Faraoni i Fermës së Frutilulturës – REXHEP UKA.

Nga Prof.Dr. Ago Nezha

FËMIJËRI E QËNDISUR ME PUNË
Fëmijëria, agimi i jetës, çel ndryshe për çdo fëmijë, në kopshtin e jetës. Stacioni i parë i jetës, fëmijëria, ka një diell të padukshëm brenda vetes. Pelerina e jetës i mbështjell fëmijët, sipas kushteve familjare, mjedisore e shoqërore. Rexhep Uka, familja e tij ardhur nga Puka e vendosur në Kamëz, në periferi të Tiranës, ja ka lehtësuar pak fëmijërinë. Në rast se në Pukë, kur lindte fëmija mamia ishte natyra, në Kamëz kishte konvencione të tjera social-kulturore. Por mjedisi nga vinin i kishte bërë më të fortë, rezistentë e pa pretendime luksi për jetën. Fëmijërinë e tij, Rexhepi e ka përjetuar në një mjedis familjar me prejardhje patriarkale, ku gjyshi ishte i pari i shtëpisë. Për fatin e tij të mirë, siç e evokon ai në kujtimet e tij nostalgjike, gjyshi ishte një burrë i mençur dhe arkitekt i fjalës popullore dhe i punëve të bujqësisë. Rexhepi, duke qenë fëmija i parë i familjes, kishte privilegjin që të ishte më i përkëdheluri dhe nën kujdestarinë dhe pushtetin jo vetëm të prindërve, por edhe të gjyshit. Lodrat e fëmijërisë atëherë ishin tradicionale dhe familjare, sipas kushteve të jetesës. 
Ai sjell në kujtesë një detaj nga marrëdhëniet me gjyshin, që i derdhte kutinë e duhanit disa herë në ditë dhe gjyshi jo vetëm që nuk mërzitej, por argëtohej me veprimet e tija çamarroke. Një sekret, që ja kishte zbuluar Rexhepi me kuriozitetin e fëmijës, ishte se gjyshi mbante një qese me duhan që e vendoste në zgavrën e klavikulës, për ta mbajtur të butë. Kjo më jep humor kur e kujtoj dhe më bën të qesh edhe sot që kanë kaluar mbi 50 vjet. Loja me kutinë e duhanit, prej bronzi, ka qenë shkaku që i ka krijuar ndjesi për vesin e duhanit, tregon Rexhepi. 
 Edukatën dhe mësimet e para fëmija i merr në mjedisin familjar, që janë  fermenti që merr njeriu për formimin e karakterit dhe personalitetit të tij, që e shoqëron në rrugën e tij të gjatë, tërë jetën. Brezi i të parëve, që ishin të vuajtur dhe me një eksperiencë të ngarkuar mbi supe, me ngjarje të vështira e shpesh herë të dhimbshme, ishin të fortë, burrëror, të paepur para të papriturave të jetës, krenarë dhe zotë të vetes dhe familjes së tyre. 
Formimin e cilësive morale, Rexhepi, kryesisht ja dedikon gjyshit, përkujdesjes dhe këshillave të tij të vyera. Ai e këshillonte: “të bëhesh zot i vetes, burrëror, jo qaraman e zvarritës,  mos u mbaj për shkume dhe gjithmonë duhet të jesh dikushi”. Këto këshilla i ka mbajtur si medaljon dhe duke kujtuar gjyshin, sheh në personin e tij, si në pasqyrë, ngjashmërinë me të. Kjo ngjashmëri ja rrit  krenarinë personale. Gjyshi dhe prindërit i mësuan dashurinë për çdo lloj pune. Ai prind që nuk e mëson fëmijën të bëjë gjëra të dobishme, ushqen dhe rrit një fëmijë hajdut dhe problematik. Babai i Rexhepit ishte duarartë. Mbillte, kultivonte, shartonte pemë të ndryshme, si një specialist i mirë. Në familjen e Rexhepit nuk kishte pjesëtar të saj që të mos zotëronte një mjeshtëri, të punuar në formë artizanale, prej druri ose prej hekuri. Prej natyre fëmija është imitues. Këto veprime të babait të vet, Rexhepi i përvetësonte e i përdorte duke u argëtuar sikur të ishin lodra fëmijësh. Duke qëndruar pranë babait, ai u  apasionua pas pemëtarisë. 
