Nga Fran Ukcama
Në këtë mëngjes jam spërkatun në faqe e sy me ujë të bekuar. Mëngjes dimri 2008, në Fier kam rënë në meditime. Kam përpara një copë letër të zverdhun pak nga vitet, si lepushkat e panjës, me gishta të shpupurishur nga era në Koren e Mërturit, a malin e Qyqefit. Është relikë shpirti, djergun nga viset tona. Letra e zhubrosur pak si balli i një malsori me vada rrudhash. Dhe ai e din se ç’ka përcjellë në pak radhë…
Është mushti që doli para dhjetë vjetësh, kur i befasuar shtrydha në një ditë vjeshtore poezitë e një autori në tinarin e trurit tim. Është esenca e verës së mrekullueshme që hyri në kantinën e zemrës sime. Është rast i spikatur, çast fatlum, pragguri që vë themele, në miqësinë mes krijuesish, kur njeh arat e lëvruara, prodhimet e mbara; e vonë, shumë më pas takon lavërtarin (bujkun).
Kështu ndodhi me mua. I hallakatun nëpër shtigjet e Athinës, përpiqesha si ardhëtar i ri në këto anë, të kapja lidhjet, konopët e fortë të krijimtarisë. Shpirti i çdo mërgimtari është si shpellat e shkreta që në zbraztinën e tyre lëshojnë shungullima të zorituna vetmuese, në kërkim të rimbushjes me ujin e jetës, a kërshat e shpirtit. Kërshat e shpirtit më mungonin në zgafellën e dhembjes. Miku im, shkrimtari dhe poeti Myslym Maska, nën avullnajën e rakisë më ofroi dy libra duke më prezantuar thjesht, pa hyrje, por me kontekst të vendosur e besimplotë. Janë librat e një poeti nga Puka, janë krijimet mjaft të veçanta të Ton Zmalit.
Ton Zmalit?! Emri i Ton Zmalit, mbiemri që përkonte me emrin e babait tim. Në ato kohra, brenda labirinthit të kontinentit si një parcekë, që quhet tru, kisha do garramete të kotësëkotit, që më mundonin.
Në atë përleshje biblike trunore, hyni si freskia era e jugut, që shpërthen sythat në degët e qershisë. Në dorë mora "Lulet e Ksenit" dhe "Dashuri të Pashijara". I përpiva për dy tre ditë. U riktheva pas ca ditësh, si kërkimtari në maja e gërxhe, ku kërkon shqerrat e humbura në mallim. Kërkon për t’i mbledhur dhe njëherë, kërkon kumbonën dhe blegërimën.
Në udhnajën e poezive, vargut e motivit gjeta arsyen për të kuptuar vrullin e shpërthimit, dufin e frymëzimit, vlagën e krijimit të mirfilltë e në liri. Tek ky thelb, tharmi poetik më rrëmbeu e nga larg hodha në pak rreshta mbreasat e mia që edhe sot, pas dhjetë vjetësh feksin në rrezatim e vesim pranveror.
Unë, miku im Ton, tani po shfletoj atë pra, gjethen e drunin e panjës, aty rikujtoj vargjet e asaj poezie. Asokohe, kjo poezi u botua në Gazetën e Athinës, nga zoti Robert Goro, poeti, shkrimtari dhe gazetari i BBC-së në Athinë, Ofiqet pararendëse të tij, nuk do të zinin vend te oxhaku i zemrave krijuese po të mos ishte dhe shpirtbardhësia dhe respekti i tij për krijuesit. Edhe me zotin Robert u njohëm nga afër pas botimit të vjershës dhe pikërisht tek klubi i Teli Zahos, futbollistit të shquar të skuadrës "Partizani". Në nderim të krijimtarisë suaj dhe të njohjes sonë, unë po e hedh poezinë nën këto radhë. Edhe sot ajo na ngjall shumë kujtime e mbresa që kaluam sëbashku për pesë vjet në Athinë. Kjo poezi u bë nyje në kërrabën që lidhi "bashkën" e krijimit, mendimet tona të përbashkëta në dushknajën e viteve. Poezinë po e ripërsëris origjinale siç u shkrue para dhjetë vjetëve e në Athinë.
Pas leximit të krijimtarisë së poetit Ton Zmali
Rrokem befas me do libra,
Bjeshkë gëzimi, liqen-hallesh,
Rrokje, vargje, ortek dirgjen,
Ortek bore, në një rrgallë
Shungullohen vargjet shkrepa
Do në lugje, do në erë,
Mbes si zogu i trishtuar,
Ata ikin, pas poterë!
Me piskamë, me vetëtimë
(Rrezebora në sy flet)
Mes lajthisë, si ujë gurreci,
Përbiroj mos gjej ndoj shteg!
Flas me mizat, gurgullisem,
Bëhem bujtës në shpellë ariut
Në gji më merr Malësia djep
Krah e qafë, i hyp Veriut
Fryn Veriu, Gjogu i egër,
Majë kreshtash, ku me len
A mos bëhem ujk i çartun,
Zog shqiponje, a mos Dren ?!
