Puka Vendlindja ime

\”Puka Vendlindja ime\” 

Fillimshtatorin e vitit l983, me një ekip sportistësh të Librazhdit, ku asokohe isha me punë, udhëtoja për herë të parë, përmes Pukës, në drejtim të qytetit "Bajram Curri". Ish pragu i fillimit të vitit të ri shkollor dhe në autobuzin tonë të vjetër, që mezi ngjiste të përpjetën e Shupalit duke gulçuar, rrugës kishim marrë edhe disa prindër e nxënës që shkonin nëpër konviktet e shkollave të tyre.

Në vazhdim, teksa sportistet tona, të lodhura e të mërzitura, vazhdimisht pyesnin nëse i ishim afruar Tropojës dhe gjithnjë merrnin përgjigjen se ende ishin në rrethin e Pukës, njëri nga pasagjerët i relaksoi me këtë anekdodë:

– Një mërgimtar i vjetër ish nisur prej larg për në vendin e të parëve të vet në Tropojë dhe, mbasi kish kaluar rrethin e Shkodrës, kur pyeste dhe merrte gjithnjë përgjigjen se ende ish në rrethin e Pukës, kish thënë: "Po pse thonë që është e vogël Shqipëria?! Vetëm Puka dhe sa e madhe që qënka!…"

Edhe pse jam një amator i përkushtuar i gjeografisë, gjithnjë e më tepër po provoja sa i gabuar kisha qënë në përfytyrimet e mia me bazë vetëm të informacioneve në distancë…

Shtoju këtyre edhe ndonjë anekdodë tjetër pejorative për këtë trevë nga fqinjët e vet, e pse jo, edhe komentet e pasakta nëpër tekste shkollorë vite me radhë për raportet e poetit tonë të madh Migjeni me këtë rreth, del në përfundimin se përgjithësisht kemi informacion të pasaktë dhe të cunguar për këtë zonë qendrore të Veriut të Shqipërisë, që dikur është quajtur Malësia e Dukagjinit.

Prandaj ndjen kënaqësi dhe joshesh me informacionin e saktë, e pse jo mjaft të bollshëm dhe të larmishëm, sadoqë të sinkronizuar në pak faqe, që merr prej librit "Puka, vëndlindja ime", i dyti i kolanës "Vendlindja ime" që shtëpia botuese "Erik" ka filluar të verë në dispozicion të nxënësve dhe mësuesve të ciklit të shkollës nëntëvjeçare duke u krijuar kështu mundësira t’i mbushin kualitativisht hapësirat boshe në orët që ata kanë në dispozicion për forcimin e procesit mësimor dhe edukativ në shkollë. Autori i këtij botimi enciklopedik Riza Tafilaku, e ka shoqëruar atë edhe me një variant praktikumi (një lloj fletoreje pune) më të përmbledhur dhe me hapësira vetëvepruese, si për mësuesin, ashtu edhe për nxënësin, herë në formë lojërash, herë alternativash, herë në formë konkursi për klasat e ciklit të ulët. Ky variant tashmë me bashkautore Flora Gjonin.

Te ky botim janë harmonizuar shkencërisht dhe estetikisht njohuritë për gjeografinë, historinë, për traditën e edukatës shoqërore, për veçoritë e gjuhës, për krijimtarinë e gjithanshme, për artet figurative, muzikore, për veçantitë e natyrës, për traditat sportive, për popullsinë, ekonominë, arsimin, turizmin, për bujqësinë në të gjitha dimensionet e saj, për industrinë, për gjuetinë dhe peshkimin, për zejet, etj. Pra na paraqitet kjo trevë shumëplanshe siç është në gjithanshmërinë e vet.

Lexuesi do të befasohet me të dhënat për këtë rreth, që nga ato për historinë e lashtë të vetë emrit Pukë, interpretuar duke iu referuar personaliteteve më të njohura shkëncore, europiane dhe shqiptare, si Hani, Nopça, Frang Bardhi, Eqerem Çabej etj, deri tek evenimentet që ka shënuar në kohët e sotme, si ai i alpinistit Përparim Laçi, emri i të cilit tashmë është shënuar në librin e alpinistëve më të spikatur botërorë, sepse është ndër ata që ka pushtuar majën më të lartë të Botës, Everestin, në Himalajë, eveniment ky që s’është rastësi, por rrjedhojë e terrenit që të ofron alpinizëm cilësor me malet interesantë pranë qen- drave të banuara si Munella, Tërbuni, Kunora e Dardhës, Strame, etj. Po ashtu do të të pasurojë horizontin e vet kulturor enciklopedik me të dhënat e spikatura për monumentet e shumta historike që përfshin brenda si kala, ura, institucione kulti, çezma të hershme punuar me shijë, për monumentet e natyrës, si shpella, pemë të rralla shekullore, pë kafshët e rralla, e pse jo, edhe për traditat specifike në bujqësi dhe pemëtari, të cilat qysh tani, por veçanërisht në të ardhmen, do të ofrojnë mundësira në ndihmë të llojeve të ndryshme të turizmit.

Veçanërisht të bie në sy paraqitja e relievit, që të krijon përshtypjen se është nga më interesantët në gjithë rrafshin shqiptar. Sepse rrallë ndodh që t’i kesh brenda një treve malet e spikatura me gjithë resurset e tyre që ngërthejnë brenda, lumenj kryesorë dhe basene ujëmbledhësish të krijuar nga tre prej hidrocentraleve më kryesorë të vendit tonë (Fierzë, Koman, Vau i Dejës), për rrjedhojë dhe pasuritë ujore të tyre etj.

Nëpërmjet punimit informohesh se ky rreth, sado që ka provuar emigracionin dhe migracionin e brendshëm, ende është i populluar në mënyrë të barasvlefshme në gjithë territorin, ndryshe nga zona të tjera malore të vendit tonë që thuajse janë çpopulluar. Këtë e dëshmojnë faktët që referohen në këtë botim enciklopedik në ndihmë të shkollave se ka ende një popullsi të konsiderueshme me mbi 50000 banorë, se degët e ekonomisë po ripërtërihen, paralel ato të traditës edhe ato më të rejat, si prodhimi i birrës, përpunimi i peshkut, i rrushit dhe i frutave të shumllojshëm që i parapëlqen klima e asaj zone, etj. Kjo jep garanci që në të ardhmen kjo trevë do të jetë e lakmuar nga turistët, të cilët kanë ç’të presin prej saj.

Punimin e bën edhe më tërheqës kombinimi harmonik dhe cilësor i tekstit të shkruar me fotografitë dhe veçanërisht me hartat profesionale të detajuara sipas destinacionit të këtij botimi.

Nga: Çelik Petriti 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*