LAJME NGA DIOQEZA E SAPËS BEKIMI I KOMPANJELIT – BREG-PUKË

Nga: Ilir_Gjokaj
Të dielën e IV të Pashkëve, më 15 maj 2011, e cila përkoi me ditën e Bariut të Mirë dhe ditën e 48 botërore të Lutjes për Thirrjet, bashkësia katolike e famullisë së Shën Eufemisë në Breg të rrethit Pukë gëzoi në ceremoninë e bekimit të kompanjelit dhe kambanave, të cilat janë të lidhura me jetën e popullit të Zotit, sepse zëri i tyre tregon kohën e lutjes, bashkon popullin për liturgji dhe e lajmëron atë për ngjarje të rëndësishme, qofshin ato raste gëzimi apo pikëllimi të kësaj bashkësie. Ndaj në këtë ceremoni ku ishte i pranishëm Ipeshkvi i vendit Imzot Lucjan Avgustini, i cili udhëhoqi Meshën e Shenjtë në bashkëkremtim me famullitarin Atë Andreas Waltermann, e gjithë kjo bashkësi u bashkua me përshpirtëri për të marrë pjesë në kremtimin e shenjtë si një familje e bashkuar me Jezu Krishtin Zot. 
Gjatë homelisë së rastit, Imzot Avgustini ftoi besimtarët që të gëzojnë në Krishtin e gjallë, bariun tonë që na ofron fjalën e vet për ta na sjellë në kullota të amshuara. Ai u ndal edhe në rëndësinë e ditës së Bariut të Mirë dhe ditës ndërkombëtare të lutjes për thirrjet meshtarake. “Çdo i krishterë, tha ai, është i thirrur ta dëshmojë e ta kumtojë Ungjillin në një botë ku një shumicë e madhe njerëzish nuk kanë pasur mundësinë të takohen me Jezusin. Jezusi është bariu ynë. Ai na udhëheq në kullota të amshuara, që do të thotë tek vlerat e vërteta. 
Nuk ka figurë më të ëmbël dhe më të dashur se sa figura e Krishtit, i cili mban në krah qengjin. Dhe nëpërmjet kësaj figure Kisha sheh shprehjen e dashurisë universale të Krishtit për mbarë njerëzimin. Bota ka shumë nevojë për meshtarë, për rregulltarë, për njerëz që vihen tërësisht në shërbim të Zotit dhe në shërbim të vëllezërve e motrave. Prandaj këtë nevojë t’ia paraqesim Zotit, që forca e ringjalljes së tij, të zgjojë shumë thirrje të reja që ta ndjekin rrugën e shenjtërisë dhe të predikimit të lajmit të gëzueshëm”. 
Pas predikimit Imzot Lucjani bëri bekimin e kambanave që u vendosën në Kompanjelin e ri. Kambanat e Kishës së Shën Eufemisë janë dy: njëra i përket vitit 1835, peshon 18.5 kg dhe mban figurat e Marisë me Jezusin fëmijë, Jezusin në kryq dhe Shën Pjetrin e Shën Palin; ndërsa kambana tjetër i përket vitit 1930 me mbishkrimin “Dhunti e qeverisë italiane Kishës së fisit kreshnik të Qafës Malit”, përmban tre figura: Shën Eufemia, Shën Sebastiani dhe Shën Gjon Pagëzuesi. 
Gjithashtu ka dhe ornamente të tjera dhe peshon 170 kg. Kambanat kanë arritur të ruhen nga banori i kësaj zone z. Gjergj Thekna, dhe janë rikonstruktuar falë kujdesit të Famullitarit Atë Andreas Waltermann dhe etërve Kapuçinë në Gjermani.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*