Cili ishte roli atdhetar i Rrustë Kabashit në kryengritjen antiosmane.

Në kuadrin e 100 – vjetorit të varjes, 18 gusht 1910.
Nga Xhemal Meçi.
“Burimi” i R. Siliqit, në se mund të merret si i tillë që bën fjalë për “8000” luftëtarë lumjanë, që qenkan kthyer në rrugë prej H.Rr. Kabashit, përdoret edhe prej historianit Shukri Rahimi i cili e shpjegon në mënyrën e tij. H.Rr. Kabashi “shërbej si vegël në duart e turqve”.
Prof. Skënder Luarasi, duke i besuar R. Siliqit për autor serioz, i merr shkrimet e tia si të mirëqena. Këtyre “8000 luftëtarëve” prej Lume… Rrustem Kabashi (në popull njihet me Rrustë, me shkurtim nga Rrustem – Rrustë) prej Prizreni, i gënjyer prej turqve, u doli përpara dhe i ktheu… At që s’e fitoi dot me trimëri Shefqet Turgut Pasha e shtriu në dorë me tradhti”. Po këtu del se, së shumti Rr. Kabashi ishte “gënjyer prej turqve” dhe se tradhtinë e ka kryer Sh. Turgut Pasha me mashtrimet e veta.
Prof. Zekiri Cana tregon një zell edhe më të madh se çdo prof. tjetër “për të vërtetuar” tradhtinë që paska kryer H.Rr. Kabashi, duke filluar, sipas tij: “takim me Valiun e Kosovës” në Ferizaj, pastaj “pas thyerjes së qëndresës shqiptare në Kaçanik, shkon atje me trenin e parë” pa pritë të dytin a të tretin, “jo për t’u dhënë zemër luftëtarëve… por për të kundërtën”. Pastaj, kthehet dhe u prika, bile “tok me udhërrëfyesit serb… repartit të pararojës turke rrugës së shkurtër” për “Prasak, lagje e fshatit Jezercë. Mbrapa vinte kolona kryesore e ushtrisë… Me të arritur në Duhël, ai u nda nga ushtria dhe u nis fill për Suharekë”… ku “hasi forcat shqiptare, që ishin drejtuar kah Carraleva… ua mbushi mendjen se kishte marrë fund lufta dhe këso dore i bindi që të ndalonin në vend…”.
Sa luftëtarë kishte?
Pas gjithë këtyre “shërbimeve” që numëron prof. Zekiri Cana që u paska kryer turqve, pse nuk u ka kryer edhe shërbimin e fundit që ia ka kërkuar Ministri i Luftës: të mos qëndronte një mendje me krerët e tjerë të anës së Prizrenit dhe të përkrahte “REFORMËN”. Pse veproi në të kundërtën dhe përkrahu krerët, duke pranuar varjen në vend të tabelës “tradhtar”, që me aq kujdes ia përgatiti prof. Z. Cana?! Por ky profesor i dhënë pas arkivave serbe, edhe qëndrimin burrëror para Ministrit të Luftës, para gjyqit ushtarak dhe para litarit të vdekjes tragjike, e quan thjeshtë një varje se “autoritetet turke dyshonin në besnikërinë e tij!” A ka logjik ky pohim?!
Le t’u kthehemi “8000” luftëtarët për të cilët R. Siliqi thoshte se ishin lumjanë, prof. Z. Cana i quan me një emër tjetër: “forcat shqiptare”. I quan me këtë emër, sepse të dhënat e R. Siliqit kishin filluar ta humbitnin besueshmërinë.
E para, numri “prej Lume 8000 luftëtarëve” është shumëfishim. Prof. Shefqet Hoxha, njohës i mirë i Lumës thotë se “Luma nuk nxirrte jashtë krahinës së vet më shumë se 1000 luftëtarë”.
E dyta, Luma, këta 1000 luftëtarë, i kishte dërguar me kohë në frontin e Carralevës. Ja si shprehet për këtë fakt studiuesi Qemal Mato: “Shtegu i Jezercës mbahej prej lumjanëve”. Edhe burimet serbe tregojnë se dy javë para se të sulmohej Carraleva, trimat lumjanë “po drejtohen kah Prizreni” për në frontin e luftimeve.
E treta, studiuesi i mirënjohur Shaban Braha, njohës i mirë i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të Kosovës, jep hollësi të tjera për frontin Përdrinë – Carralevë: “1000 trima ishin vendosur në rajonet e Carralevës” prej “rajonit të Rahovecit rreth 2000 luftëtarë u përkisnin rajoneve të Kabashit, Budakovës e të Suharekës. Mbi 500 trima ishin të qytetit të Prizrenit me sheh Hasanin”.
Këto të dhëna me rëndësi të veçantë për historinë shqiptare, nuk i përfshin në monografinë e tij “Lëvizja…”. Me sa duket i mungojnë në burimet serbe, ndaj të cilave tregohet tepër i zellshëm. Për ilustrim le të t’u drejtohemi disa prej referencave që përdor autori te “Lëvizja Kombëtare…”: AJ – Arkivi i Jugosllavisë vetëm nga f.46 – 160 përsëritet mbi 35 herë; DASSIP – Diplomatski Arkiv Saverznog Sekretarijata Inostranih Poslova nga f.23 – 162 mbi 70 herë. Në vazhdim, AS24) – Arkiv Serbie disa herë etj.
Shfrytëzimi i këtyre arkivave serbe tregon se prof. Z. Cana ishte nën ndikimin e tyre, duke mbetur i njëanshëm, sepse askund nuk del të ketë hulumtuar kujtesën historike në terren, duke filluar nga rrethinat e Pejës, Gjakovës, Mitrovicës, Drenicës, Prishtinës, Ferizaj, Gjilan, Kaçanik, Shtime, Suharekë e Prizren, ku edhe sot është ende e gjallë, pa le në vitet ’60 – ’70, kur punonte për monografinë e tij “Lëvizja…”
Në mungesë të tij, ka të tjerë si Destan Bajraktari, mbledhës i shquar i traditave të vyera popullore, që ka arrit të mësojë në terren se “derisa kryengritësit ishin përqendruar në rajonin Carralevë – Jezercë, Rrustë Kabashi shkoi në Kosovë (Fushë – Kosovë) tek Idriz Seferi që të bisedonte për fatin e mëtejshëm të kryengritjes, me ç’rast u zu në Ferizaj me dinakëri nga Turgut Pasha i cili e detyroi me dhunë t’i printe ushtrisë turke”.
          Monumenti ne përkujtim te patriotit 
                   Rrust Kabashi ne Prizren.

