I nderuar lexues!
Shumë vite më parë kam pasë biseduar me mjaft bashkëfshatarë të cilët kanë ditur shumë gjëra të çmuara për historinë e fshatrave tona, por që nuk jetojnë më, pa folur se edhe sot ka shumë të tillë si në Arst dhe në Miliska, që janë thesar i çmuar për historinë tonë.
Këtë që fillova ta bëj unë, padyshim që mund ta bënte shumë mirë cilido nga intelektualët e fshatrave tona. Ashtu siç, mund të fillonte një tjetër, e mora unë këtë nismë dhe po botoj një libër me mendimin se bashkëfshatari ynë do të kënaqet sadopak duke patur në dorë historinë e fshatit të vet.
Nga cilido prej jush do të shtrohet një pyetje: Përse janë përfshirë në një libër edhe Arsti edhe Miliskau! Kjo për mua ka një domethënie të madhe, pra ka një shkak. Dhe nuk është çudi që unë të dal me pretendimin se këto arsye është shumë e vështirë t\’i gjejmë tek fshatra të tjerë.
Së pari, dy fshatrat tona, pra dy familjet e para që u vendosën këtu, janë të një gjaku, axhë dhe nip. E si e tillë marrëdhëniet midis tyre gjithmonë kanë ruajtur ato të vllazërisë, të gjakut.
Së dyti, duke qënë edhe kufitar me njëri-tjetrin dhe në marredhënie të përditshme midis tyre, nuk ka ndodhur asnjë vrasje ndërmjet njëri-tjetrit, që kur u ngulën dy familjet e para në këto teritore para viteve 1500. Por jo vetëm vrasje. Historia e fshatrave tona nuk njeh të ketë ndodhur rrahje midis tyre. Nuk ka ndodhur kurrë që t\’i kenë kërkuar njëri-tjetrit peng në bazë të kanunit apo të kenë kërkuar t\’i bëjë be për ndonjë pabesi apo padrejtësi.
Së treti, midis fshatrave tona ka ekzistuar një kumbari e pashoqe. Asnjëherë gjatë kësaj historie mbi pesë shekullore, nuk është cënuar kjo kumbari. Aq e fortë ka qenë ajo saqë edhe në Kaçanik, ku ka shumë bashkëfshatarë tanë sot thuhet: \”Pasha shejtin e Shengjon që ka Arsti me Miliskaun\”. Duke e quajtur besnikërinë ndaj kësaj kumbarie si gjënë më të shtrenjtë.
Së katërti, historia e luftrave të fshatrave tona ka qënë gjithmonë e përbashkët kundër çdo pushtuesi. Një zë të vinte nga fisi dhe do të ishin të gjithë sëbashku përballë armikut.
Së pesti, Arsti dhe Miliskau kanë një kishë të përbashkët që në vitin 1500 dhe deri në ditët e sotme. Eshtrat e të parëve tanë prehen përbri njëri-tjetrit për pesë shekuj me radhë.
Së gjashti, dy fshatrat tona që në vitin 1946 kanë hapur shkollën e parë sëbashku dhe vetëm dy vjet është ndarë deri në vitin 1990, kohë kur ndodhi përmbysja e komunizmit.
Së shtati, janë këta faktorë që, edhe në vitin 1998 shumë familje nga këto fshatra u shpërngulën dhe u vendosën në Krujë (Kodër Thumanë) duke krijuar fshatin e ri me emrin Arst-Miliska. Pra ja që për pesëqind vjet fshatra kufitare dhe arrijnë që këto familje të bashkohen në një fshat të vetëm. Dhe po këto familje bënë barangën me dërrasa dhe hapën kishën me emrin si në vendlindje: Kisha e Shëngjonit.
Besoj se këta faktorë që theksova mjaftojnë për të na bindur se edhe historia e tyre nuk mund të ndahet. E për këtë duhet të jemi të gjithë kryelartë. Shumë bile! Dhe kemi të drejtën morale t\’u kërkojmë llogari brezave të tjerë po të cënohen këto marrëdhënie. Se jeta është e gjatë. dhe ajo bëhet gjithnjë e më e bukur me harmoni e mirëkuptim, me tolerancë e besnikëri ndaj njëri-tjetrit.
Tani, pa u zgjatur më shumë, kërkoj një gjë nga ju, nga secila familje që e sheh të nevojshme t\’a ketë një kopje të këtij libri. Në trungun familjar të secilit, më kanë shpëtuar ndonjë emër pa e shkruar që s\’e kam gjetur dot. Do t\’u krijoj mundësi që t\’i plotësoni vetë. Gjithashtu në fund të trungut të familjeve për secilin fshat do të lë dy fletë të paplotësuara por të përgatitura në formën e një formulari me qëllim që, secili nga ju të plotësojë emrat e bijave të martuara dhe të grave nga i ka marrë secili trung. Kështu ju do të plotësoni edhe një boshllëk të punës time.
AUTORI
Leave a Reply