Mos e lini të vdesë Paganizmin Shqiptar.

Nga Ndrek Gjini*.
Paganizmi shqiptar nuk është primitivizëm e as barbarizëm siç mundohen ta etiketojnë disa. Ai është vlerë etnokulturore që  duhet mbrojtur, konservuar e më pas promovuar për turistët e huaj dhe për brezat e rinj të Shqipërisë. Ruajtja dhe konservimi i tij është një detyrë e ngutshme si për komunitetin  ashtu dhe për pushtetin ekzekutiv e atë legjislativ në Shqipëri.
Pa dashur të marr poza historiani apo etnologu, mund të them se paganizmi është ende gjallë në Shqipëri dhe se ai duhet ruajtur e konservuar si vlerë etnokulturore prej së cilës mund të kemi veç përfitime në industrinë e turizmit.
Shqipëria është një nga vendet e vetme në Europë, në mos i vetmi, ku për fat të mirë paganizmi ende jeton. Pushtimet e gjata që nga ato Romake e deri tek ato të dekadave të fundit në Europë, si dhe zhvillimet e vrullshme të këtij kontinenti kanë fshirë çdo gjurmë paganizmi në këtë kontinent të vjetër. Arsyet se pse ai ka mbijetuar në Shqipëri janë të shumta. Në rrënjët e këtyre arsyeve gjenden histori turpi e krenarie, histori izolimi e vetizolimi, histori betejash të humbura e të fituara, gjendet harresë, kameleonizëm, inate, vetmi, hatërmbetje e plot gjëra të këtij lloj. Por e rëndësishme është ajo që paganizmi këtu në Shqipëri është ende gjallë, ndërkohë që shenjat e trajtat e tij të fundit në Europë kanë dhënë shpirt para 30 apo 40 vjetësh në Skoci, Irlandë apo Norvegji.
          Bukë dhe kuleqë per ceremoni rituale.

Hapja e Shqipërisë si dhe zhvillimet e vrullshme të këtij vendi në këto dy dekadat e fundit kanë bërë që paganizmi shqiptar të plaket, dobësohet e lihet në harrese, duke e afruar atë drejt shtratit të vdekjes. Është për të ardhur keq. Por këto janë kostot e hapjes dhe zhvillimit. Këto janë ligje universale e për rrjedhojë ne nuk mund të bëjmë përjashtim.
E vetmja gjë që mund të bëjmë ne është një aksion i madh kombëtar për mbledhjen dhe konservimin e gjithë këtyre dokeve, zakoneve, traditave, këngëve dhe praktikave pagane të jetesës. Dhe kjo është urgjente, pasi janë brezi i 70-80-vjeçarëve shqiptarë, janë muzeu i vetëm i gjallë i të gjithë këtyre gjërave që përmenda më lart.
Vitin e kaluar, ndërkohë që po shkruaja disertacionin që kishte të bënte me traditat zakonore të dasmave irlandeze në shekullin e 18-të dhe 19-të, m’u desh për disa muaj të hulumtoja nëpër disa arkiva e biblioteka të Irlandës. Aty mësova se Irlanda ka arkivin më të madh në Europë të folklorit me mjaft elemente pagane.
        Furkë Laberije             Gur varri me motivin me diellit.

Por prapë unë mendoj se arkivi ende i gjallë shqiptar i paganizmit është shumë më i madh dhe më i pasur se ai. Në vitet 1937-1938 qeveria irlandeze, bazuar në një vendim që mori Parlamenti i këtij vendi, akordoi një fond dhe ndërmori një aksion të madh dyvjeçar për mbledhjen dhe grumbullimin e kësaj pasurie folklorike dhe etnokulturore.
Brez i veshjes me xhubletë.

U angazhuan në të  gjitha shkollat fillore, të  mesme. Çdo nxënësi iu dha një fletore  me shumë faqe dhe me kapakë të trashë, me një pyetësor mjaft të gjerë e të detajuar për çdo aspekt të jetës, traditave, zakoneve, këngëve, mënyrës se si procedohej në kultivimin, korrjen apo ruajtjen e të korrave, zakonet e lindjes, dasmave dhe vdekjes, data, histori lokale, emra, fise, gjenealogji, pra gjithçka. Për dy vjet rresht të gjithë nxënësit e shkollave në Republikën e Irlandës nën mbikëqyrjen e mësuesve  i plotësuan këta pyetësorë, vunë në ta dhe mjaft foto, dorëzuan dhe objekte të vjetra, e kështu me radhë. Një Komision Shtetëror bëri më pas seleksionimin, skedimin dhe arkivimin e tyre në një ndërtesë të ndërtuar enkas për këtë qëllim. Dhe sot, pas kaq dekadave, Irlanda ia arriti edhe t’i dixhitalizojnë këta arkiva, duke e bërë këtë vend ndër më tërheqëset në botë për turizmin me drejtim trashëgiminë kulturore.
Motiv ornamentik i veshjes me xhubletë.

Ne tani jemi vendi i vetëm në Europë ku paganizmi është ende i gjallë. Ky është një shans fatlum dhe duhet shfrytëzuar shpejt, pasi koha nuk pret. Pas pak vjetësh një pjesë e mirë e këtij paganizmi do të ketë vdekur. Është koha të bëjmë atë që irlandezët bënë më 1937-1938. Dhe ta bëjmë tani. Jam i sigurt se një investim i tillë në mbledhjen, ruajtjen dhe konservimin e vlerave, traditave dhe praktikave pagane do t’i sjelle Shqipërisë së viteve 2015-2020  më shumë turistë se sa deti apo bregdeti Adriatik dhe Jon të marrë së bashku.
 
*BA në Studime të Trashëgimisë, MA në Letërsi- National University of Ireland Galway.
 Nga gazeta MAPO, dt.11.04.2011

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*