Simbolet e malit e majave, si musht me borë me bredh e ah, si ato me qelq, ajër e rreze si të shndritshmet dhe të pashndritshmet bartin genin filozofik të krijimit.
Unë të kam përfytyruar ty, heronjtë e tu, motivet në kapërcyej shekujsh, nga betejat mendore biblike deri te të sotmet kozmike. Të kam parë në kapërcyej shekujsh e vitesh, mveshur me metafora, në trehapsha kreshtë më kreshtë. Një hapshi sa trehapshi majë-majë është tendencë e ngjitjes në vijën tënde paralele, në ligjin e dëshiruar të moscikjes, mosimitimit.
Zgafellat, honet, humnerat, askundet i përplas për të ekspozuar shumë ç’ka të mbetun në shoshën shekullore dhe atë pesëdhjetë vjeçare të epokës së ngurtësimit akullor, për të mos u harruar si muzeale në kumtime breznish e ardhmërish.
Honet e Askundit, që si më shumë krijues, edhe me mua, i ke hallakatur, shprishur, tjerrur e thurur, duke lehtësuar me zell e pasion. Por unë po të rikujtoj një thënien time një paradite përpara Muzeut të Athinës. Ulur në nji stol nën hijen e nerënxave të thashë:
"O Toni, në m’i jep për të lexuar poezitë, jam i bindur sado të themi ndonjë fjalë, pak ke për t’i prekur vargjet e tua".
E ti m’u përgjigje: "Pasha bukën, i ke ranë në ta!".
Në fakt ne qeshëm atë ditë e shamë të tjerë. Kjo vlen për pak humor. Duke shkruar tani, më shfaqesh përballë në odën time, në Fier. Ti, Ton, në krijimtari e ndien dhe respekton mendjen e tjetrit, por të pëlqej dhe përqëndresën në gjollët e kripës tënde. Në mrizin tënd, ndihesh ogiç i plotë.
Ti, si një krijues i lirisë paskomuniste, hyre në hullitë e antirecetave. Recetat në fakt vlejnë për të sëmurët, për shërim. Në rastin krijues receta të sëmur. Dhe unë jam i bindur që ti, o Ton i Mërturit, Kokdodës e Iballës, dhe unë në Mërturin tjetër, Drinin kemi në mes. Po kemi një tjetër Drin drite e dashurie. Ti o Ton, as nuk shet, as nuk ble receta. Bash për këtë farë krijimi të nderoj.
Edhe për "Engjujt pa qiell", me gjithë ç’është thënë e shkruar, ç’kemi kuvenduar e heshtun, prap mbetem në respekt të këndvështrimit tuaj lirik shpirtëror.
Në kahjen tuaj fluturuese tokësore e qiellore, ju jeni shpendi i mos-hyrjes në hise, i mosqasjes në sinorë, i kërkimit të folesë tënde. Rruga, hapi, krahu, flatra, cikërrama, shtegëtimi, është zgjidhja e juaj. Mirazhi, nën mjegull a mbi jezer është i kjartë; kjo për mua është bashi i rakisë në kazanin krijues, në mesazhin përfitues dhe pasqyrues në kundraroman. E unë, duke kujtuar do vargje që t’i thoshja dikur, po veçoj:
Ca i bien daulles, ca i bien defit.
Unë shkruaj librat për kokërr të qefit …
Vargu, tregimi, romani dalin nga gulfi shpirtnor. Kur tinari i rrushit shkumbëzon nga mushti në vjeshtë, atëherë, veç atëherë, lëngu i kuq ose i verdhë ku enden bletët, nis e kthehet nëpërmes tubit të ftohsit në rruzara të kristalta rakie që dhe dreqin e hedhin në valle… Ky është sekreti. Kjo është magjia, miku im. Unë sot iu luta engjujve të mi të më japin dy-tre orë kohë. Ata u nisën në lëndina të luajnë me shqerrat. Unë hodha këto radhë në nderim të krijimtarisë suaj. E prapë se prapë, mendimet më vijnë turrevrap, sepse krijimtaria juaj është e gjërë në hapsirë dhe kohë, por unë në gjogun tim të kujtimit po rend me të katra, revan në shtegun alpin të krijimit. E përsëri pyes veten: Ujk i çartun, zog shqiponje, apo Dre me brirët gërimça-gërimça si degë.
Zoti Toni, në kontinentin trunor, tokësor e jashtëtokësor të krijimit, me lejen e engjujve të mi, përsëri i rikthehem kërkesës për të rimarrë nënshtetësinë e shtetparajsës qiellore të krijimit, në gjithëkundin dhe askundin e betejave të tundimit. Duke rendur për në ato visare, duke lënë pas hallakamën e përditshme të mosjetës, shpresoj se në çdo kodër, sukë, krua, gurrë, gjollë, qafëkalim, kushtë, ortek e bornajë, do rrokem me vargun "TONZMAL". Me vargun e rreshtun e simbolit "Ton Zmal" do të kalojë humnera e male dhe nesër por dhe mbasnesër. Mbasneserja stacion krijimi i ri.
E Premte, 04 Prill 2008
Leave a Reply