Megjithëse ëndrrat fëmijërore kishin diversitet të ndryshëm, prioriteti ishte për aviator, thotë ai, mbasi doja të imitoja aviatorin Niko Hoxha, që e fuste avionin nën urë, e tjetër, për sportist, filatelist etj. Ato mbetën vetëm ëndrra, se rrjedha e jetës, si për këdo, të çon në destinacione të panjohura e të padëshiruara. Por ai që ka formim për punën, karakter të fortë, ambicie për të ecur përpara, gjen shtigje për të kapërcyer mbi dhuntitë e mbi interesat e tij të çastit. Duke qenë fëmijë kureshtar, i etur për të mësuar, ambicioz për t’ua kaluar shokëve në tërë veprimet e tij, ai formoi një karakter dhe bindje se çdo sukses arrihet me punë. Me tipin e tij të qetë, të ekuilibruar, i respektueshëm, që vlerëson mendimin e shokëve, por gjithmonë duke e kaluar në shoshën e tij, ku me intuitë di të ndaj mirë grurin nga egjra. Këto cilësi kanë bërë që të gjitha shtigjet e jetës t’i kapërcejë si fitimtar. Ai s’ka qenë as i përkëdhelur, e as i përulur, por një fëmijë i sjellshëm e dinjitoz. Shokët e tij të shkollës dhe të jetës tregojnë se sinqeriteti e ka shoqëruar jo vetëm në punë dhe në jetë, por edhe në shkollë, në lojërat sportive fëmijërore dhe adoleshente. Padrejtësia ishte armiku më i madh i tij, që e revoltonte e acaronte pa masë, e bënte të papërmbajtshëm. Ka qenë nxënës që dallohej në sjellje e  në mësime. Një aventurë ka të regjistruar gjatë  periudhës së shkollës 8-vjeçare në Laknas. 
Me një grup shokësh që kishin mësuar not gjatë verës, në periudhën e dimrit futen në lumë për të provuar se nuk e kishin harruar notin. Aty i gjen mësuesi i fizkulturës, ju merr rrobat, i demaskojnë para shkollës dhe ju thyejnë edhe notën në sjellje. Ky episod, i pasjellshëm për atë kohë, sot tingëllon paksa qesharak. Por njeriu është produkt i moralit shoqëror të një kohe të caktuar në raport me individin. Çapkënllëqet janë bashkudhëtare të pashmangshme të moshës  së fëmijërisë dhe adoleshencës, por jo tipare të sendërtueshme te njeriu.

NJË FERMË “INTELIGJENTE“
Dashuria e Rexhepit për bujqësinë, e veçanërisht për frutikulturën, është një dhuratë e trashëguar nga familja. Një shtysë tjetër, siç pohon ai, ka qenë prania e një agronomi të talentuar, Adem Beli, që kishte kryer studimet në Francë dhe me personalitetin e tij intelektual qëndronte si mit në imazhin e profesor Ukës. Këto dy simbole kanë bërë që në koshiencën e tij, bujqësia t’i rrënjosë thellë në ndërgjegje, dashurinë për këtë sektor të vështirë që nuk e deziluzionuan as ciklonet e privacionet e sistemit kooperativist, e as stuhitë e politikës demokratike. Agronomia për Rexhepin është adhurim deri në amshim. Kur flet me të për bujqësinë, ai e tregon me pasion si poezinë. Bujqësia është poezia e jetës së tij, dashuria e patjetërsueshme. Shqipëria është sot në kolaps ekonomik, se ka braktisur bujqësinë, fermat dhe rinia ka emigruar rrugëve të Europës. Në filozofinë e Rexhepit ka zënë vend doktrina agrare e Xhefersonit, e cila ka tre parime bazë: bujqësia është baza e punësimit; jeta rurale është moralisht superiore ndaj asaj urbane dhe së treti; një komb me fermerë të vegjël të pavarur, është baza e vërtetë e një shoqërie demokratike. Këtë kuintesencë për bujqësinë ai e ka busull që udhëheq tërë veprimtarinë  e tij intelektuale, ekonomike e familjare. Ai e dashuron punën në bujqësi, jo thjesht si një mjet jetese personale, por si mjet zhvillimi për ta ndryshuar e çuar përpara shoqërinë. Rexhepi s’e ka frikë lodhjen, mundimin, djersitjen. 
