POEZI NGA PREND UKAJ

 
NUK DI QYSH, PËR BESË 
Nuk di qysh, për besë,
Të dashkam kaq fort
E kaq i trulluar, përçka
Jam sot?!
 
Ndejtur kam kalistrok
Sipri një reje,
Me shkrepëtima verbuese
Rrufeje…
 
Nga vorbulla drithmash dhe ethesh,
Që shtatin me tehe ma therin,
T’dal s’mundkam e s’mundkam dot…
 
Të të dua, dhe po t’më tradhëtosh?!
 
 
KUR DON ME MË IKË TI 
Shkimbet drita nbë hapësi. 
Unë katrrithem e katrrithem
Në një shteg t’ngujuar mali
 
Me ankthin e mosmbërritjes
Kurrënjëherë në krye…
 
Gëzhatshëm n’mua e len fërkemin
Me një ndjenjë t’pallur malli,
Që rrëganet e ndërkryer…
 
 
FTESË NË MESNATË
Më ftove në mesnatë, e dëshiruar,
Në krevatin tënd të epshit.
Të nesërmen, më përcolle, e zhgënjyer.
 
E humba emrin, dinjitetin,
Për një orgazëm, më tepër…
 
xxx
Brirët më kruhen
Të hahem me ty,
T’zënë gjak, m’kruhen.
 
 
MË DOLE NË PRITË
 
Më dole n’pritë,
Të vras, a të lë?…
 
Shtatë herë e vura syrin
Në shënjestër,
Shtatë herë.
 
Dhe u zbytha,
Më dhimbëshe.
 
Ti hidheshe, gjarpënushë,
Përdridhëshe.
 
Kafka ime n’çengel furë,
E përbiron diellin…
 
 
NË DERË MË DEL
 
N’derë m’del me këmishë t’hollë.
Ma prapon, dashtas, hënën,
Më len pa sy e pa gojë…
  
Frymën ta ndjej n’mishashtin tim
N’labirinte pejzash intime,
Të sapo zbuluara…
 
Si na lindi nëna, lakuriq,
Rromitemi n’shtrate t’shpërvjela, t’pashtruara,
N’ekstazën tonë të përplasjes
Djersitemi, djersitemi.
 
Vetet na lagen…
 
x xx
 
Prej vajit, prite Zot,
Me të gjetë gjâ,
Gur e dru i shti në gjynah.
 
Buzë Drinit
Ma koti gjumi çobaneshën,
N’ Zall, te bushat,
Te Livadhi i Bregut.
 
Me puthjen time t’ etur
Në buzën e rreshkur,
Ma koti gjumi,
Ma koti çobaneshën…
 
xxx
 
Engjëlli yt kurrë
Nuk e deshti ëngjëllin tim.
 
E shau, e përbuzi, e shpërfilli.
 
Mbështjellë tinëz
Nën lëkurë
S’e pranoj asnjë gabim.
 
Ani, prapë se prapë, atij fyelli
I bie se i bie,
Hallakatshëm n’i birë…
 
Ti habiçëm,
Në mënyrën tënde,
N’dy gjunjët e ule
Dhe dreqin me brirë.
 
xxx
Vetëdigjemi në ëndrrën e zvjerdhur,
N’hirin e shkrumbit të epshëm,
Përzhitur shpërpushemi…
 
Pluhurin e helmët,
Hapërdarë n’ajër,
Tìdashurisë sonë të marrë,
E hurbim mënishëm.
 
Dhe flijohemi unëshëm…
  
JAM LUNDËR E THYER
Jam lundër e thyer,
Bash n’ mes,
Të një lumë,
 
Që bart moti,
Lisa të shkulur
Dhe gurë…
 
IMAZH KOHOR
 
Bërtitje
Shtazore,
Epshim.
 
Zhig
Bërlloku,
I ndyrë.
 
Kurvëri,
Shpabesi,
Mjerim…
 
xxx
Jetoj në një botë, pa ty,
Kujtimin ndjellës,
Shtjellat ma përpijnë…
 xxx 
Më vret
Fshama jote,
Trishtuese ndër mote.
 
KUR E SHOH ATË FOTOGRAFI…
Për Besën, në Greqi
 Pamja rrëqethse
M’i lëbyr sytë,
Kah e këqyrë.
 
Fotografin kopil
Do ta varë
N’ atë shtyllë,
 
Ku vajza ime,
Këmbësh e duarsh,
Rrin lidhë…
 
xxx
 
Mashkulli vuan,
Femra e përqesh.
 
Merimanga e thur
Fillin e rrjetës,
 
Për qefin e vet…
 
xxx
 
Prej mallkimit,
Si gjarpëri nën gur,
E fsheha lëkurën…
 
Prej tërbimit,
N’rrugë, për askund,
Luajta aktin e fundit…
 
 
Me mollën e Adamit
Në njërën dorë,
Më zuri nata…
 
Eva, kopshtesh matanë,
Për mua diç shestonte:
 
Të mbetëm pagoje,
Ndër këto karpa…
 
 
RREKEM…
 
Rrekem
Rrëmoresh,
 
Rrethakue
Rrihnash.
 
Rrapshtajash
Rrence,
 
Rrëgjavem
Rranimesh…
 
xxx
 
Ag e terr,
N’goca prushi,
Përfulitem e përfulitem,
Si n’ hell…
 
Mishin tim të përzhitur,
S’e han as djalli,
Pos e përtyp, e nxjerr…

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*