Migjeni një shkrimtar pa paraardhës Poeti

 

 

 

Moikom Zeqo flet për librin e tij të ri, “Migjeni, arkitekti i nëndheshëm i qiellit”
 Intervistoi: Fatmir Minguli

Pyetje: Libri juaj “Migjeni, arkitekti i nëndheshëm i qiellit” publikuar nga Shtëpia Botuese “Erik” ka tërhequr gjerësisht në mënyrë të veçantë vëmendjen e lexuesve. Ky libër pati dhe një përurim në qytetin e Pukës, i quajtur si qyteti i Migjenit. Si e konsideroni këtë libër në raport edhe me librat e tjerë që keni botuar?

M.Zeqo: Si një libër shumë të rëndësishëm. Ngamë të rëndësishmit. Rëndësia është e dyfishtë: i kushtohet një shkrimtari të madh, si Migjeni njëkohësisht është prova ime e perceptimit dhe analizës për të arritur në një sintezë të re që përbën, mendoj, një risi.

Pyetje: Viti 2011 ishte viti i 100 vjetorit të lindjes së Migjenit. Ky rast jubilar pati një numër shkrimesh dhe dokumentarësh televiziv, si dhe u batuan disa libra për të. Mendoni se u festua si duhet ky 100 vjetor?

M.Zeqo: Nuk dua të tregohem i skajshëm. 100- vjetori i Migjenit ishte i zbehtë. Tepër sipërfaqësor.

Është e habitshme dhe e papranueshme që ndonjë veprimtari e shpëlarë akademike në vend që të merrej me thellësinë përmbajtësore të veprës migjeniane u përqendruan në perversitete skandaloze, në pseudo tezën idiote të gjoja tezës pseudo serbe të origjinës së Migjenit apo nëse ky shkrimtar e kishte humbur virgjërinë në ndonjë bordello të Athinës. Këto janë revoltuese. Janë të marrëzishme. Unë them se 100-vjetori i

Migjenit në rrafshin shqiptar nuk e kishte aspak dinjitetin dhe lartësinë që duhet t’i takonte. Artikujshkruesit e mjerë që kinse u morën me Migjenin nuk janë as personalitete, nuk kanë as kulturën e nevojshme, madje as kulturën minimale për t’u marrë me të. Ata në vend që të analizojnë Migjenin më tepër e përdhosin. Ata nuk kanë asnjë lidhje me Migjenin. Dhe Migjeni nuk ka asnjë lidhje me ta. Nuk e kuptoj dot pse është një situatë e tillë absurde. Por në fund të fundit kjo nuk ka asnjë rëndësi. Nuk janë asnjëherë kritikët ata që e bëjnë shkrimtarin. Është e kundërta. Kritikët bëjnë komente, madje shpesh komente të komenteve. Por kjo është diçka skolareske dhe e padobishme. Një shkrimtar si Migjeni përmendet i niveleve të ulëta janë më tepër një ofendim, për të mos thënë një keqkuptim i tmerrshëm. Ka shumë vjet që shkruhet për Migjenin. Disa nga studiuesit e adhurojnë. Por kjo është e pamjaftueshme. Një pjesë tjetër studiuesish nuk arrin ta kuptojnë dhe kjo është njësoj sikur e urrejnë, ose duan ta degradojnë. Por me Migjenin historia e kritikës letrare nuk është gjë tjetër veçse diçka deficitare. Kjo kritikë ka qenë më tepër një mungesë sesa një seriozitet. Serioziteti ndaj Migjenit kërkon një kulturë sipërore dhe shumë dimensionale. Janë të dështuar të gjithë ata që nuk e zotërojnë këtë optikë. Është fakt që për Migjenin është shkruar shumë. Ashtu siç është fakt që për Migjenin nuk janë bërë zbërthime të sakta. Të kuptohemi, ka një vështirësi të madhe në këtë mes. Migjeni është një shkrimtar i ndërlikuar, nuk është lehtë ta përballosh atë. Migjeni më tepër grish kritikën e së ardhmes sesa atë që quhet kritika provinciale dhe aktuale shqiptare që në mënyrë të mjerë nuk mund t’i afrohet dot.