Por edhe pse i bën një farë vlerësimi këtij fakti, se “pa përjashtuar apriori mundësinë që kreu i Kabashit dhe një ndër organizatorët t’i ketë shërbyer ushtrisë turke njëmend me dhunë”; përsëri i kthehet idesë apo fiksimit se “ç’kërkonte ai në Ferizaj,… përse duhej të takohej me këtë të fundit (I. Seferin), kur duhet të qëndronte në ballë të luftës”. Duke e parë edhe vetë se këto pyetje e hamendje nuk janë bindëse, nuk përbëjnë argument, atëherë hedh gurin tjetër: “Materialet dokumentare që kemi pasur në dorë e shpjegojnë rastin e Rr. Kabashit fund e krye”. Ku janë se? Pse nuk i jep fundja si referencë? Duket se si të tillë ka parasysh çka ka shkruar më sipër, sepse edhe “Ditari i konsullit të Serbisë në Shkup – J. Jovanoviqit” nuk jep sa kërkon prof. Z. Cana. Në këtë “Ditar…” thuhet vetëm kaq: “. IV…. Valiu u takua me Turgut Pashën në Kaçanik. (Stop) Haxhi Rrusta u nis për Ferizoviq. (Stop)”. Kaq.
Pasqyrimi i këtyre ngjarjeve në librat historik 
Si përfundim, “Materialet dokumentare” në dosje dhe “argumentat” që i pamë, janë hamendje, janë të dyshimta. Detyrohem ta shpreh këtë edhe pse kam pasi respekt për këtë profesor, të cilin e kam takuar disa herë në fillim të viteve 2000.
Le t’i shohim me radhë botimet akademike të këtij instituti: “Historia e Shqipërisë”, 1965 dhe 1984, apo “Historia e Popullit Shqiptar”, siç u quajt botimi i fundit 2002.

