Ai më quajti Gjergj

Migjeni nderohet me \”Nder i Kombit\”. Nipi i tij, Gjergj Pero, rrëfen jetën e poetit nën kujtimet e së ëmës. Një pjesë e relikeve të Migjenit, që familja ia dorëzoi shtetit më 1961, ka humbur

Jovanka i rrëfente shpesh kohët kur e gjithë familja mblidhej në atë shtëpi të vogël dhe këndonin. Me gishtërinjtë e hollë Milloshi (Migjeni) i binte lehtë kitarës duke shoqëruar tingujt me zërin e tij. Asokohe familja ishte e lumtur. Varfëria ende nuk kishte mundur t‘i merrte të zotët e shtëpisë dhe fëmijët endeshin sa te një dajo te tjetri. Migjeni ishte një fëmijë i brishtë, me një fizik të dobët, por me një fuqi të çuditshme brenda tij për ta dashur artin. Luante futboll, lexonte libra dhe i binte kitarës. Ky është Migjeni që Gjergji (nipi i tij) ka njohur nëpërmjet rrëfimeve të së ëmës (Jovankës). Kjo grua, që fati iu desh të martohej herët që në moshën 19 vjeçe, pas humbjes së prindërve iu përkushtua rritjes së fëmijëve të saj, ku më i vogli ishte Gjergji. Sot Gjergji është një burrë në moshë. Jovanka nuk jeton më. Ai ka sy thellësisht blu dhe ndjehet krenar që është pinjolli i familjes së poetit të madh. I veshur me një kostum ai ka udhëtuar nga Shkodra drejt Tiranës për të marrë pjesë në konferencën e zhvilluar dje në Akademinë e Shkencave me rastin e dhënies së titullit \”Nderi i Kombit\” për Migjenin.

Nuk gjen fjalë të përshkruajë mirënjohjen ndaj këtij vlerësimi, dhe pse mendon se ky titull ndoshta duhet të ishte dhënë më parë dhe kjo ceremoni mund të ishte bërë dhe në qytetin e Shkodrës.

Emrin e tij Gjergj ia ka vënë Migjeni. \”Këtë emër ma ka vendosur vetë Migjeni, kur kam lindur, edhe pse unë realisht nuk kam mundur ta njoh, pasi isha 2 vjeç kur ai u nda nga jeta\”, thotë ai.
Në familjen e Jovankës fëmijët janë rritur me dashurinë ndaj dhjetëra vargjeve të lëna pas nga daja i tyre. Edhe pse sot gjallë ka mbetur vetëm Gjergji, të gjithë dinin përmendësh vargjet e shkruara me aq forcë nga i pari i tyre. Por cilën poezi do të veçonte ky burrë nga moria e atyre që shkroi Migjeni? \”Janë të gjitha të mrekullueshme, por ‘Poema e mjerimit‘ është e jashtëzakonshme\”, thotë ai.
Një nga brengat e Gjergjit është pikërisht mënyra sesi shteti është sjellë me reliket e Migjenit. Në vitin 1961, kur u krijua në Shkodër shtëpia muze e Migjenit, ai mblodhi të gjitha reliket e lëna pas nga daja i tij dhe ia dorëzoi shtetit. Aty ishin të gjitha ato orendi të thjeshta që poeti kishte mbajtur deri në moshën 27-vjeçare, kur u nda nga jeta. \”Kur u krijua shtëpia muze në vitin 1961, unë dhe babai i Angjelikës (mbesa e Migjenit) ia dërguam të gjitha reliket e domosdoshme shtetit të atëhershëm. Me ndryshimet e sistemit, shtëpia muze iu dorëzua pronarit, ndërsa reliket u depozituan në Muzeun e Shkodrës. Por ambientet ku u lanë këto relike nuk ishin fort të përshtatshme. Disa janë ruajtur, disa të tjera nuk janë më. Nuk kam inventar t‘ju tregoj, por mund të them se janë prekur gjërat e tij. Unë i kam kërkuar tre herë Ministrisë së Kulturës që nga koha kur ishte ministër Teodor Laço të më ktheheshin këto relike si trashëgimtar i tij, por nuk kam marrë përgjigje. Kjo pasi nga shteti nuk kam marrë asnjë shpërblim për to\”, thotë ai.

