e lexuesve kah vlerat e njëmendta, ka degjeneruar shumë herë në një ligatinë akuzash jashtëletrare duke ngjallur më shumë se sa dashuri për letërsinë shqipe një lloj mosbesimi dhe kulti të autorëve periferikë të letërsive të huaja.
——————————————————————————————————————————–
* Marrë nga libri me ese i Granit Zelës "Shkronjat e errësirës", Botimet Fjala, Tiranë 2008
Leave a Reply