I. Në botimin “Historia e Shqipërisë” II/1965, “Kryengritja e Kosovës e vitit 1910” pasqyrohet në 5 faqe. Ajo që ka rëndësi për çështjen e H. Rr. Kabashit, që diskutojmë, del se nuk është marrë në vlerësim (konsideratë) “burimi” me autor R. Siliqin, lidhur me ndalimin dhe kthimin pas, që u paska bërë H. Rr. Kabashi të “8000 luftëtarëve” lumjanë të cilët qenë nisë në ndihmë të forcave të Isa Boletinit,

Mosvlerësimi i “burimit” të R. Siliqit, del nga fakti se sado që botimi i librit të tij është përfshirë në “Literatura historiografike” te “Historia së Shqipërisë” (1965) në konkluzione është mënjanuar si jo i saktë. Kjo ka ardhur si logjikë e faktit së më 1910, si edhe më 1911 ky autor ishte në Podgoricë dhe jo në Kosovë ku zhvillohej kryengritja, ku faktet mund të merreshin më të sakta. Kur u krijua Komiteti i Podgoricës në Mal të Zi për organizimin dhe drejtimin e kryengritjes së pranverës së vitit 1911, ky komitet “u ndihmua edhe nga atdhetarët që ndodheshin në Mal të Zi, si Risto Siliqi etj”, kurse “Nikollë Ivanaj, Hilë Mosi, Luigj Gurakuqi etj. shkuan më pas në Podgoricë”. Prej këtej del qart së “burimet” e R. Siliqit janë hartuar sipas relacioneve të konsujve malazezë, dërguar prej Shkodër, Prizreni etj. 

Ndryshe ndodh me botimin “Historia e Shqipërisë”, 1984. Në analizën që u bëhet shkaqeve të dështimit të kryengritjes së vitit 1910, ndër të tjera shënohet: “Një rol veçanërisht negativ luajtën krerët e lëkundshëm të Lëvizjes, të cilët ose i braktisën kryengrirësit në çastet më të vështira të Luftës, si Shaban Binaku e Sulejman Batusha, ose bashkëpunuan ngushtë me komandën xhonturke si Rrustem Kabashi”.(4) (Në popull për shkurt është quajt Rrustë e jo Rrustem).

Ky motivim u është bërë kështu këtyre krerëve, sepse prej kohësh në Institutin e Historisë, Tiranë, ishin të pranishëm botimet e studiuesit z. Cana, siç na bëhet e ditur te “Literatura historiografike”.(5) Kështu, duke qenë të ndikuar prej z. Canës dhe, duke i besuar botimit të monografisë “Lëvizja” autorët e tekstit “Historia e Shqipërisë”, 1984, arritën në përfundimin e mësipërm se Rr. Kabashi paska bashkëpunuar “ngushtë me komandën xhonturke”.

Megjithëkëtë, është për t’u theksuar fakti, se autorët e botimit të mësipërm (Hist. e Shqip. 1984) Sh. Binakun e S. Batushën, si edhe Rr. Kabashin, janë mjaftuar duke i quajtur “krerët e lëkundshëm”. Pra, nuk arrijnë deri aty sa t’i quanin “tradhtar” apo “turkoman”, sepse kishin parasysh edhe faktin shumë të rëndësishëm: dënim me vdekje në litar, dhënë prej gjyqeve ushtarake xhonturke.