Jeton me divizën e Volterit, që thotë se: “ Jeta është e shkurtër, nuk ja vlen barra qiranë ta kalojmë duke u zvarritur nën këmbët e horrave të përçmueshëm”. Jeta është dorëlëshuar për ata që punojnë e sakrifikojnë pa reshtur, pa rënë në vetëkënaqësi e ngopësi. Ky është lajtmotivi që e udhëheq Rexhepin. Besimi tek vetvetja ka bërë që t’u dalë mbanë punëve, edhe kur kanë qenë të vështira. Kur je i ri, thotë ai, përballon çdo situatë se kujdesesh të jetosh mirë duke punuar, ndërsa kur plakesh, kujdesesh të vdesësh mirë duke menduar. Fatin e rrotullon njeriu me dorën e vet. Një njeri duhet lavdëruar kur ai ka bërë një shërbim të vyer për shoqërinë për aq sa ka jetuar. E Rexhepi e meriton një lavdërim për atë fermë model që ka krijuar. Është një intelektual që s’e shpërdoron kohën pa efektivitet. Si rrallëkush, frekuenton çdo ditë auditorin me studentët dhe fermën, pa nënvleftësuar e dhënë përparësi asnjërës, por duke vendosur një ekuilibër ekuivalent midis tyre. Sa më shpesh që shkon në vendlindje, aq më shumë i rritet adrenalina dhe dëshira për të bërë veprimtari  të dobishme. 
Ka investuar me intensitet të lartë 32 vjet të jetës së tij, në studime, në punë e aplikime për bujqësinë. Këtë eksperiencë që qëndron mbi shpinën e tri dekadave, e ka pasuruar në vazhdimësi me studime brenda e jashtë vendit, duke fituar edhe grada e tituj të merituar në fushën e “ Mbrojtjes së Bimëve“.  Ka marrë  gradën PhD në fushën e Entomologjisë në Universitetin Bujqësor të Athinës, si dhe titullin Prof. Assoc. në fushën e Entomologjisë bujqësore. Në vazhdimësi ka ndjekur kurse kualifikimi, simpoziume e studime jashtë shtetit, si në Holandë, Izrael, Itali, ShBA e vende të tjera. Ky proces ka bërë që të fitojë dije të thella në fushën e Entomologjisë bujqësore si dhe një eksperiencë të pasur, që është një pasuri intelektuale. Ky akumulim është derdhur në hartimin e disa teksteve, praktikumeve e atlaseve  mësimore, si dhe në shumë botime e publikime në buletine e revista shkencore, udhëheqje, reçenca e oponenca për mastera e grada shkencore. 
Me cilësitë e tij shkencore, është sot anëtar i disa shoqatave, si Entomologëve në Greqi, në bordet e nxitjes së Kërkimit Shkencor, të Perimikulturës, të Politikave të Kërkimit Kombëtar Shkencor në Shqipëri etj. Kjo përfshirje në disa institucione lidhet me faktin se ai zotëron shumë mirë gjuhët frëngjisht dhe greqisht dhe pjesërisht për nevoja profesionale, italishten, anglishten dhe rusishten. Këtë kapital dijesh ai e ka investuar kryesisht si pedagog e përgjegjës i Departamentit të Mbrojtjes së Bimëve në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe pjesërisht në fermën e tij ”BIO”, që është një privilegj ta njohësh. Një fermë “inteligjente”që ngrihet në një qytezë të gjelbëruar në periferi të Tiranës , në Laknas. Ferma ngjan me një trup madhështor rrethuar me një kurorë të gjelbër, që vesh tërë gjymtyrët e saj, nga koka te këmbët.
