Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me dt. 30 tetor 2011 paradite ishte në qytetin e Pukës, i pranishëm në evenimentin kulturor “Sofra Pukjane”, organizuar nga intelektualë dhe biznesmenë të qytetit të Pukës për të promovuar traditën dhe kulturën e kësaj zone. Në eveniment ra në sy mungesa e zyrtarëve të PD-së dhe e kreut të bashkisë së Pukës, Beqir Arifaj, si dhe deputetëve të mazhorancës së Qarkut të Shkodrës. Të zgjedhurit vendorë e kishin paralajmëruar bojkotin ndaj numrit një të shtetit. Me këtë rast, Presidenti dekoroi me Urdhrin “Nënë Tereza” dhe “Mjeshtër i Madh” dy figura të njohura të Pukës.
Pukë 30 tetor 2011.
Presidenti B. Topi i dorëzon Urdhërin “Nënë Tereza” akorduar M. Dod Alis, djalit të tij
Nikoll Marka Dodës.
Presidenti Topi i dorzon Urdhërin “Mjeshtër i Madh”, Pukë 30 tetor 2011.
Në qendër të Pukës, kreu i shtetit u prit në një tmosferë të përzemërt e festive nga ideatori dhe organizuesi i “Sofrës Pukjane”, Arjan Ndoi, nga intelektualë, artistë dhe qytetarë të shumtë të mbledhur me këtë rast
Pasi vizitoi “Ekspozitën etnokulturore” të qytetit verior të Pukës, kryetari i shtetit mori pjesë në aktivitetin e përvitshëm “Sofra Pukjane 2011”, në koncertin e madh festiv me këngë dhe valle popullore e karakteristike të trevës, që u mbajt në shtëpinë e kulturës “Eqerem Çabej”. Me këtë rast, u zhvillua edhe ceremonia e dekorimit të dy personaliteteve të njohura të Pukës, ku, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve presidenciale nga sekretari i përgjithshëm, Aleksandër Flloko, Presidenti i Republikës, i dorëzoi zotit Elez Rrust Selimi, Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Për punë të palodhur e plot përkushtim në shërbim të shëndetit të njerëzve, për rezultate të larta në aplikimin e arritjeve bashkëkohore të mjekësisë në vendin tonë”, si dhe familjarëve të zotit Mark Dodë Alia (Pas vdekjes), Urdhrin “Nënë Tereza”, me motivacionin: “Veprimtarit patriot, i cili jetën e vuri në shërbim të bashkimit, arsimimit dhe përparimit kombëtar dhe që diti t’i qëndrojë me dinjitet persekutimit të regjimit komunist”.
Vallet, muzika tradicionale e zonës e luajtur nga çiftelitë, fyelli dhe daullet dhe vargjet e Reshat Arbanës krijuan një atmosferë festive te “Sofra Pukjane”. Aktiviteti kulturor “Sofra Pukjane” zhvillohet për të katërtin vit, duke u kthyer tashmë në një traditë për qytetin e Pukës. Në fjalën e tij, Presidenti është shprehur se “e prita më shumë dëshirë ftesën për të marrë pjesë te ‘Sofra Pukjane’. Aktivitete kulturore si ‘Sofra Pukjane’, apo ‘Oda Dibrane’ apo ‘Sofra Tiranase’ krijojnë mundësinë e ruajtjes së traditës kulturore dhe të unitetit.
Kjo është krenari jo vetëm e Pukës, por e së gjithë Shqipërisë. Presidenca do të dekorojë dhe figura të tjera të Pukës, por këto dekorime do të bëhen në Presidencë”. Më tej, kreu i shtetit tha se “ndihem i gëzuar dhe i emocionuar sa herë që vij në Pukë, sepse te ju gjej mikpritje, gjej bujari, gjej alegri, gjej gëzim, gjej solidaritet dhe jo pa qëllim më kujtohet i madhi profesor Çabej, i cili nga studimet e tij kishte nxjerrë, mbi baza shkencore që Puka vinte nga fjala ‘Publica via’, të pushosh i qetë. Pra sa herë vij këtu, vërtet që ndihem shumë mirë”., Presidenti është përshëndetur me qytetarë të shumtë që e prisnin në qendër të Pukës dhe ka pranuar ftesën për një drekë me personalitete të Pukës që kishin ardhur nga qytetet ku jetojnë, jashtë dhe brenda vendit.
Leave a Reply