Përgatiti: Kurt Fartka
Nexhmedin Zajmi lindi në Trebisht të Gollobordës në Peshkopi më 1916 dhe vdiq në Tiranë më 19 maj 1991. Ai e kaloi fëmijërinë nën kujdesin e gjyshes dhe vëllezërve më të rritur, të cilët e fusin në shkollën fillore të fshatit të lindjes. Studimet i vazhdoi në shkollën e fshatit Omezhë dhe më 1931 hyn në shkollën teknike të Tiranës, në degën bujqësore. Në fund të vitit të tretë të shkollës, Zajmi realizon një portret në skulpturë të një shoku. Ky punim u bë shkak që Nexhmedini të hyjë në degën e dekoracionit të kësaj shkolle, ku studionin piktorët Andrea Mano, Ibrahim Kodra, Gaqo Kollumbi, Qamil Grezda, Kel Kodheli, Sabri Tuçi. Më pas regjistrohet në shkollën e vizatimit në Tiranë, më 1938.
Nexhmedin Zajmi
Zajmi kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve në Romë (Itali). Pas kthimit në atdhe më 1944 emërohet pedagog në Gjimnazin e Shtetit në Tiranë (1945) dhe një vit më pas në Liceun Artistik “Jordan Misja”.
Në vitin 1955, ai punon si Drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë dhe më pas rikthehet në Liceun Artistik si pedagog, ku jep mësim deri në vitin 1963. Po në këtë vit emërohet pedagog në atelienë e pikturës në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë (ish-I.L.A), ku punoi deri në vitin 1969.
Veprimtaria artistike e piktorit Nexhmedin Zajmi është e gjerë dhe e larmishme. Ai nga viti 1945 ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare të hapura në Tiranë. Gjithashtu ka qenë pjesëmarrës edhe në ekspozita e konkurime ndërkombëtare ku përfaqësohej Shqipëria si Bienalet e Aleksandrisë, të Bukureshtit, në Sofje, në Vjenë, Petërburg, Kroaci, etj.
Nexhmedin Zajmi është nderuar me disa çmime në konkurset e ndryshme Kombëtare të organizuara nga Ministria e Kulturës dhe është laureant i disa çmimeve të Republikës. Në vitin 1961 i jepet titulli “Piktor i Popullit”. Në aktivitetin artistik rreth 40 -vjeçar, piktori Nexhmedin Zajmi është pjesëmarrës në 27 ekspozita kombëtare. Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ndodhen 72 vepra të piktorit Zajmi, ndër të cilat edhe 2 tablotë e realizuara gjatë viteve ’40 në Itali.
Ketu po paraqesim tre nga veprat e tij ku pasqyron jeten dhe traditen e pukjaneve.
Leave a Reply