 Një kabinet natyror ku mësojnë studentët e Universitetit Bujqësor. Mozaik pemësh, të rreshtuara si ushtarë në radhë, që i përgjigjen apelit me emrat e tyre tradicionalë, si mollë, dardhë, pjeshkë, qershi, kumbulla, rrush, agrume, ullinj, e plot të tjera. Një koleksion pemësh dhe një laborator në fushë, ku mëson tërë sëmundjet dhe insektet që kanosin jetën dhe prodhimtarinë e pemëve. Baza e lumturisë njerëzore është puna. Rexhepi e ka vrarë gjumin, ka prishur rehatinë e vet, se ka një shpirt të shëndetshëm. Përpjekja për të bërë diçka të mirë për shoqërinë është ushqimi i tij shpirtëror e fisnik, që e shtyu në vitet e demokracisë të krijoj një fermë didaktike “BIO“. 
Ishte periudha e ndryshimeve të sistemit, që cunami i shkatërrimeve, sipas teorisë “O”,  përfshiu edhe fermat e Institucionet kërkimore shkencore të bujqësisë. Në këtë klimë të trazuar, Rexhepi ngriti këtë “kështjellë“ natyrale për t’i ardhur në ndihmë përgatitjes së specialistëve të ardhshëm të bujqësisë. Ai nuk u nis nga motiv fitimi si një fermë kapitaliste, por për të bërë një model didaktik. Prodhimi i madh i rrushit, në sipërfaqen e fermës prej 2 ha, e detyroi të përdorë teknologji bashkëkohore, për të prodhuar verë elite, që është e preferuar për amatorë verërash. Shqipëria është vend i privilegjuar për prodhimin e rrushit dhe verërave.  Ne s’kemi traditë në prodhimin e verërave, por tradita nuk lind vetvetiu, ajo krijohet me punë e pasion. Ferma e tij është bërë sot jo vetëm një qendër didaktike për studentët, por edhe një vend pelegrinazhi për vizitorë të huaj nga e gjithë bota, që janë kureshtarë të njihen me këtë mjedis të gjelbëruar e të populluar me shumëllojshmëri frutash bio, që i shijojnë direk nga pema. Ky është një shembull që duhet të shërbejë për gjithë ata specialistë që kanë braktisur tokën, pronën, fermën e tyre, e punojnë si bujkrobër në dyert e pronarëve, te fqinjët tanë. Investimi i kryer në fermën “UKA“ është një investim krejtësisht familjar, si nga ana monetare dhe ajo njerëzore, pa kontribut nga shteti. Ai ka angazhuar gjithë familjen me punë në fermë. Tre djemtë i ka orientuar në specialitete që lidhen me prodhimtarinë e fermës. Njëri është arkitekt, tjetri specializohet për turizëm në Holandë, ndërsa i vogli bën masterin në Udine të Italisë për venologji. Ndërsa gruaja e tij, Luljeta Xhahysa, që e “fitoi“ kur ishte agronom në Burrel,  është ekonomiste industrie, që di t’i bëjë mirë bilancet dhe llogaritë. Njëkohësisht, është bashkëshorte e nënë e kujdesshme, që i ka qëndruar pranë jo vetëm në situata të bukura, por edhe të vështira të jetës. Fëmijët dhe gruaja janë dy shtylla të papërkulshme, ku qëndron suksesi i burrit. Këto dy simbole dhe karakteri “kapriçoz” i Rexhepit  e kanë bërë që nuk di të lypë, të përulet, të shkelë mbi dinjitetin e tij për asnjë arsye njerëzore, edhe kur është në nevojë.
POLIGONI I POLITIKËS
Rexhepi i ka ngjitur shkallët e karrierës duke bërë spirale, por në karakter ka qëndruar stoik, nuk është lëkundur, as nga cunamet e politikës shqiptare, e as nga baticat e zbaticat që kanë ndodhur në Partinë Demokratike. I vendosur në barrikadën e demokracisë, ai ka ditur të luftojë me kundërshtarin politik, por edhe me “grerëzat ” brenda kosheres së PD-së. Qëndrimi që ka mbajtur, sipas zhvillimeve të fenomeneve në demokraci, ka qenë konstant, i drejtë, parimor dhe i palëkundur në bindjet e veta. Denoncimi i disa problemeve antidemokratike është shprehje e karakterit të tij, por njëherazi dhe të formimit dhe vizionit politik. Si intelektual vizionar, e sheh demokracinë si një vlerë për të gjithë dhe jo të parcelizuar sipas pronësisë së partisë në pushtet. Ai ka alergji ndaj tendencave dhe prirjeve  të partive drejt militantizmit, klientelizmit, krahinarizmit dhe nepotizmit, që janë bërë tiparet e fizionomisë reale të PD-së. Zhveshja e dikastereve, institucioneve deri te instancat më të ulëta të administratës, si roje e pastruese me bindje të majta, ka qenë një veprim ekstremist që nuk pajtohet me formimin, bindjen, konceptin dhe kulturën demokratike të Rexhep Ukës.
