\”Kultura e Komanit\” është kultura e një populli që në shek. VI-VIII ishte në kapërcyell të dy epokave, nga ajo e vonë antike, në periudhën e hershme mesjetare. Tipologjia e varreve, orientimi i tyre, inventari i armëve, i veglave të punës dhe i stolive, me praninë e elementëve të shumtë të simbolikës ilire, e lidhin \”Kulturën e Komanit\” me të kaluarën ilire të këtyre trojeve dhe me banorët e lashtë të tyre, ilirët.
Por, përveç elementëve të vazhdimësisë ilire, \”Kultura e Komanit\” përmban edhe elementë të rinj, që lidhen me periudhën e hershme bizantine. Durrësi, baza më e rëndësishme e Perandorisë Bizantine në perëndim, ishte qendra nga ku në thellësi të trevave shqiptare mbërrinin importet dhe, në përgjithësi, ndikimet bizantine. Këto të fundit shquhen qartë në disa grupe stolish, si tokëza rripi, brosha të praruara, vathë etj. Por, mbi të gjitha, ndikimi bizantin materializohet në elementë të artit, pra dhe të besimit kristian. Të tillë janë vathët me motive palloi, skena të Eukarestisë ose unaza me formula e lutje të krishtera.
Ndërkohë që në shumë nga stolitë e gjetura në varrezat e \”Kulturës së Komanit\” dallohet qartë mbijetesa e motiveve pagane (p.sh. disku diellor), prania edhe e motiveve kristiane dëshmon se bartësit e \”Kulturës së Komanit\” kishin përqafuar, ose ishin duke përqafuar, besimin e krishterë. Në këtë kohë, pra në shek. VI-VIII, krishterimi, i përhapur nga qendrat urbane, si Durrësi, Shkodra, Ohri etj., kishte mundur të depërtonte edhe në zonat e brendshme rurale, ku dëshmohet \”Kultura e Komanit\”.
\”Kultura e Komanit\”, qoftë në trashëgiminë e saj të kulturës së lashtë ilire, qoftë me elementet e reja të periudhës së hershme bizantine e, në fund, me shenjat e qarta të besimit të krishterë, është specifike për hapësirën ku dëshmohen shqiptarët në mesjetë. Ajo i dallon në mënyrë të qartë, bartësit e saj, shqiptarët, nga fqinjët e tyre të rinj e të vjetër, sllavët e grekët.
Leave a Reply