Vepra migjeniane ka krijuar një raport të vështirë me kritikën. Madje një raport të rrezikshëm. Dhe nuk mund të flasim për një migjeniologji. Ne mund të konstatojmë fillesat e një migjeniologjie. Migjeni nuk mund të mos analizohet. Por çështja është që ai të kuptohet. Kështu ndodh me shumë shkrimtarë të mëdhenj. Në letrat shqipe Migjeni është shëmbëlltyra më tipologjike, që vërteton se raportet e shkrimtarit me kritikën nuk janë të lehta, as përfundimtare dhe se dështimi i kritikës ndaj Migjenit mund të vazhdojë për një kohë të gjatë, për të arritur më në fund në substancën brilante të veprës migjeniane. Nuk dua të tregohem i padrejtë ndaj gjithë atyre që kanë shkruar për Migjenin. Që nga viti 1969 e deri më sot unë kam shkruar shumë shkrime për Migjenin, po t’i përmblidhja mekanikisht do të përbënin një libër mbi 400 faqe. Por nuk e bëra një gjë të tillë. Kur Shtëpia Botuese mu lut që të shkruaja një libër për Migjenin isha në mëdyshje. Afati kohor ishte i shkurtër. Libri do të ekspozohej në Panairin e librit. Pata një shtysë të brendshme. Një tendosje. Mund të jetë e pabesueshme por pjesa më e madhe e librit është bërë me citim. Kam punuar me Anila Konomin intensivisht për gati një javë. Pastaj u mora me strukturimin e disa nga eseve më të arrira që kam shkruar më parë. Krijova pra një libër kaleidoskop. Forma e librit qe gati e përcaktuar nga rrethanat. Po nuk mund të them se ky libër është shkruar për një javë. Është e kundërta. Ky libër ka të kondensuar shqetësimin e dyzet vjetëve. Në mënyrë të veçantë hulumtimet e mia. Zbulimet e reja jo vetëm në aspektin tekstologjik. Libri im “Migjeni, arkitekti i nëndheshëm i qiellit” është në këtë kuptim një sintezë. I shkruar jashtë rregullit formal akademik ky është një nga librat më seriozë që kam shkruar. Natyrisht këtë e gjykon lexuesi. Por unë kam vetëdijen e plotë për librin tim.

Pyetje: Analiza që ju bëni në librin tuaj nuk është bërë me sa duket deri më sot. Ju shkruani e bardhë mbi të zezë se Migjeni është një shkrimtar pa paraardhës. Pse është kështu?

M.Zeqo: Se është kështu. Migjeni nuk vjen nga brendësia e letërsisë shqipe të deriatëhershme. Ai nuk i njeh shkrimtarët shqiptarë të traditës, as ata bashkëkohorë. Migjeni vjen nga “jashtë”. Ai vjen nga letërsia më e mirë botërore. Ai ka njohur shkrimtarët e traditës botërore. Kjo jo vetëm që nuk e ka penguar atë, por përkundrazi. Ai është shkrimtari shqiptar që kuptoi më mire nga të gjithë të tjerët se letërsia shqipe duhet të jetë as më pak dhe as më shumë përfundimisht letërsi botërore. Letërsia shqipe nuk mund të jetë lokale dhe as thjesht etnike sepse shkruhet në gjuhën shqipe. Natyrisht që ka një histori kombëtare të letërsisë. Por tërë historitë kombëtare të të gjithë popujve kanë dicka konvencionale. Etniciteti gjuhësor sa është pasuri e shprehjes aq është dhe një konvencion. Letërsia ka të bëjë me idetë, ndjeshmërinë, mendimet, vizionet. Çdo letërsi e vërtetë synon komunikimin e të gjitha letërsive kombëtare dhe ndihet e barabartë vetëm me një qytetari, me atë që quhet qytetaria e letërisë botërore. Asnjë shkrimtar para Migjenit nuk ta jep këtë ndjesi.

