1. – Është pyetje që është bërë rëndom këto vitet e fundit në rrethet letrare shqiptare, këtej dhe matanë kufirit. E pra, ç’bëhet? Përgjigjia është dhënë gjithmonë nga ata që e kanë bërë vetë pyetjen. Të njëjtën gjë po bëjmë sot edhe ne në këtë shkrim. E vërteta është se në Shqipëri botohen libra, botohet edhe letërsi, bëhen panaire, bëhen promovime, jepen vlerësime për filanin apo filanen, qoftë përmes parathënieve apo pasthënieve, qoftë përmes gazetave, qoftë përmes fjalës së rastit në promovime. E vërteta është se edhe libraritë janë mbushur plot me autorë të vendit e të huaj; e vërteta është se edhe libri ende ka blerësit dhe dashamirësit e vet – ndaj edhe botohet. Parë vetëm me kaq, çështja s’ka asnjë arsye për t’u qarë. Normalisht që libri duhet të ekzistojë, pavarësisht invazionit kozmik të teknologjisë dixhitale e audio-vizive, libri duhet të botohet dhe të promovohet, libraritë duhet të jenë plot me libra, se në fund të fundit ato janë shtëpitë e librit. Po ku qëndron problemi atëherë? Problemi apo më saktë problemet qëndrojnë në disa pika, madje të forta, të cilat e vështirësojnë integrimin e kulturës shqiptare në shekullin e XXI-të.
2. – Së pari, tek ne, industria e prodhimit të librave bie erë krupë. Mënyra e botimit, e promovimit të tyre dhe e përcaktimit të “arritjeve të papara” të bën të zësh hundët. Marrëdhënia e krijuesit të librit me shtetin s’ekziston, ngase për sytë e shtetit apo më saktë të sektorëve të shtetit që duhet të përkrahin nismën krijuese, krijuesi s’ekziston. Shteti ecën përpara me rrokopujën e tij të halleve jetike, kurse letërsia po ashtu përpiqet të ekzistojë diku, s’ka rëndësi se ku – të paktën diku në periferinë më të largme të gjërave. In media res* jo se jo, por të paktën diku nga fundi. Për kohën që ka ardhur edhe kaq s’është pak. Libri nga fundi. Autori nga fundi. Letërsia e fundit. Pikë. Nga ana tjetër hiqemi sikur i mbajmë sytë nga Evropa! “Për këtë ëndërr paskam luftuar?”** – thotë krijuesi shqiptar me vete çdo ditë dhe përdridhet nga ofendimi si qen i rrahur. Shtëpitë botuese janë po ato, marrëdhëniet e tyre me krijuesin s’ndryshojnë në shekuj të shekujve – paguaj lekë të të nxjerr libra dhe hajt, thyej qafën! Kaq është shpenzimi, kaq më takojnë mua – në ta mban hajde se, helbete, punë duam.
Për nivelin artistik, përjashtuar botimet Max, të cilat e trajtojnë autorin dhe me honorar, shtëpitë botuese në Shqipëri as që gjykojnë se duhet vënë ndonjë kriter. Për të botuar një libër, nëse ky mund të quhet kriter, është fakti nëse ke apo s’ke të paguash. Mirëpo jo të gjithë ata që kanë të paguajnë kanë kritere të mjaftueshme për t’u botuar. Megjithatë ata botohen, madje për ta shkruhen recensione nga dr.-të e shkencës shqiptare, botimet e tyre gjejnë pasqyrim në masmedia, promovimet e tyre kthehen në tubime të vërteta, ku këta dr.-të e famshëm vulosin “suksesin” e padiskutueshëm të autorit, si një ndër sukseset më të mëdha që ka njohur letërsia shqipe në të gjitha kohërat. Po këta, mandej bërtasin duke akuzuar të tjerët (diku andej rrotull ndonjë Firdus që rri i heshtur, me ndjesinë krupëndjellëse të shkaktuar nga lajkat bajate) se s’dinë tjetër veç të bëjnë retorika. Ç’mjerim! Retorika! Ç’modele të shëmtuar! Dhe janë pikërisht ata që duhet ta japin të parët modelin sesi duhet shmangur në këto raste retorika, sesi mund të formulohet në mënyrë sa më lakonike vetë sinteza vlerë-përcaktuese. Në këto kushte për krijuesin sqimatar e ardhmja e letërsisë bëhet e dyshimtë, rrugët që të çojnë për në Ostia Domus*** kutërbojnë nga feçe dhe shirat retoriko-miklues të fjalëve.