Më 27 gusht mbushen 70 vjet nga vdekja e Migjenit, çka do të thotë se trashëgimtarët humbasin të drejtën e autorit për veprat e tij, dhe kjo e drejtë i shkon shtetit. Vetëm pak kohë më parë në Parlament, me iniciativën e deputetit Neritan Ceka, u propozua një projektligj që familjet e shkrimtarëve si Kuteli, Fishta, apo Migjeni të merrnin kompensim të të drejtës së autorit për këto 70 vite që nuk kanë mundur ta posedojnë këtë të drejtë, duke pasur parasysh sistemin totalitar në të cilin ishte vendi.

Gjergji thotë se ky projektligj është i drejtë dhe nuk është dakord me kundërshtinë që i bënë këtij projektligji në Parlament.

Nga viti 1968, deri më ‘90-ën, familja nuk ka pasur të drejtën e autorit sipas ligjeve të shtetit të atëhershëm. Për Gjergjin kompensimi i këtyre viteve do të ishte diçka më se e drejtë.

Familja mund të përcjellë vetëm kujtimet mbi djaloshin elegant që solli një frymë tjetër në letërsinë shqipe të viteve ‘30-të. Dhe pak ditë dhe gjithë të drejtat mbi të do t‘i kalojnë shtetit.

Titulli i djeshëm, \”Nder i Kombit\”, ishte më i larti i akorduar poetit pas vdekjes. Por a mjafton një titull për të nderuar veprën e Migjenit? Çfarë është bërë këto kohë për botimet e tij, qoftë dhe për t‘u përkthyer? Migjeni iku shumë i ri, por la pas krijime sikur të ishte mbi të 50-at? Një foto që Angjelika e tregoi dje para të pranishmëve, tregonte ditët e tij të fundit në Torino, ku dhe dha jetë. Një fytyrë e hequr nga ku thellë dukej një fije shprese. Dhe në momente e fundit të gjithë besojmë se nuk e kemi arritur fundin. Aq më tepër djaloshi që ëndërronte vargjet dhe udhën përmes letërsisë. Migjeni lindi më 13 tetor 1911 në Shkodër, në një familje të varfër qytetare. Dhe vdiq më 16 gusht 1938, në moshën 27-vjeçare, në sanatorium pranë Torinos në Torre Peliçe. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes, më 1928-1932 ndoqi mësimet e mesme teologjike në Manastir. Në vitet 1933-1937 punoi si mësues filloreje në Vrakë, Shkodër dhe në Pukë. Kjo është edhe koha kur zhvilloi veprimtarinë letrare. Shkrimet e para i botoi më 1934, bashkëpunoi në revistat \”Illyria\”, \”Bota e re\” etj. Më 1936 krijimet e veta poetike i përmblodhi në librin \”Vargje të lira\”, që censura nuk e la të qarkullojë. Nga fundi i vitit 1937 shkoi në Itali për t‘u shëruar nga sëmundja e mushkërive. La në dorëshkrim një pjesë të rëndësishme të prozës së tij.

Por bashkëkohësit dhe njerëzit e familjes ruajtën me fanatizëm çdo kujtim për të. Falë tyre sot ne mund të shohim disa detaje nga jeta e një prej poetëve tanë më interesantë. Më vitin 1986 Rasim Juniku shkruante se Migjeni merrte shumë letra. \”Milloshit i vinin letra, që i kishte të shpeshta nga miqtë e shokët. Sa herë i merrte letrat e që zarfet kishin pulla poste me paraqitje nga familja mbretërore, ai menjëherë bënte një lëvizje koke dhe thoshte: \”Ja me çfarë dhurate na vijnë lajmet\”. Këtë e thoshte me ironi.