Migjeni është katërcipërisht qytetar i letërsisë botërore në sensin e procesit krijues dhe vepra e tij e shkruar në gjuhën shqipe nuk është as kufizuese dhe as penguese për të arritur në këtë konceptim sipëror. Migjeni është një shkrimtar pa një të dytë në letrat shqipe dhe vepra e tij ndonëse duket sikur vjen nga “jashtë” është në të vërtetë më në brendësi dhe më në thelb të letërsisë sonë kombëtare, sepse substanca e veprës migjeniane shkrihet dhe njehsohet me substancën e letërsisë botërore. Migjeni është fenomeni më i madh i këtij kuptimi dhe unë e kam quajtur Migjenin shkrimtarin më conceptual të modernitetit shqiptar të të gjitha kohërave. E nënvizoj: më konceptualin. Natyrisht nuk ka një makinë shkencore apo një instrument kibernetik për të matur konceptualitetin. Po të kishte të tilla mund të vërtetohej në mënyrë të dukshme dhe më të prekshme ajo që thashë më sipër. Konceptualiteti i Migjenit është projekti i tij I dyfishtë: i emancipimit të shoqërisë dhe letërsisë shqipe, jo në gjendje vecimi, as në formën e një monade apo enklave.

Në ka shkrimtarë që i shkatërron kufizimet, qofshin reale qofshin dhe virtuale ky shkrimtar është pikërisht Migjeni. Letërsia shqipe që nga Buzuku e deri te Migjeni ka një substancë të ekzistencialitetit që vjen duke u kondensuar në mënyrë inkandeshente dhe ka ngjeshjen më të madhe në veprën migjeniane. E theksoj sepse kjo ka shumë rëndësi: substancën e ekzistencialitetit. Mbas Migjenit shkrimtarët që erdhën më pas nuk e kanë kaq të kondensuar dhe të dendur substancën e ekzistencialitetit, pra të mjerimit dhe të tragjedikomedisë njerëzore. Duket sikur kjo temë e patjetërsueshme e letërsisë dhe e artit sfumohet dhe përdoren tema të tjera të mbijetesës së kombit por pa dilemën e tmerrshme të njeriut si esencë. Të mos harrojmë shprehjen e Sartrit se “Ekzistenca është para esencës”. Raporti midis ekzistencës dhe esencës është raport migjenian. Mund të thuhet se Migjeni është një shkrimtar pa pasardhës. Jo në kuptimin kronologjik. As në kuptimin që disa nga shkrimtarët pas tij kanë arritur nivele artistike të larta. Nuk dua të keqkuptohem në këtë pikë. Më tepër i bindem një optike shkencore, përtej emocioneve dhe apologjive. Fjala vjen këto njëzet vjetët e fundit askush nga shkrimtarët shqiptarë nuk ka pasur fuqinë perceptuese dhe imagjinative të Migjenit.

 

 

Pyetje: Në librin tuaj bëni një përsiatje të hollësishme për çështjen e klasifikimit të artit të Migjenit dhe ngulni këmbë se vepra e Migjenit afron me ekspresionizmin evropian, madje disa nga prozat e tij kanë gjëra të përbashkëta me prozat fabuleske të Franc Kafkës. Ju thoni se Migjeni i thyen lëvozhgat kronologjike. Ai mund të jetë bashkëkohës jo sipas kalendarit historic në të tjerë shkrimtarë, ashtu si fjala vjen Franc Kafka është më tepër bashkëkohës i Xhonatan Suiftit sesa i Tomas Manit apo Rilkes.