Në botimin “Historia e Popullit Shqiptar”, II,2002, nuk shënohet direkt emri i Rr. Kabashit, por nënkuptohet fare qart emri i tij. Për më tepër, autori i këtij kapitulli (kapitulli XI), prof. Gazmend Shpuza shkon më larg se autorët “Hist. e Shqip.” 1984, duke e rikthyer të plotë qëndrimin prof. z. Canës. Ja si e shpreh këtë “qëndrim”: “Grykën e Carralevës e mbronin tremijë kryengritës… Por pozita e tyre u vështirësua, kur u dolën në shpinë forcat osmane, të prira nga udhërrëfyes serbë dhe nga ndonjë turkoman prej parisë shqiptare”. Kështu, edhe z. Cana: “udhërrëfyesit serbë, tok me Rr. Kabashin i prinë pararojës turke nëpër rrugën më të shkurtër…”.(7) Duke i krahasuar me kujdes këto dy pohime, të këtyre dy autorëve, del se në thelb thonë të njëjtën gjë: “udhërrëfyes serbë” me Rr. Kabashin ose “ndonjë turkoman”. (që nënkupton Rr. Kabashin).

Lufta për kauzën shqiptare.


                                Studiuesi Xhemal Meçi.

Gjithashtu, duke i krahasuar këto pohime të këtyre dy autorëve edhe në planin tjetër: “udhërrëfyes serbë” dhe “me Rr. Kabashin” a nuk vë në dyshim bashkëpunimin e “ngushtë me komandën xhonturke” të Rr. Kabashit?! Përderisa Rr. Kabashi, si vendas dhe me njohje të mirë sidomos të vendeve dhe të banorëve prej Prizreni me rrethinat fushore e malore deri në Shtimje, Ferizaj, Viti e Kaçanik ç’u deshën “udhërrëfyesit serbë” për t’i prirë “pararojës turke”?! Pse nuk mjaftoka Rr. Kabashi, kur vetë prof. z. Cana deklaron te monografia “Lëvizja…” se ishte Rr. Kabashi ai që i bëri “shërbim të mirë ushtrive turke” për t’i rrethuar kryengritësit në Carralevë?!

Vetëm këto ballafaqime do të mjaftonin për t’u bindur se “udhërrëfyesit serbë” ishin të nevojshëm, sepse prijësi Rr. Kabashi ishte i dyshimtë nga se qe zënë rob prej Sh. Turgut Pashës dhe ishte detyruar me zor t’i printe pararojës së ushtrisë turke. Këtë fakt të rëndësishëm e bën të ditur që më 1975 mbledhësi i mirënjohur i folklorit kosovar, Destan Bajraktari. Ai shkruan se Rr. Kabashi “u zu në Ferizaj me dinakëri nga Turgut Pasha i cili e detyroi me dhunë t’i printe ushtrisë turke”. (8)

Është me interes të theksohet fakti se H.Rr. Kabashin nuk e ka parë me vend ta pagëzojë “turkoman” asnjë studiues, qoftë edhe vetë z. Cana. Atëherë ku u bazua prof. G. Shpuza për ta quajtur Rr. Kabashin “turkoman”, kur këtë fjalë nuk e ka as “Fjalor i Gjuhës së Sotme Shqipe”, Tiranë, 1980 me 41 mijë fjalë, as “Fjalor i Gjuhës Shqipe”, Tiranë, 2006(9), as “Fjalori i Gazullit”, Tiranë, 1941; për më shumë as “Fjalor i Orientalizmave në Gjuhën Shqipe?!”(10). Atëherë prof. G. Shpuza e ka shkruar prej zellit për të sjellë diçka “të re” e gjoja më “shkencore” te “Historia e Popullit Shqiptar”, 2002. (!)

