Zef Përjaku

Nga Gjon Gjoni

Nga muaji prill i vitit 1934 deri më 1 dhjetor të vitit 1940 kam dhënë mësim në shkollën e Qelëzës. Shkolla ka qenë afër shtëpisë së Cub Prendit. Kjo shkollë ka filluar me u ndërtua që në vitin 1924 nga prifti Dom Gjon Gazulli. Në parantezë, thekson se Gjon Gazu\li qe vrarë nga regjimi i Zogut në mars të vitit 1927 si pjesmarrës në lëvizjen e Pukës e të Dukagjinit. Më 1933 erdhi Dom Lekë Dredhaj. Edhe ky i dënuar me vdekje, por shpëtoi.Arsimtari i parë në Qelëz ka qenë Pjetër Sheldija, i cili qëndroi dy javë dhe iku, mbasi shkolla nuk ishte gati për mësim dhe kishte të ftohtë të madh. (Duket se Pjetër Sheldija ka qenë i emruar mësues në vitin 1933).

Mësues Zefi vazhdon: “se në prill të vitit 1934 fillova punën si mësues në Qelëz. Shkolla ishte plot me dhe. Aktivizova nxënësit e prindërit dhe e larguan dheun. Bëmë oborrin, lulishten e kopshtin. Në krye të këtyre punëve ishte Nikollë Gjoka. Me punën që bëmë për herë të parë erdhën në shkollë dy vajza: Prenda e Zef Pjetër Mirashit e Mrika e Jak Prendit. Më 1935 erdhën shumë vajza, mbi 20. Ishin 92 nxënës me një mësues. Më 1936-1937 në Qelëz u hapën edhe kurse kundër analfabetizmit, ku mësonin 22 nxënës. Punën e bëja pa pagesë … “.

Të gjitha lëndët i zhvillonim mirë, natyrisht me ato kushte që kishte në atë kohë, kuptohet pa libra e fletore, por veçanërisht, fizkultura zhvillohej mjaft mirë. Kemi pasur skuadër të mirë futbolli. Ndesheshim me skuadrën e Pukës, të Iballes e me shkolla të tjera. Sportist i dalluar ka qenë Mark Gjergji. Organizonim ekskursione në malin e Krrabit, në Qafë- Tmug, në Koman, Qerret etj. Shpesh afër Qerretit bashkohesh im 4-5 shkolla bashkë dhe zhvillonim aktivitete të ndryshme. Ai thekson se në Qelëz (Mardhnaq) nxënësit vinin edhe nga fshatrat Dedaj, Ukth, Buzhalë, Duzhnez, Meçe. Karakteristikë për ne mësuesit e asaj kohe ishte fakti se nuk humbisnim asnjë minut mësim dhe kontrolli kryesor për ne ishte ndërgjegjja.

Marrë; Nga libri Udhërrëfyesit e Dijes, të autorit Gjon Gjoni

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*