Arti mitik i Lahutës së Kreshnikëve

Nga JAHO BRAHAJ
Përgatitja e dosjes për tu shpallur pasuri botërore “Epika e Kreshnikëve” përfshin edhe traditën dhe ruajtjen e mjeshtërisë së punimit të instrumentit të lahutës, instrument muzikor shoqërues i këngëve të krashnikëve por sepse janë vepra arti të mirëfillta. Nga studiuesit nuk ka patur vemndjen e duhur ornamentika dhe gdhendjet e artit arkaik popullor të figurave mitike në këtë instrument të lashtë shoqëruesi i vetëm muzikor i Epikës së Kreshnikëve. Faktor që na janë ruajtur instrumente muzikore te lahutës me moshë një apo edhe dy shekullore (ndoshta edhe më shumë) janë edhe kulti që kishte ky instrument tek popullsia bartëse e traditës së Ciklit të Kreshnikëve.  Së pari; edhe kur instrumenti muzikor behej i pa përdorshëm nga dëmtimet e vjetersisë, ai nuk thyhej, nuk digjej, nuk tretej (flakej), por ruhej me respekt në ndonjë qoshe të shtëpisë, kryesisht në tavanet e banesës fshatare. 
Per mbajtjen e lahutës kishte rregulla; Ajo varej lart ne nje kunjë, nuk lejohej “ti lëshohej gja për ftyrë”, pra nuk lejohej që në atë kunjë të vareshin objekte ose veshje të tjera përveç saj. Kjo tregon se, sipas mentalitetit-zakon tradicional asaj i ruhej edhe pamja e saj, që në çdo rast të shfaqëj në mjedisin e banimit si ogur i mirë e mbrojtëse nga e keqja, sipas konceptit pagan nga kohët e mugëta të besimeve kultike e miteve. Pra ajo ishte si njëlloj ikone brenda ambjentit të banimit të familjes fshatare shqiptare, ishte një shëmbëlltyrë reale materiale e qenieve mitike mbrojtëse të etnisë tonë.
Duke i vlerësuar këto tabu, që lidheshin me këtë instrument me vlera arti, duhet të kuptojmë edhe më shumë rendësinë që ka gjurmimi dhe vlerësimi i tematikës dhe figurave që janë gdhendur në kokat e këtij instrumenti të lashtë, si pjesë e artit të lashtë kultik të paraardhësve tonë. Nga gjurmimi i kryer dhe fotografimi i shumë prej këtyre instrumentave të vjetër, që ruhen kryesisht ne dorën e rapsodëve dhe të koleksionistëve, pamja është me shumë interes dhe befasuese.
 
                           Fig 1+2, koka lahute me figurën e dhisë së shenjët.
Gdhendja me e zakonshme që kanë lahutat, është koka e dhisë. Është pranuar nga studiuesi, që kjo vjen nga shenjëterimi i dhive të egra briarta, që mbajnë e ruajnë fuqinë e Zanave të mitologjisë iliro-shqiptare, ndoshta pasuese të dhisë Amalte, që ushqente perenditë. Duhet të veme në dukje se kryet (koka) e dhisë është e pranishme në lahutat edhe të popujve të Malit të Zi, Bosnjes dhe Kroacisë, kurse figurat e tjera që po paraqesim këtu, nuk i gjejmë në këtë instrument tek popujt e tjerë të siperpermendur, prandaj kanë vlerë si tipologji të ardhura dhe ruajtura nga trashëgimia shqiptare këtu në krijime të artit të kulturës materiale, ashti si dhe në vargjet e Ciklit Shqiptar të Kreshnikëvë të ruajtura në mentalitetin dhe besimin e qenieve mitike e kultike në mijravjeçarë nga etnija shqiptare. Në gdhendjet me artin arkaik të lahutave kemi dhe figura të sfondit mitik me rol aktiv të zanave dhe orëve të cilat i ndihmojnë, i ruajnë prej rreziqesh, i këshillojnë dhe i mbrojnë heronjët iliro-shqiptar të Ciklit të Kreshnikëve.
                          Ora               “Lahutari”, veper e Gac Zojsit.