Pergjigje:Forca e artit i kapërcen kohërat. Një histori letrare mund të jetë kronologjike, por arti letrar nuk është i tillë. Shkrimtari i madh qëndron në nivelin e shpikjes. Ai krijon mite letrare. Këto mite kanë më shpesh pakohësi. Arti është mbihistorik, tejhistorik. Artisti ndërton ngrehinat e qytetit të veprës së tij me gurë shpirtërorë që i merr nga kohërat dhe hapësirat e ndryshme, ai nuk përdor materie të rëndomtë sepse arti nuk është faktologji. Nëse një artizan e bën një object si univers të mbyllur shkrimtari krijon përherë një univers të hapur. Shkrimtari e hulumton universin. Që në vitin 1921 Jakobsoni ka thënë: “Objekti i studimit letrar nuk është e tërë letërsia, por literariteti i saj”. Kjo optikë vlen për Migjenin. Për shkrimtarin gjithcka është subjekt. Gjithcka është lëndë. Gjithçka është frymë. Shkrimtari është nënshtetas, qytetar i të gjithë kohërave. Nuk duhet harruar një shprehje e famshme e Filip Sollers: “Duhet lexuar Servantesi dhe Kafka bashkë. Kafka është një Servantes I përshpejtuar”. Kjo na ndihmon për të folur në një mënyrë të përafërt edhe për Migjenin. Te Migjeni kemi një funksion të ri të fjalëve dhe një mëtim drejt infinitit. Mund të kuptohet se te Migjeni në pamje të sipërfaqshme kemi mosshpalljen konkrete të esenciales për të arritur tek esencialja. Ai ka shkruar për mjerimin por në një sens tjetër. Mjerimi për të është një nga esencat e njerëzimit. Mjerimi material dhe shpirtëror është tjetërsimi. Por është edhe c’prrallëzimi i botës. Të kuptohemi në vitet ’30 të shekullit të kaluar letërsia evropiane pati një shpërthim të madh cilësor. E kam përmendur disa herë Franc Kafkën. Sipas Borgesit edhe Kafka ishte ekspresionist.

Por edhe Migjeni është i kësaj hullie. Ekspresionizmi është më i rëndësishëm sesa surrealizmi apo konstruktivizmi. Por Migjeni është edhe shkrimtar ekzistencialist. Në veprën e tij ka edhe elementë të surrealizmit por edhe të imazhinizmit. Në këtë pikëpamje ai është një artist sinkretik. Ai ka pasur fuqi perceptuese të pazakonta. Por ai ka ditur të sinkronizojë. Por mbi të gjitha edhe Migjeni ka ndikimet e tij. Këto ndikime janë nga vepra e Dostojevskit, e Hygoit, e Rembosë dhe Verlenit, e Bodlerit, por mbi të gjitha, mbi të tërë këto emra spikat ndikimi I Fridrih Nices.

Pyetje: Ju e quani Migjenin të vetmin Niçean me kuptimin e plotë të fjalës në letrat shqipe. Si qëndron e vërteta?