 Ai është kundër kopshteve personale të partisë, që cenojnë themelet e demokracisë. Në një intervistë në shtyp, ai pohon se: “Nuk di nëse mund të luftohet komunizmi dhe të ndërtohet demokracia me metoda komuniste“. Është shprehur fuqishëm kundër politizimit të stafit të nëpunësve në emër të biografisë, duke formësuar një parti-shtet. Ka qenë dhe mbetet armik i preferencave për të paaftët që depërtojnë në administratë, nëpërmjet servilizmit dhe metodave imorale të klaneve të pushtetit. Politika në Shqipëri është bërë mjet pasurimi, përfitimi, përvetësimi, qartazi biznesi më fitimprurës, që për Rexhep Ukën është jashtë mentalitetit dhe  normave të tij morale dhe intelektuale. 
Ai pohon se, “u përfshiva në politikë si dhe shumë të tjerë për të kontribuar në profesionin tim të bujqësisë, ku dhe kishte studiuar e kualifikuar brenda dhe jashtë shtetit. Ishte ky një investim kapital, një eksperiencë e fituar në prodhim, në studim dhe në mësimdhënie në Universitetin Bujqësor, që e ndiente obligim t’ia kthente shoqërisë nën demokraci me këtë “monedhë“. Pluralizmi në Shqipëri bëri që të lindë Partia Demokratike, ëndërr e gjithë shqiptarëve që jetuan nën trysni për 50 vjet nga regjimi monist. Në këto 20 vjet demokraci, ëndrra e shqiptarëve është venitur e fashitur nga politika e mbrapshtë e liderëve dhe tërë aktorëve të skenës politike shqiptare. Në fillimet e demokracisë, në Partinë Demokratike vërshuan shumë intelektualë të zëshëm që meditonin për liri e demokraci liberale. Por shumë shpejt u zhgënjyen e deziluzionuan nga diktatura demokratike e drejtimi autokratik i liderit. Janë të shumtë emrat potencialë, që në rrugën 20-vjeçare kanë dalë nga rreshti i “gjeneralëve“  të ushtrisë demokratike e sot janë harruar. 
Këto kapacitete intelektuale do t’i bënin nder çdo partie, pa folur më për Partinë Demokratike që ka shterpësi intelektuale, që i kompenson me militant të flaktë, papagaj të politikës së liderit. Partia Demokratike është një pasuri kombëtare e pazëvendësueshme, që çdo virus që futet në trupin e saj shkatërron themelet e demokracisë dhe i sjell dëm e fatkeqësi shoqërisë. Rexhep Uka, krizën që përjeton vendi e quan përgjegjësi të intelektualëve, që me qëndrimin e tyre të heshtur apo oportunist kanë lejuar e lejojnë që të lulëzojë një klasë politike, diabolike. Ai, partinë si institucion, nuk e ka parë për përfitime vetjake, por për të realizuar idealet dhe misionin e tij intelektual, për të siguruar sa më shumë liri fjale, mendimi e veprimi. Ky vizion ka bërë që në të gjitha momentet dhe evenimentet kritike që ka kaluar familja e tij politike, Rexhepi ka qenë vetvetja, si në qëndrimin ndaj Kushtetutës, firmave piramidale, ashtu edhe fushatave zgjedhore etj.
 Rexhep Ukën do ta quaja një “hileqar“, që në qenien e tij fsheh kulturën e pademonstruar, që duhet të dish t’ia vjelësh me metoda klandestine. Veçori e tij, krahasuar me disa politikanë të shtirur, është se në tërë karrierën që ka pasur nuk i ka ndërruar miqtë dhe shokët për hir të konjukturave të karrigeve. Diviza e tij shoqërore është: çfarë jam sot, çfarë do jem nesër dhe së fundi, si do e mbyll jetën për të qenë ai që jam.
Nga Gazeta Shqip. dt.20.06.2011.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*