Në PT kishte një dhomë me oxhak. Aty piqeshin gështenja. Milloshi i kishte shumë merak gështenjat e pjekuna. Përherë ia shoqërojshim me venë të hollë Komani, por safi rrush. Duke hangër gështenja e tuj pi venë, Milloshi ja fillonte anekdotave të krijueme me fjalë të urta me të cilat na kënaqte me gjithë zemër. Një herë i tregova gjestin e Milovës, Maksul Milovës, mësues në Ballsh. Milova në pushim të madh del në oborr dhe ulet pranë mësueses që ishte me sy shumë të bukur. Milova ndez cingaren, po pa e vu re po digjte pantallonat në prehën. Mësuesja e bukur i thotë: \”Zoti Milova u dogje\”. Ky ia kthen: \”U dogja\”. Ajo përsëri: \”Po del tym\”. Ky: \”Tym e flakë\”. Po Milova e kuptoi vetëm kur ia bani me dorë kah pantollonat që po qitshin tym. Milova kapi pantallonat me dorë dhe u largue i turpnuem. Migjenit i mbeti në mëndje kjo histori. Kur vinte më thoshte: \”Rasim u dogje\”. Unë i përgjigjesha: \”U dogja\”. Po Migjeni vazhdonte duke qeshur me gëzim: \”Rasim po del tym\”. Unë: \”Tym e flakë\”. Dhe qeshnim me za, shkruan Juniku.

Interesante janë dhe rrëfimet e nxënësve të Migjenit. Sulejman Asllanaj tregon: \”Kur erdhi Migjeni nji klasë u lirue. Atij për banim me të motrën, mbasi nuk kishin ku ta strehojshin. Por nuk e kuptojshim se si ai banon aty. Kaq kujdes kishte që të ruhet shkolla për shkollë. Migjeni ishte i sëmurë nga turbekulozi. Takoi nji ditë babën kur erdhi në shkollë dhe i tha sikur t‘i siguronte 2 litra qumësht delesh në ditë. Qumështin ia sillsha unë çdo ditë. Mirëpo verës ishte koha e nxehtë. Edhe mund të prishej qumështi. Po e motra për t‘u sigurue më fuste në dhomë dhe e vlonte në sy tim. Mue më jepte nji filxhan qumësht. Mbas disa ditësh Migjeni mi dha paret për qumështin. Unë i mora. Baba më foli. Ishte i mendimit me ia çue falë aq qumësht, mbasi ishte i sëmurë. Kur e takoi baba Migjenin, kërkoi me ja kthye paret, po Migjeni nuk ra dakord kurrë. Baba nguli këmbë. Ma në fund Migjeni ra dakord\”.

Daja im Migjeni

Dajën tim, Migjenin, e kam në kujtesë të gëzuar dhe të dashur shumë me motrat e tij, si dhe me ne fëmijët. I pëlqente të tallej me ne për të na ngacmue. Kur isha në Pukë, më 1936, më tha një ditë që t‘i shkoja pranë se do të dilja në fotografi me të, me Dajën. Më afroi te dritarja. Më ngriti mbi një karrige që të mund ta xirrja pak trupin në dritare. Në këtë kohë për të më ngacmue, më vuni në kokë kapelen. Unë e largova kapelen dhe i thashë se nuk doja me dalë me kapele në kokë. Daja, duke qeshur nuk foli, por ai pa e kuptue unë, ma paska pasë vue kapelen mbi kokë. Unë e kisha mëndjen atëherë te fotografia. Kur erdhi fotografia ma tregoi duke më thënë: Hë pra, ti e hoqe kapelen, por me kapele paske dalë\”.
Nji ditë daja solli ushqimet që kishte ble. Bashkë me to kishte prue edhe një copë basmë. I tha teze Cvetkës: Qepja asaj vajzës që ta tregova\”. E motra Cvetka e vuri mbi maqinën qepse. Nuk ishte hera e parë për të. Në Pukë lueja në oborr me vajzat e shkollës. Ato tregoheshin shumë të dashura me mue. Daja më porosiste të mos pranoja gjë prej tyre, por ato kishin shumë dëshirë të më jepnin ndonjë frut.

Ndonjëherë futesha edhe në mësim, jo vetëm te daja, por edhe te mësues Abdullahi e te Gjyljana. Më pëlqeu ora e mësimit të punëdores me plastelinë. Me aq plastelinë sa kishin nxënësit me një dëshirë të madhe përgatitën një glob për të cilin daja u kishte folë në orën e gjeografisë.

Kur kthehesha në Shkodër dhe mama më vinte herët me fjetë unë sillja në mënd netët në oborrin e shkollës së Pukës me mësuesit ku daja i binte mandolinës dhe të tjerët këndonin.

Marre nga gazeta "SHQIP"

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*