M.Zeqo: Migjeni është Niçean. Ai jo vetëm ja bërë një ditiramb niçean siç është poezia “Trajtat e mbinjeriut” por ai ka shkruar vetë se i përket besimit niçean. Në një letër të tij që i shkruan një miku ai thotë: “Besoj në një fuqi të njeriut, besoj në mbinjeriun! (T’ue mendue kshtu, në vesh më tingëllojnë fjalët e dikujt: “Besimi yt të shpëtoi!” Po pate edhe ti këso mendimesh po të rekomandoj këtë besim, ma modern dhe ma të përshtatshëm të kohës së sotshme – besimin në mbinjeriun!). Kjo duket si një shpallje e plotë e një ideje publike. Një akt besimi publik. Por po ta shikosh më në brendësi, më me hollësi në të vërtetë Migjeni niçean është një testament I tradhtuar i Niçes. Pra, është edhe niçean dhe njëkohësisht nuk është niçean. Kjo nuk është një lojë fjalësh. Mund ta shkruaja një studim me titullin “Migjeni, Niçja i tradhtuar”. Kam rilexuar këto ditë librin e shkëlqyer të filozofit anglez Bertrant Rasëll pikërisht kapitullin ku ai flet për filozofin Niçe (1844-1900). Rasëll bën një anatomi të filozofisë niçeane. Niçja admiron forcën e vullnetit për të gjitha gjërat. Prandaj dhe Migjeni flet për “vullnetet e ndrydhuna” për shpërthimet e tyre. Por Mbinjeriu i Niçes është një figurë kontraverse. Ai është heroi i kultizuar aristokratik. Për Mbinjeriun të gjitha fatkeqësitë e njerëzve të vegjël nuk përbëjnë së bashku një shumë totale për t’u marrë në konsideratë nga Mbinjeriu. Por te Migjeni është e kundërta. Rasëll citon “Mbretin Lir” të Shekspirit. Kur mbreti Liru çmend tha: “Do të bëj gjëra të tilla – seç janë akoma s’e di por ato do të jenë terrori mbi dhe”. Për Rasëllin këto dy vargje janë “filozofia e Niçes në një lëvozhgë arre”. Mbinjeriu i Niçes sipas Rasëllit është rezultat i frikës, i urrejtjes dhe jo I dashurisë. Rasëll bën një dialog të imagjinuar midis pikëpamjeve të Niçes dhe të Budës. Në ballafaqimin e argumenteve Rasëlli i jep më shumë të drejtë Budës. Po ta kishte lexuar këtë dialog të imagjinuar Migjeni besoj se do të anonte nga Buda më shumë se sa nga Niçja. Filozofia e Niçes nuk e njeh mëshirën. Ai thotë se e gjithë masa e njerëzimit është një nivel i ulët biologjik, për këtë arsye duhet të ngrihet një qenie supreme biologjikisht më e lartë që duhet të sundojë, që është pikërisht Mbinjeriu. Ky perceptim nuk ekziston te Migjeni. Migjeni thotë se mëshira është “bija bastarde e etërve dinakë”. Migjeni flet për “mëshirën e të pamëshirshmëve”. Por në ndryshim kolosal me Niçen Migjeni vuan mbinjeriun. Migjeni e ndjen dhimbjen në të gjitha indet. Ai nuk i braktis të vuajturit, nuk i përbuz qeniet e dënuara në ferr, ai dënon historinë, por jo subjektet e saj të pafajshme. Migjeni flet për një të ardhme që mund të arrihet. Për birt’ e shqipes që folenë ia ngrënë vetvetiu, për një agim të lumë e të drejtë kombëtar, për lahutat ku këndohet Jeta e Re. Pra, Migjeni nuk e humb perspektivën humaniste. Tek ai brutaliteti luftarak është diçka e pakuptueshme. Ai ka një rebelizëm mendor, por për të dhuna është një marrëzi. Ai flet për ratavizmin stërgjyshor dhe instinktin e organizimit të egër ku egoizmi kurorëzon mjetet. Por ky është një paradoks I kushtueshëm, ky është edhe ankthi më i madh ekzistencial. Pra, niçeani Migjen ndryshon nga Niçja. Niçja ka motivuar shumë shqetësime të Migjenit sidomos anën e tij afetare apo paradigmën e idhujve pa krena. Te Migjeni gjen figura dhe metafora niçeane. Kjo nuk ka asnjë dyshim. Nëse Fan Noli përktheu fragmente të “Kështu foli Zarathustra” të Niçes, madje shkroi dhe ndonjë artikull për Niçen, në krahasim me Migjenin është më pak niçean. Migjeni është më në zgribë. Ai adhuron formën niçeane por është I dyzuar në përmbajtjen e saj.

