(Përshkrim i shkurtër gjografik dhe historik)
Dardha shtrihet në verilindje të Pukës, në të majtë të Drinit, përballë Berishës së Radogoshit e Bytyçit (Tropojë), Lugut të Bytyçit. Në lartësinë e udhës automobilistike, nga Qafa e Shkambit vizitorit i shfaqet përpara sysh një fushëpamje madhështore: Qebiku në të majtë të lumit, poshtë Pjashtog (dikur një fushë e gjerë dhe shumë pjellore tani e përmbytur nga Drini), – Bregu i Dardhës me Vaun; Tejdrinja duke filluar me Hasin, Bytyçin, Pla e Gash, Sernica me Krasniqe dhe më në thellësi Alpet.
Dardha pasqyrohet për here të pare në dokumentet osmane, ku del në trajtën Darda. Më 1529 – 1536 shënohet me 13 zjarre (shtëpi). Me 1571 dhe 1591 shënohet me 10 shpi. Siç shihet për 60 vjet nuk ka rritje, përkundrazi pakësim shtëpish. Edhe pas afro nje shekull e gjysmë, më 1671 Don Stefano Gaspari rregjistron vetëm 12 shtëpi me 130 frymë.
Nga këto të dhëna shihet se Dardha, si dhe fashatra të tjera të Pukës, kanë pësuar dëme të mëdha e shkatërrime gjatë shek. XV – XVII. Në fundshekullin e XIX katundi i Dardhës është njohur me 80 shtëpi. Në vitet “80 të shekullit XX Dardha arrinte në 300 shtëpi. Dardha ka qenë e banuar që në lashtësi. Edhe emri është me origjinë ilire. Prof. Eçerem Çabej në “Studime etimologjike në fushën e shqipes”, III. Tiranë, 1987, shpjegon: “dardhë, f. këtë fjalë e lidhin që prej Hahnit e këtej me emrin e popullit dardan e të vendit të tyre Dardania … e mbarë shqipes”.
Dardha ka dy vllazni me nga tre mëhallë secila. Vllaznitë janë Kokaj e Bibaj. Nga Kokajt janë vllaznitë: Çela (Çelakaj), Selmani (Selman), Margjeçi (Margjeç). Nga Bibajt janë vllaznitë: Pali (Palaj), Pepa (Pepaj), Kola (Kolgjokaj). Sipas studiuesit Xhemal Meçi në librin studimor “Kabashi” tek seria e studimeve “Puka që në Lashtësi – 2”, fq. 356-359, Tiranë 2008. Marrë nga faqja FB “Fshati Dardhe”.
Leave a Reply