Kurse ata që s’kanë mundësi të paguajnë kridhen në dilema dhe plogështi. Ata s’kanë asnjë arsye logjike për t’u mbajtur më kurajozë si dikur. Indiferenca e shtetit, indiferenca e botuesve, indiferenca e botës shkëlqimtare të biznesit, indiferenca e vetë fatit të tyre nopran i ka shkurajuar dhe i shkurajon pak e pak, pothuaj ditë e për ditë. Shtoju këtyre dhe arrogancën prej fodullësh të një pjese të “kolegëve” të tyre me mundësi optimale për t’u (vetë)botuar. Tamam, si në nazizëm. Sipas motos naziste: “Kush është i dobët, s’e meriton të jetojë.”
Parë nga ky prizëm, pa ekzagjerim, prej vitesh bota shqiptare është shndërruar në një Aushvic për Letërsinë. Po qe i dobët, – pa para, i dobët je gjithmonë, (populli ynë ka dhe një thënie për këtë: “Sa të bën xhepi, aq të bën gjaku”), – zëri yt është zëri i eremitit në shkretëtirë, ndërsa ti je i destinuar të thërrasësh e të presësh pafundësisht me insistimin tënd prej të marri, me shpresën e vakët se dikush do të kujtohet ndonjë ditë, dhe si fund i sigurt të pret vetëm shuarja nën peshën e viteve, nën peshën e derteve e të fatkeqësive, për t’u harruar diku në kthinat më të errëta të Perandorisë së Tartarit.
3. – Është bërë traditë dhe pas peripecive të (vetë)botimit, autori shqiptar ngre thesin e librave në kurriz dhe baret qoshe më qoshe të qytetit e të fshatit, nëpër librarira e nëpër shkolla, në kërkim të lexuesit. Ky është injorimi tjetër i madh që i bëhet atij. Institucionet tona kulturore s’e vënë re këtë fenomen. Meqenëse etja për të botuar i ka rrëmbyer të gjithë, që nga nxënësi njomëzak i 9-vjeçares e deri tek ish-luftëtari i LANÇ – it të viteve “40, – edhe vetë lexuesi tashmë në njëfarë mënyre, i ka shkelur syrin librit shqiptar me shejtanllëk dhe maezallah se i qaset! Librit të huaj po. Të jesh autor (i mirë) shqiptar, duhet të jesh i lumtur të të shiten pa ndërhyrje maksimumi 400 a 500 kopje. Për më tepër mos prit. Kaq nuk është pak. Sidomos kur je një autor shqiptar. Poezinë, të thonë, mos e nxirr fare në vitrinë. S’ti qaset njeri! Pallavra të kota ato që thuhen për poetët. Pallavra të kota ato që thonë vetë poetët. Me këto fjalë e presin krijuesin shqiptar kur e zbraz thesin e tij në tryezën luksoze të vendit ku shitet libri. Domethënë në librari.
4. – Shkurt, këto janë disa nga shumë probleme që po e degjenerojnë veprimtarinë intelektuale të krijuesit sot. Duket se për librin ende s’ka ardhur dita. Libri duhet të presë. Autorët të mos mërziten. Dhe sidomos të mos bëhen të bezdisur! Siç dihet, një tribunë e vërtetë e shqetësimeve të tyre, ka qenë për vite me radhë gazeta kulturologjike “Fjala” e Agron Tufës, por tani që ka pushuar dhe ajo së qeni si e tillë, krijuesit rrinë si në kllapi. Këtë gjë e theksoi me forcë edhe shkrimtari Zija Çela, po tek kjo gazetë (“Shekulli” – shën. P. N.), disa muaj më parë. Ndërsa të kundërtën gjë sot bëjnë grafomanët; ata janë rigrupuar e rigjallëruar më mirë se asnjëherë tjetër. Është tamam dita e tyre. Kur heshtin bilbilat, këndojnë gjinkallat. Dhe s’thua dot se s’botohen libra, s’thua dot se s’bëhen panaire, promovime, vlerësime, “përparime”…, ehu!, letërsia është e lehtë; atë mund ta bëjë kushdo. Mjafton të njohësh alfabetin, të mos jesh keq nga xhepi, pa të vjen vetë kësmeti!
_______________
* (lat).- në mes të gjërave
** vargje të poetit spanjoll, Hose Anhel Valente
*** në Tempull, në Shtëpinë e Zotit
Leave a Reply