Pyetje: A e keni parë në librin tuaj Migjenin si\ qenie njerëzore dhe njëkohësisht si një qenie letrare?

M.Zeqo: Kryesisht si qenie letrare. Migjeni I pavdekshëm është qenie letrare. Qenia njerëzore është e vdekshme. Por megjithatë midis tyre nuk ka një kontrast. Pse nuk ka një kontrast. Sepse është pikërisht ekskuziviteti i qenies njerëzore, si qenie e papërsëritshme në ndjeshmërinë dhe perceptimin e saj që ka përmbajtësuar qenien letrare. Kuptohet që për studiuesit qenia letrare është më e rëndësishme. Ç’të themi për 27 vjetët e Migjenit? A mund të kishte rrojtur më shumë? Biografët kanë të drejtat e tyre për të hulumtuar por gjithmonë brenda për brenda limitit të moshës. Në këtë rrafsh kujtimet e atyre që e kanë njohur Migjenin kanë një rëndësi relative, pavarësisht detajeve nganjëherë interesante. Është botuar një përmbledhje antologjike me kujtimet e bashkëkohësve për Migjenin. Duke i lexuar me një sy të thugët këto kujtime shoh me tëpër anën emocionale njerëzore por jo kuptimet e thella ndaj personalitetit të Migjenit. Emri i Migjenit ka ngjalluar një nderim, pa qenë asnjëherë idolatrin. Shumë nga takimet që përmendet në këto kujtime janë shkruar virtualisht më vonë, kurse disa nga takimet të ndonjë autori nuk kanë ndodhur asnjëherë. Do të ishte interesante nëse do të kishte ditare ose letra autentike të këtyre bashkëkohësve.

Por ja që nuk ka. Ka një lloj korrespodence, një epistolar jo të madh, disa shënime në Postën e Redaksisë të revistave “Ylliria” dhe “Bora e Re”, disa shkresa formale të administratës arsimore por ka shumë fotografi të Migjenit të cilët mund të formonin një album që ka një karakter absolut dokumentar. Ndonjë autor serioz si intelektuali Jakov Milaj është më i besueshëm dhe më i vërtetë. Në kujtimet e Jakov Milajt do të vija në spikamë një dëshmi të tij tepër të veçantë kur ai shkoi për ta parë Migjenin dhe fshatin Torre Felliçe në krahinën Valteza. Ja një pasazh i përjetuar: “Në një luginë të alpeve i rrethuar me pisha dhe drurë të tjerë dhe i mbushur me hotele dhe sanatoriume ishte Torre Pelliçe. Kishte disa kisha por dhe shumë kryqe në pullazet e tyre. Ishte qendra e një sekti kristian, që kishte thyer kanunet kanonike që në Mesjetë dhe prandaj ndiqej nga Vatikani, si dhe nga Sovranët e Francës dhe të Italisë, që ishin nën ndikimin e tij. Për të shpëtuar nga përndjekjet, popullata ishte strukur në këtë luginë. Migjeni u vendos në një sanatorium valdez”. Pra, nuk ishte një sanatorium katolik. Kjo mund të ketë qenë dhe e rastësishme. Por është tepër interesante të them diçka për herezinë mesjetare që njihet në historinë evropiane si herezia e vandalezëve ose ndryshe Varfanjakët e Lionit. Ata ishin ithtarët e njërës nga lëvizjet reformiste të krishterë që në vitin 1176 në Lion të Francës e themeloi tregtari Petrus Valdus. Ai vdiq në vitin 1209. Ky njeri u mbështet te fjalët në Ungjillin sipas Mateut “Jezusi I tha: N.q.s do të angazhohesh tërësisht atëherë shite të gjithë pasurinë tënde, jepi të holla të varfërve dhe do të gjesh te Zoti pasurinë që kurrë nuk humbet. Pastaj eja pas meje.” (Mateu 19-21). Petrus Valdeus e shiti pasurinë e tij, të hollat ua dha të varfërve siç kishte thënë Jezusi. Kjo bëri një përshtypje të madhe.

