Filip Ndocaj mbeti i lidhur me Pukën

Nga: Albert ZHOLI
 
I paralizuar prej gjashtë vitesh, ai burrë i dalluar për energjinë e tij, jetonte në krevat mes vuajtjeve fizike dhe dhembjeve shpirtërore. Vetëm kur i vinte ndonjë shok, i ndryshonte çehrja. Një ditë, nga fundi i shtatorit 1983, i tha mikut të tij të vjetër, shkrimtarit Agim Cerga: “Më vjen keq o Gim, si nuk u shërova, të paktën vetëm për ca ditë, sa të shkoja edhe një herë në Pukë … të shihja atë vend e ata njerëz! … Më ka marrë malli!…”

Pas dy javësh, profesori, shkrimtari e poeti, gazetari, përkthyesi e kritiku letrar, do të mbyllte sytë në moshën 68-vjeçare, i pikëlluar se kish lënë pa realizuar, shumë punë e dëshira. Po, cili ishte Filip Ndocaj?
 
Fëmijëria

Ai lindi ne Gjakovë, më 2 tetor 1914, nga prindër shkodranë. I ati, Engjëlli, ishte mësues. Në vitin 1919, familja Ndocaj, transferohet në Shkup, qytet, ku Filipi kreu shkollën fillore deri në 1924, pikërisht aty, ku zotni Lushi, siç e thërrisnin të atin, i mësoi ABC-në Gonxhe Bojaxhiut, vajzës që me pas, do të trondiste botën me jetën dhe veprën e saj.
 
Arsimi

Më 1925, familja e mësuesit të gjuhës, koleg i njerës prej figurave më të ndritura të arsimit tonë, Mati Logorecit, është kthyer në Shkodër. Këtu Filipi mbaron gjimnazin. Dëshira e djaloshit është të shkojë në një universitet, por nuk i akordohet bursë studimi. Atë vit, nis profesionin e të jatit, si mësues filloreje në Krumë të Hasit. Më 1935, Filipit, i takon të hapë të parën shkollë, në fshatin Dardhë të Pukës. Për dy vjet, ka si kryemësues (drejtor), Gjergj Millosh Nikollën. Miku Migjen, la mbresa tek mësuesi i ri por dhe e orientoi në hapat e para drejt poezisë. Vite më vonë, kur fliste për poetin e shquar, ndërsa rrëmonte nëpër kujtime, vështrimi i përqendrohej diku dhe buzëqeshja e përhershme karakteristike, i tretej. E kish dashur shumë Migjenin, po kështu edhe poetin tjetër, Gaspër Pali…

Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve

…Shkrimtari Filip Ndocaj bëhet i njohur me vëllimin e novelave “Dashuri dhe urrejtje”. Në vazhdim, romanet “Vlaga e Dheut” dhe “Diell nën Kreshta” që i kushtohen jetës dhe traditave të banorëve të Pukës.

Profesori Ndocaj, gjatë kësaj periudhe, përgatiti edhe të parën metodë të mësimit të italishtes, që u përdor në masë në vitet ‘70-të. Ai është nga të paktët, që përkrahu talentet e reja në poezi si: M. Elezi e M. Zeqo, N. Lako e L. Pajo, N. Papleka e A. Shehu, V. Musta e S. Mato, Ll. Ruci, K. Petriti etj. Çdo libër të letrarëve të rinj, ai e lexonte me laps në dorë e pastaj fliste me pasion rreth tyre, kur e meritonin. Shokët e tij të vjetër i mbajnë ende mend diskutimet e Filipit, në të gjitha veprimtaritë që organizoheshin në Lidhjen e Shkrimtarëve, jo vetëm për letërsinë, por edhe për muzikën, teatrin, filmin etj.. Kurajoja dhe guximi ne trajtimin e problemeve të kohës, ndonjëherë e vuri në pikëpyetje të ardhmen e tij.
 
Kapitull më vete

Një kapitull më vete është edhe Puka. Atje ai filloi të hedhë në vargje, mendimet e para për jetën, atje u bë mik me poetin Migjen, atje njohu malësinë dhe njerëzit e saj të mrekullueshëm. Edhe lejet krijuese atje i kalonte, edhe romanet kësaj zone ia kushtoi, edhe një pjesë e dorëshkrimeve që ka lënë, pikërisht për Pukën janë. Ç’është pra gjithë kjo dashuri për këtë vend të ashpër? Kjo shpjegohet vetëm me botën e madhe të artistit, ku futeshin edhe ata njerëz të thjeshtë malësorë: kooperativistë, minatorë, sharrëtarë, shoferë, mësues, nxënës, po edhe ata që kishin ardhur nga larg për të punuar këtu. Personazhet e romaneve të tij janë përshkruar në tërë kompleksitetin shpirtëror, me të mirat e anët e dobëta, të vendosur ne realitetin që i rrethon, karaktere të realizuar me vërtetësi jetësore, ndonëse autori i njihte mirë kufizimet që ia impononte ideologjia sunduese e asaj kohe.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*