Në këtë material do të japim disa të dhëna nga hulumtimet fizike dhe historike për shpellën, të cilën populli vendës e quan "shpella e kaurrit", që ndodhet pranë fshatit Levrushkë, në zonën e liqenit të Komanit.
Ishte insistimi dashamirës i të dy profesorëve të historisë nga Puka, Mustafa Mehmeti e Skënder Guri, që i falënderojmë me shumë respekt,të cilët e shihnin me shumë interes studimin e kësaj shpelle, si një gjurmë e fuqishme e periudhës bizantine në Shqipëri, dhe që bënë të mundur organizimin e një ekspedite me qëllim studimin e kësaj shpelle asketësh.
Për të vajtur tek shpella është e lehtë, pasi transporti ujor bën që të shkosh mjaft afër me mjete lundruese nëpër liqen. Po kështu distanca deri tek diga e Komanit është e shkurtër, vetëm 10 minuta me motobarkë, por ngjitja në shpellë ka vështirësi.
Në hyrje të shpellës duken qartë muret mbajtës dhe mbrojtës, si dhe muret ndarës të mjediseve të ndryshme, të cilat përbënin zonat funksionale të kësaj qendre asketësh. Në të shikohen hapësira të mbuluara me qemer guri, muratura të fuqishme, si dhe dyer lidhëse. Më tej ambienti kryesor i madh është i krijuar në brendësi të shpellës. Shpella është e gjatë rreth 20 m dhe ka një shtrirje dyplanëshe, ku mbas një kalimi të ngushtë në fund të saj dhe duke u ngjitur në disa shkallare natyrore, ajo ndryshon drejtim dhe ngjitet sipër në një hapësirë tjetër, nga ku del në një ballkonadë. Kjo ballkonadë del disa metra mbi hyrjen kryesore të shpellës dhe përpara saj shfaqet liqeni i Komanit si dhe faqja e malit përballë, që vendësit e quanin "Murga". Aty ndodhen disa stane e kopshte të vogla, të cilët ishin pronë e këtyre murgjve. Vetë Murga lidhej me shpellën me një urë druri me këmbë prej guri, të cilën lumi i Gominës e ka shkatërruar plotësisht.
Studiuesi kroat Milan Shuflaj, në librin "Shqiptarët e Serbët" thotë se: "Kufiri politik i Perandorisë Bizantine me atë Romake kalonte nga Tivari në bërrylin e Drinit dhe merrte në veri drejt Danubit". Shpella për të cilën flasim ndodhet pikërisht fare pranë bërrylit të Drinit. Dihet se pas ndarjes së Perandorisë Romake sulmet barbare shkatërruan Perëndimin, por nuk lanë pa prekur skajin perëndimor të Bizantit. Po kështu rol mjaft të madh patën sulmet sllave nga Lindja, që vazhduan një kohë të gjatë dhe patën pasoja të mëdha historike. Pikërisht, për të ruajtur kufijtë e vet politikë Bizanti ndërtoi në periudhën e shekujve të VI-XI -të shumë fortesa ushtarake të tipit kështjellë. Po të bisedosh me banorët e sotëm të Levrushkut pohojnë edhe emërtime interesante të shkëmbinjve, rrugëve, trojeve, që nuk dihet që kur janë vënë. Kështu në hyrje të kanionit të Gominës, ku ndodhet shpella, gjendet guri i Solomonit. Askush nuk është në gjendje të na sqarojë se nga e mori këtë emër. Është shumë interesante se populli i Levrushkut edhe sot flet me krenari për muret e shpellës së "kaurrit", ruan me fanatizëm varrezat e "kaurrit", që janë në mes të fshatit, si dhe kishën e Shën e Premtes që ndodhet pranë tyre. Lartësia e shpellës është 220 m mbi nivelin e detit. Ajo sot ndodhet vetëm 10 m mbi nivelin e pasqyrës se ujërave të liqenit të Komanit. Dikur këtu lumi i Gominës, që është degë e majtë e Drinit, formonte një kanion të ngushtë e të thellë rreth 100m, me shpate tepër të pjerrëta e me gjerësi vetëm 2 deri 20m. Ndaj, para ndërtimit të Hidrocentralit të Komanit ishte tepër e vështirë hyrja në shpellë. Gërmimet duhet të bëhen edhe për të zbuluar tunelin, që sipas banorëve vendës, lidhte shpellën me pjesën lindore të malit, me gjatësi mbi 200 m, e që përdorej si dalje e fshehtë e saj në afërsi të fshatit Levrushk. Thuhet se brenda këtij tuneli murgjit patën ndërtuar një furrë gëlqereje, që perdorej si mjet lidhës për muret e shpellës. Ndoshta zbulimi i këtij tuneli do të na ndihmojë të hedhim më shumë dritë edhe mbi vetë manastirin e shpellës.
Si konkluzion mund të themi se, duke u bazuar në të dhënat historike të hulumtuara, zona Koman – Pukë, të cilën kemi marrë në shqyrtim, përbën një bazë të fuqishme informacioni arkitektonik dhe historik të lulëzimit dhe shtrirjes së Perandorisë Bizantine.
Largohemi nga kjo shpellë asketësh duke marrë mbresa shumë të fuqishme, të cilat të impenjojnë për hulumtime të mëtejshme në këtë zonë dhe pse jo krijimin e një spektri historik, i cili do të plotësonte më së miri boshllëqet dhe informacionet e vakëta që trashëgimia kulturore e Shqipërisë si dhe ajo botërore ka për këtë trevë.
Përgatiti: Ark.restaurator Joan Stratobërdha
Leave a Reply