Atij ju bashkëngjitën shumë të krishterë jo vetëm nga Franca, por edhe nga Italia, Spanja, Gjermania, Bohemia. Thelbi i doktrinës fetare të Valdanizmit e përbëjnë këto pohime: “Papa nuk është përfaqësues i Jezusit, por i Satanait, lutjet fetare që bëhen në shtëpi janë të vlefshme sikurse ato që bëhen në kishë, fuqia shpirtërore e Ipeshkëve nuk është më e madhe se ajo e njerëzve të thjeshtë, sepse kjo fuqi shpirtërore i është dhënë të gjithve njësoj nga Jezusi, nuk duhet përkulur përpara ikonave, duhet refuzuar çdo luftë dhe kryqëzatat dhe Shkrimi i Shenjtë duhet përkthyer në gjuhët amtare. Kuvendi i Veronës që u mbajt në 1984 e shpalli vandalizmin herezi të rrezikshme për kauzën e kishës katolike romane dhe anatemoi. Në 1209 Papa Inoçenti III organizoi nje kryqëzatë të veçantë kundër vandalezëve. Këta të fundit u tërhoqën në Zvicër dhe në veri të Italisë. Në Zvicër valdanezët vendosën një lidhje miqësore me protestantët. Në 1532 valdanezët u konstituuan si degë e kishës reformiste me emrin Kisha Evangjeliste vandaleze, që deri në ditët e sotme tubon rreth saj afro rreth 50 mijë ithtarë, shumica dërrmuese e të cilëve afro 30 mijë jeton në Itali”. Në kohën që Migjeni ka shkuar në Torre Felliçe popullata e vendit i takonte këtij sekti heretik. Kjo hullësi është tepër interesante për të pasur parasysh atmosferën e ditëve të fundit të Migjenit.

 

 

Moikom Zeqo dhe gazetari pukjan Armir Mehaj

Pyetje: Ju i nderuar Moikom besoni se migjenologjia është një disiplinë e kritikës letrare e cila do të tërheqë interesimet shkencore të studiuesve për shumë kohë?

M.Zeqo: Unë nuk jam shumë entuziast ndaj kritikës letrare, sepse i besoj më shumë teksteve të mirëfillta letrare dhe jo shpjegimeve të tyre nga kritikët. Kritikët për mua janë nga raca e teologëve që rreken dhe sfiliten për të bërë shpjegimin e ungjijve sinoptikë. Për tekstin letrar vlen thënia latine “Quot scripsi, scripsi”, pra “ajo që u shkrua u shkrua”. Çdo koment mbi tekstin letrar ka dozën e subjektivitetit. Përmenda më sipër Kunderën dhe librin e tij “Testamentet e tradhtuara”. Në këtë libër ai kritikon kafkologjinë, pra studimet mbi Franc Kafkën, të krijuara nga Maks Brodi, miku i afërt i Kafkës që e bëri të njohur Kafkën në formën e një teologjie duke fshehur dhe duke mjegulluar të vërteta shkencore, sipas praktikës “Çdo kishë ka apokrifët e vet”. Kriticizmi i Kunderës për kafkologjinë është një shëmbëlltyrë. Studiuesit e së ardhmes për Migjenin duhet ta kenë parasysh edhe këtë shëmbëlltyrë. Shumë nga studiuesit shqiptarë kanë merita të padiskutueshme për studimin e Migjenit. Nuk po i përmend emrat e tyre sepse janë në librin tim. Por meqenëse në këtë intervistë unë po ju M.Zeqom pyetjeve për librin tim dua të them se në parafjalën e librit i kam shpjeguar pse ky libër duhet kuptuar më tepër si frymë, qoftë dhe në hulumtimet dhe zbulimet e mia shkencore për Migjenin dhe pse nuk ka një formë akademike të rëndomtë. Por lexuesit janë ata që do të bëjnë ballafaqimin, jo unë.

