…Në shesh kishte shumë njerëz, partizanë pukjanë dhe të Brigadës së 22-të sulmuese të cilët para tri ditësh kishin çliruar qytetin dhe gjithë nënprefekturën, të tjerë të ardhur nga fshatrat e afërt e të largët të Pukës. Aty mes tyre mësuam se do të organizohej batalioni me partizanë pukjanë.
…Komanda e vendit për gjithë nënprefekturën me komandant Frrok Caka nga fshati Dush dhe komisar Ali Bytyçi nga fshati Qerret pasi kishin marrë edhe pëlqimin nga Nuri Llazani i cili drejtonte organizatën e partisë komuniste të nënprefekturës, në marrëveshje e në bashkëpunim me komandën e Brigadës së 22-të sulmuese vendosën që këtyre pukjanëve t’u plotësohej dëshira, e cila u bë realitet.
Partizanët pukjanë u organizuan në njësi (batalion) më vete, jashtë Brigadës së 22-të sulmuese pavarësisht se ajo kishte nevojë për kompletimin e rradhëve të saj. Në sheshin mbuluar me baltë nga shiu që kishte rënë natën, por nën një diell, rrezet e të cilit nuk pengoheshin mbasi mjegullat e retë që kishin lëshuar dëborën e shiun ishin larguar drejt veri-lindjes; u bë rreshtimi i partizanëve pukjanë që formuan batalionin e tyre, si njësi e veçantë mes të cilëve isha edhe unë së bashku me shokët e mi të vegjëlisë: Ibrahim Ymer Shkjau, Adem Ymer Dunga, Tahir Zenel Qorri etj. Aty në tribunën e improvizuar para sheshit dhe njerëzve një pjesë e të cilëve ishin rreshtuar në formacione të rregullta, u përurua organizimi dhe formimi i batalionit me një përshëndetje të shkurtër nga komisar Aliu.
E kam mësuar më vonë, se kuadrot kryesore të batalionit të Pukës ishin caktuar më parë. Komisar Aliu që bëri përshëndetjen dhe uroi partizanët që formonin batalionin për suksese në luftën kundër pushtuesve nazifashistë e bashkëpunëtorët e tyre bëri edhe njoftimin:
Komandant i batalionit tonë pukjanë, do të jetë Zef Nikollë Miraka nga fshati Iballë. Personalitet i njohur në fshat e në zonën e Iballës nga fisi i Kolë Bibë Mirakës, ndërsa komisar Zef Gashi ish partizan në çetën “Pukë-Mirditë”. Njoftimet u pritën me duartrokitje.
Luftimet per çlirimin e Pukës, Tablo nga Zamir Mati
Pas njoftimit nga ajo tribunë e thjeshtë ku ishin edhe kuadrot: Nuri Llazani, Frrok Caka, Ali Bytyçi, Mark Dodani dhe Kadri Çoba e nga fshati Blinisht ishte Mark Qerimi, nga Qerreti Nezir Ismail Djaloshi, nga fshati Kabash Shpend Halil Furriku dhe anëtar të shtabit të Brigadës së 22-të sulmuese e mori fjalën komandanti i batalionit Zef Miraka i cili falenderoi për besimin e dhënë dhe se bashku me partizanët e batalionit që do të komandonte, do të kryenin gjithë detyrat luftarake që do të kishte nga komanda eprore.
Në shesh kishte shumë qytetarë që banonin aty, prindër e vëllezër të atyre që u inkuadruan në batalionin partizan të Pukës dhe efektiva të brigadës së 22-të sulmuese.
Para nisjes së batalionit drejt qytetit Shkodër unë me disa shokë të tjerë partizan, njëri nga të cilët Ndrek Mark Qerimi me urdhër të komandës së vendit u mbajtëm për të shërbyer pranë komandës së nënprefekturës.
Nisja e batalionit drejt frontit të luftës, për çlirimin e qytetit Shkodër dhe gjithë Shqipërisë u bë aty, nga sheshi, i organizuar në toga e kompani, i paraprirë nga një flamur dhe i duartrokitur nga gjithë njerëzit që gjendeshin aty. Shokët e komandës së nënprefekturës, prindër e vëllezër të atyre që shkonin drejt frontit, me ta edhe unë me të tjerë partizanë pukjanë, që ishin të lirë nga shërbimi, kemi përcjellur batalionin në efektivin e të cilit kishte më shumë se 150 partizanë pukjanë rreth 400 metër larg qytetit, deri aty ku mbaronin livadhet e lagjes Laçaj të fshatit Pukë.
Në momentin kur kuadrot kryesore të nënprefekturës po përshëndeteshin me shokët e shtabit të batalionit, ndërsa ne me shokët tanë të armëve, me të cilët po ndaheshim, komandati i batalionit Zef Miraka me automatikun që kishte në krah e heq prej andej dhe në ajër, në drejtim të qytetit që e priste lufta (Shkodër) në shenjë lamtumire, zbrazi një karikator me fishekë.
Me krijimin e Brigadës së 27 -të sulmuese batalioni pukjan u shpërbë. Partizanët që formonin atë u përfshinë në batalionet me të cilat u formua brigada e re, e 27 -të dhe e fundit e ushtrisë nacional çlirimtare të popullit shqiptar. Partizanët e batalionit pukjanë, përkrah partizanëve të Brigadës së 22-të sulmuese, e të tjera mori pjesë në luftimet për çlirimin e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë…
Jam dëshmitar okular dhe pjesëmarrës në veprimtaritë, në përurimin dhe përcjelljen e partizanëve që formuan batalionin partizan të Pukës.
Askush nuk ka të drejtë të mohojë ose ta errësojë këtë ngjarje të rëndësishme që i takon popullit pukjan e bijve të tij që shkuan për të dhënë edhe jetën në luftën për çlirimin e vendit. Në shkencat historike, ashtu si dhe në shkencat e natyrës nuk ka dhe nuk mund të ketë hamendësime, gjykime të pa drejta e mohime për të shtrembëruar ose errësuar të vërtetën.
Shenim i redaksisë: Zef Nikoll Miraka ishte i anatemuar në kohën e monizmit, sot meriton ta perkujtojmë.
Marrë me shkurtime nga libri; "Mes pukjanëve" të autorit Idriz Meti, botuar në Lezhë, 2006.
Leave a Reply