Nga krahasimet e bëra te “Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe”(11), “turkoman quhet ai që kishte humbur ndjenjat atdhetare dhe përkrahte politikën e propagandën shoviniste turke”. Prof. as. dr. Bajram Xhafa shprehet se “terma të tilla nuk kanë vend në historiografinë shqiptare paskomuniste”.(12)`

A mund të quhet “turkoman” një prej krerëve të Kosovës, si Rr. Kabashi, që prej më se një gjysmë shekulli, deri ditën që u var në litar, më 18 gusht 1910 te Shatërvani i Prizrenit, luftoi për kauzën shqiptare?! Përgjigjen i takon ta japë vet prof. G. Shpuza.
I theksojmë këto në drejtim të prof. G. Shpuzës, me qëllimin e mirë se duhej të reflektonte, sepse që prej vitit 1992 nuk është nën dikatatin e diktaturës moniste, siç ishin institucionet shkencore të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe punonjësit e tyre shkencorë deri më 1991.

Ky profesor prej afro 10 vjetësh (1992 – 2002), kur botohet “Historia e Popullit Shqiptar”, ka punuar në kushtet e tranzicionit demokratik, ku duhej reflektuar qëndrimi demokratik i studiuesit me zgjerim burimesh e konkluzionesh më të studiuara, të çliruara prej tutelës moniste dhe jo të ndodh e kundërta.

Çka thotë prof. Shefqet Hoxha për z.Kabashi?

Ndryshe ka ndodhë me prof. z. Cana i cili monografinë e tij për vitet 1908 – 1912 e përgatiti në vitet ’60 – ’70 dhe botoi më 1979 në kushtet e diktaturës shoviniste serbe, kur shtypja nacionale serbe ishte në rritje. Por, në qoftë se ishte i ndërgjegjshëm se ka qenë i detyruar t’u përshtatej presioneve të politikës shoviniste serbe, atëherë a nuk pati mundësi që pas vitit 1999, pas Çlirimit të Kosovës, t’i bënte një rishikim monografisë “Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1908 – 1912”? Me sa dimë, nuk ndërmori ndonjë masë, qoftë edhe pjesërisht që t’i bënte përmirësimet e duhura, duke përmirësuar burimet dhe mënjanuar ndikimin e detyruar të arkivave serbo–malazeze. Megjithatë, gjykimin më të plotë dhe më të bazuar për këtë monografi të prof. z. Canës do të dëshironim ta jap Instituti Albanologjik i Prishtinës, ku ka qenë punonjës shkencor i këtij Instituti për afro 40 vjet. Ndofta i takon dr. Daut Bislimit i cili në recencën e tij për prof. z. Canën: “Gjenocidi i Malit të Zi mbi popullin shqiptar 1912 – 1913 (Dokumente)”, Prishtinë 1997, e çmon “për zhvillimin e shkencës historike”.(13)

Prof. Sh. Hoxha është një studiues serioz dhe i përkushtuar në lëmi të dijes (gjuhësi, folklor, etnologji, histori etj.). Ka shkruar mbi 200 artikuj e kontribute shkencore. Ka qenë delegat dhe firmëtar i akteve të Kongresit të Drejtshkrimit (1972). Ka botuar mbi 20 libra e monografi. Është i dekoruar me urdhrin “Mësues i Popullit”. Në vitet 1992–1996 ka qenë deputet në parlamentin shqiptar. Prof. Sh. Hoxha gjatë hulumtimeve në arkiva është njohë edhe me rolin atdhetar të H. Rr. Kabashit në kuvende dhe kryengritjen antiosmane të viteve 1884–1885, që më pas do të pasqyrohen në botimet: “Instituti i Kuvendit në Lumë, punime etnologjiko–historik” dhe “Kryengritjet antiosmane në kazatë e Lumës, Prizrenit e Gjakovës, 1884– 1885”,(14) del në dukje mirëfilli Rr. Kabashi si një prej krerëve kryesor të kuvendeve, besëlidhjeve dhe kryengritjeve në vitet 1884–1885. 
V.O. Studimi publikohet me shkurtime


Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*