Pyetje: Në një nga shkrimet e librit i quajtur “Mbi ujërat e Amëshimit” ju përshkruani një subjekt sipas një fabule të Franc Kafkës. Në breg të ujërave duket sikur shikoni një varkë ku janë
dy silueta: gjahtari Grakst dhe Migjeni të cilët pas vdekjes në vend që të lundronin me varkën e Karontit për t’i çuar në hadin e vdekjes u ndodhën në varkën e gabuar pa timon, pa drejtim, që udhëton në ujërat e amshimit pa shkuar asnjëherë drejt vdekjes. Është pak befasuese ose ndoshta surreale që në varkën e gjahtarit Graks të njërës nga prozat më tronditëse të Franc Kafkës ju vendosni edhe Migjenin, duke bërë një shqiptarizim të subjektit. Çfarë është kjo në të vërtetë: një trill, apo një ide studimore?

M.Zeqo: Është edhe trill edhe ide studimore, për të bërë të mundur të kuptohet një mbivendosje më e besueshme në ekspresionizmin evropian jo vetëm të Franc Kafkës por në disa kuptime në dukje të parë shumë modeste të Migjenit. Kuptimi metaforik, që Migjeni i vdekur nuk shkon asnjëherë drejt vdekjes përfundimtare besoj se nuk çudit më asnjë njeri.

Pyetje: Ndoshta më e kuptueshme është teza juaj që Migjeni është një shkrimtar pa paraardhës. Por teza që Migjeni është një shkrimtar pa pasardhës duket pak e skajshme apo jo?

M.Zeqo: Të dyja tezat e mia kanë baza kontekstuale. Nëse them që në letërsinë shqipe Migjeni nuk ka paraardhës, gjë që është e vërtetueshme nuk mund të them aspak që në rrafshin e letërsisë botërore Migjeni nuk ka pika takimi me paraardhës. Të gjithë shkrimtarët e botës kanë në këtë kuptim paraardhës. Xhejms Xhojsi e shkroi Uliksin e tij, por kishte në zanafillë Odiseun e Homerit. Këtë Odise si hero e ka pasur si arketip edhe Fausi i Gëtes. Këto janë gjëra që nuk mund të shmangen. Siç shihet në veprën migjeniane ai përmend luftën e Trojës, Sokratin, Hamletin, Orfeun etj., njëkohësisht ai njeh etërit kishtarë, tërë kulturën e krishterimit por njeh edhe shkrimtarët e mëdhenj të shek. XIX ose të fillimit të shekullit XX. Në rrafsh më
të thellë Migjeni nuk është pa paraardhës. Për sa i përket tezës së ai është “pa pasardhës” këtu dua të vë në spikamë diçka. Është e vërtetë që letërsia shqipe mbas Migjenit gati sa nuk u mor me ankthin ekzistencial të njeriut. Kjo duket në letërsinë programore të realizmit socialist, pavarësisht të disa arritjeve në nivele të larta estetike. Por edhe këto 20 vjetët e fundit substance e ankthit ekzistencial gati nuk perceptohet, ndërkohë që letërsia më e mirë botërore e ka artikuluar për atë që quhet Epoka e Simulacrumit. Por nuk është i kotë shpjegimi se pikërisht fuqia e madhe e veprës së Migjenit buron nga pasardhësit. Po të përdorja një shprehje të Borgesit, Migjeni i krijon pasardhësit, pa e ditur dhe vetë ai. Migjeni është më tepër një çështje e pasardhësve dhe në këtë drejtim ai do të jetë gjithmonë në ballë të habisë dhe kërshërisë. Sepse, Migjeni ka qenë dhe është një univers i hapur.
Faleminderit.

 

 

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*