Si zbukuroheshin gratë shqiptare

Një ekspozitë e plotë me stolitë e grave shqiptare do të çelet më 18 qershor në Muzeun Historik Kombëtar, me fondet e koleksionistit Lulzim Perati. Ne koleksion jane edhe stolit e grave te veshjes pultake qe është pjese e trashegimise sekrahines se Pukes.

Dihet se një aksesor zbukurimi, sot kanë vlerën e antikuariateve. Një ekspozitë e plotë do të sjellë në vëmendje stolitë e vjetra të grave shqiptare. Pjesë të fondit të koleksionistit shijakas, Lulzim Perati, do të ekspozohen në Muzeun Historik Kombëtar duke filluar prej datës 18 qershor. Janë të shumta në numër e po ashtu mbulojnë një shtrirje gjeografike të konsiderueshme.

Ekspozita që do të qëndrojë e hapur përgjatë gjithë sezonit veror, do të mund të japë deri diku një informacion modest, në mungesë të një pavijoni etnografik në Muzeun Kombëtar. Lulzim Perati, tashmë pjesë e Shoqatës së Koleksionistëve Shqiptarë, e ka nisur këtë aktivitet rreth viteve ‘88-‘89 thuajse për rastësi. Atëkohë mësues i teknikës, u vu në kërkim të një kryqi të vjetër që ia kishin lënë porosi dhe prej atëherë mbetet i pasionuar pas stolive. “Stolitë i përkasin fillimit të shekullit XVIII deri në fund të shekullit XIX.

Unë kam punuar që të ndërtoj stenda të plota e të gjitha stolitë e përdorura nga gratë e një krahine të caktuar dhe vetëm pak prej tyre janë fragmente”, thotë Perati. Perati tregon se këto stoli i ka blerë ku të mundej: në familje shqiptare, në Pazarin e Vjetër të Krujës, në dyqanet e Shkodrës apo edhe te ndonjë argjendar ku stolitë ishin shitur për t’u shkrirë. “Sot është shumë e vështirë të gjesh stoli të tilla, vetëm një koleksionist mund ta kuptojë në të vërtetë”, shprehet ai. Edhe më parë na ka qëlluar të shohim stoli të grave shqiptare në ekspozita të hapura jo enkas për to. Gjatë këtyre viteve, përveçse i ka koleksionuar, Perati ka bërë edhe një punë organizuese, për të ndërtuar stenda të plota me stolitë tipike të një krahine.


         Stoli te  grave te Pukes

I është dashur shpesh që të konsultojë literaturën etnografike botuar nga specialistët e Institutit të Kulturës Popullore si Rrok Zojsi, Andromaqi Gjergji, apo së fundmi kërkon shpesh konsulencën e Afërdita Onuzit. Tregon se herë pas here u është referuar edhe fotove të Marubit, portreteve të grave, në të cilat është bazuar për të plotësuar koleksionin. Në fushën etnografike,  Perati apo të tjerë koleksionistë përmbushin atë që institucionet shtetërore e në këtë rast Instituti i Kulturës Popullore nuk realizon dot për mungesë lekësh: të pasurojë fondin me objekte që në një të nesërme mund të mos gjenden më. E ndërsa koleksionistët veprojnë në mënyrë të pavarur, me ekspozita të këtij lloji ata mund të kënaqin syrin e turistëve, por ata nuk mund të sigurojnë trashëgiminë në breza të këtyre vlerave.

Kjo mbetet në vullnetin e tyre. Specialistët e Institutit të Kulturës Popullore kanë theksuar shpesh se ndoshta në një të ardhme jo shumë të largët, edhe nëse ata do të kenë mundësi ta pasurojnë fondin e tyre me ekzemplarë të rrallë të objekteve etnografike, ndoshta nuk do të mundin, sepse të tilla nuk do të ekzistojnë. Tregu privat përbën sot një joshje të madhe edhe për ato pak familje që i zotërojnë. Ndërkaq, në mungesë të një muzeu të shumëkërkuar etnografik dhe të një pavijoni po të munguar në Muzeun Kombëtar, ekspozita si kjo që do të çelet me koleksionin e Lulzim Peratit kanë një vlerë të madhe për kulturën kombëtare.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*