Rasti më interesantë është gdhendja e qenies mitike shqiptare: Ora. Orën e shohim të gdhendur në një lahutë të shek. XIX, sipas përshkrimit që ka në tekstin gojor të trashëguar brez pas brezi nga rapsodët. Ora për malësorin e veriut të tokave shqiptare luan një rol të rëndësishëm. Orë kanë fiset, vllazëritë dhe trimat e shquar. Deri në mesin e shek XX malësorët ne mëngjez sapo zgjohen thoshin lutjen: Ndihmo Ora e Fisit.
Kur kreshniku Mujo është i plagosur në luftë të përgjakshme me sllavët , në shtratin e lëngimit e ruajnë Ora, gjarpëri dhe bisha. Kënga orën e përshkruan: 
Te kryet trimit ora po  rrinë,
Gja e vogël Ora që po ishte
Si dy rrfe n’ball dy sy m’i kishte
Dy herë rresht s’mund ta kqyrje.
Këtë figurë mitologjike e hasim të gdhendur në lahutë në skulpturë rrumbullaket me dy sy mbrenda dy unazave, bebja e syrit është në formë maje shigjete, veshë të theksuar, por të dallueshëm si jo njerzor, me një qendrim gati për veprim. Me sa jemi në dijeni ora në këtë lahutë që po paraqesim edhe në foto, ka qenë e shpeshtë në lahutat e bregut të djathtë të Drinit.  Në këtë instrument me traditë të lashtë kemi të gdhendur edhe vetë rapsodin si bartës i këtyre mijëra vargjeve të këtij cikli. Në foton që po paraqesim me këtë subjekt nga një lahute nga malësia e Pukës, vëmë re që tëk figura e rapsodit, sytë e tij janë të padritë, të patheksuar si organ i fëtyrës, por jo me gropëzim, pra pa theks që mungojnë. Kjo është e lidhur me vetë ceremoninë e të kenduarit, ku rapsodi përqëndrohet në botën mitike dhe mistike të këngës me zërin e tij dhe tingullin muzikor të instrumentit. Aty dëgjohet, nuk shikohet. Vlen të përmendet, se është konturuar qartë qeleshja tipike e malësorëve edhe kjo e trashëguar si elementë i veshjes etnike shqiptare nga lashtësia. 
    Gdhendje në Lahutë – Rapsodi.                     Lahutari, veper e Ferdinant Yzeiri.  
                      

                                          Gjarpëri-orë (foto 1+2).

Gjarpëri që e hasim rëndom ne reliev dhe skulpturë në artin ilir e deri në ditët tona, tek lahuta e kemi të nderlidhur me konturet e trupit gjarpër me kokën antropomorfe (njerzore). Fotoja këtu paraqet nje koke lahute te gdhendur. Në vështrimin volumor vëmë re nje mjeshtëri gdhendje që ka një koncept dhe nivel të lartë artistike, megjithse ka dalë nga dora e një amatori. Kjo figurë pasqyron gjarpërin shërues që i mjekon plagët Gjergj Elez Alise dhe Kryekreshnikut Mujo, sipas vetë rapsodive që ruan ku cikël.
Sipas Profesor Zymer Nezirit, këngët e Epikës Legjendare janë monumenti më i madh i poezisë gojore shqiptare dhe ky epos ende bën jetë të gjallë, kryesisht në viset malore në Shqipëri, në Kosovë e në Mal të Zi, ndërkaq për nga forma dhe origjinaliteti ai është një nga eposet e fundit të gjalla në Evropën Juglindore. Lahuta si pjesë e pandarë e ketij eposi është një instrument muzikor i domosdoshëm për gjallesën e ketij Cikli, por është edhe vepër arti arkaik tradicional popullor që mbart subjekte mitike të panteonit të lashtë iliro-shqiptar.
Kjo pasuri artistike skulpturore me tematike mitike e trashëguar nga shekuj e mijëravjeçar, që na ka ardhur me këto objekte muzikore dhe artistike me vjetersi nga periudha e fundshekullit XIX e me parë, besoj se do vlerësohet dhe studiohet për të zënë vendin e sajë në trashëgiminë kulturore të popullit tonë. 
Eshte një teme tjetër ndryshimi i tematikës dhe figurave të gdhendura në shumë nga lahutat e popujve të Ballkanit që nga fillimi i shekullit XX, ndër to edhe nga punuesit shqiptar të lahutave nga mesi i këtij shekulli e në vazhdim.
Fotot: J. Brahaj. 
Gazeta Shqiptare, Tiranë 22 maji, 2011.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*