HALIT SHEQER FURRIKU

Nga: Idriz Ahmetaj
U lind në fshatin Meçe në vitin 1951, në familjen e njohur të Furrikëve, patriotë, fistarë e bajraktarë. Arsimin bazë e mori në vendlindje, duke pasur mësues të parë axhën Rrustë; 7-vjeçaren e kreu në qytetin e Pukës. Arsimin e mesëm dhe të lartë i kreu përkatësisht në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” dhe në Fakultetinin e Historisë dhe të Filologjisë, dega gjuhë ruse me rezultate shumë të larta në vitin 1974.
Pas mbarimit të shkollës së lartë, edhe në sajë të rezultateve të arritura atje, emerohet në shkollën e mesme të qytetit të Pukës. Pas dy vjetësh, më 1976 emërohet drejtor i kabinetit pedagogjik të rrethit, detyrë kjo që kërkonte përgatitje të lartë shkencore e metodike, si dhe përvojë pune të gjatë. 
Prejardhja si derë bajraktari dhe “ashpërsimi i luftës së klasave”, arrestimi dhe burgimi i të vëllait, Bajramit dhe kushëririt, Salihit, u bënë shkak që të përjetonte një persekutim të  gjatë e të egër politik. 
                         Halit Furriku

Më 1979 dërgohet mësues në shkollën Lufit dhe i kërkohet që të miratonte dënimet e dhëna ndaj të vëllait dhe djalit të xhaxhait. Këtu nisi edhe kalvari i gjatë i vuajtjeve dhe persekutimeve. Më 28 maj 1979 e largojnë për fare nga puna në arsim, duke i komunikuar heqjen e së drejtës profesionale për të cilën ishte diplomuar. Për 10 vjet detyrohet të punojë punëtor krahu në kooperativën bujqësore dhe në ndërmarrjen pyjore. 

Në mars 1988, kur diktatura komuniste po ndiente shembjen, Haliti caktohet mësues në shkollën e Qelëzës. 

Me fillimin e proceseve demokratike, më 1990, përfshihet në këtë lëvizje, ku jep ndihmesën e tij. Pas vitit 1990, me fitoren e Partisë Demokratike, emërohet përgjegjësi seksionit të organizimit në Komitetin Ekzekutiv Pluralist të rrethit, detyrë të cilen e kreu me përkushtim, siç dinte vetëm ai. Me propozim të organizatës së të përndjekurve politikë, më 1996 votohet dhe zgjidhet kryetar i bashkisë së qytetit të Pukës. 


                                                     Me bashkeshorten
                                                           Me femijet

Gjatë katër vjetëve në këtë detyrë, mundi të përballojë me sukses situatën e rëndë të krijuar në vitet 1997-1998, kur gjithë armatimi i reparteve ushtarake ra në qorë të popullatës dhe të bandave kriminale. Veçanërisht në sajë të punës së kujdesshme të Halitit, Puka u shpëtoi dhunimeve, djegieve e shkatërrimeve. U dha një mbështetje e madhe për dramën e përgjakshme kosovare, ku mbi 25 mijë kosovarë kaluan nëpër bashkinë e Pukes me 4 mijë banorë të varfër. 
Nëpërmjet bashkëpunimit me donatorë të huaj, sidomos me shoqatën Austri-Shqipëri, ka ndihmuar për ndërtimin e disa objekteve social-kulturore në Qerret, Gojan, Rrape, Blinisht, Orosh, Pukë etj., pasqyruar edhe në botimin e tij “Albania – Austria partnerschoft  

në Pukë”, Tiranë, 2000. 



Në vitin 2000 themelon Shoqatën kulturore-artistike “Puka”, duke rigjallëruar Ansamblin “Puka”, me të cilin ka zhvilluaraktivitete në Lezhë, Rrëshen, Laç (Kurbin), Kosovë, Austri, Egjipt. Për këto aktivitete ku spikatin vlerat e mëdha kulturore e artistike dhe niveli i lartë i interpretimit, këtij ansambli iu dha më 2001 Çmimi Europian “Alfred Toepfer”. 


Ne promovimin e librit “Jeta ne Kenge”. Beqir Arifaj, Fran Vukaj, Halit Furriku, Idriz Ahmetaj,
 Fran Mula, Qamil Furriku etj, maj 2002…

Dy vitet e fundit ishte diplomat në ambasadën e Shqipërisë në Moskë, i ngarkuar me detyrën e ambasadorit për Rusinë, dhe Vendet e Rajonit. Vdiq më 4 nëntor 2008 në Moskë nga një sëmundje e pashërueshme, pasojë e vuajtjeve të gjata. Më 9 nëntor të atij viti u varros në Tiranë i nderuar dhe i respektuar nga pukjanët kolegët dhe shokët. 

* * * 

Me qëllim që të kontribuoj sadopak për ndriçimin e figurës brilante të z. Halit Furriku, si dhe për plotësimin e ndonjë mangësie që u ka shpëtuar autorëve të librit “Drama e një diplomati”, e ndiej për detyrë që të paraqes letërkëmbimin (nëpërmjet postës e e-mail) që kam pasur me të. 

Një ditë, tek po “lundroja” në internet, hapa faqen e MPJ, ku gjeta adresat e ambasadave tona në botë. M’u kujtua se në Moskë është z. Halit Furriku. Shënova adresën dhe të nesërmen i nisa një letër, ku u përpoqa t’i dërgoj një “copë Pukë”. Në fillim i përshkrova gjendjen time fizike e shpirtërore dhe me se merresha. Më poshtë i tregoja për kohën, cilët ishin drejtuesit e zyrave dhe institucioneve të Pukëst si dhe kryetarët e komunave dhe të bashkive të zgjedhur në 2007-ën. Letra mbante datën 17 shtator 2008. 

Pas ca ditësh, në adresën time në internet gjej këtë e-mail: 
“I dashur Idriz, 

Falemnderit për letrën. U gëzova shumë që jeni mirë me shëndet dhe vazhdoni të bëni një jetë aktive, çka tregon se edhe më mirë do të bëni në të ardhmen. Vullneti dhe dashuria per punë dhe jetë aktive e një intelektuali.nuk ju kanë munguar asnjëherë. Gjithashtu më erdhi mirë që djemtë e vajza kanë përcaktuar rrugën e tyre dhe uroj të kenë fat, lumturi dhe suksese në punë dhe në jetë. Të fala shumë dhe Xhuljetës dhe nëpërmjet saj Xhemal Çollakut në Kabash. Të falënderoj shumë edhe për mbledhjen dhe sistemimin e punës shkencore të Sabahut, sepse jo vetëm përjetëson Sabahun, po dhe jep një kontribut për kulturën e Pukës në përgjithësi. 

Unë vërtet sot punoj dhe jetoj në një nga metropolet e mëdha të botës, ku për kulturën, artin, letërsinë ndoshta është unikal, por mbetem në mënyrë të pazgjidhshme i lidhur me Pukën, njerëzit e saj të mirë. Puna me Xhemal Meçin, besoj, të jep kënaqësi. Ai është jo vetëm punëtor i mirë shkencor, por edhe një arkiv i gjallë i traditës, kulturës dhe historisë së Pukës e më gjerë. Uroj që vepra e Xhemalit, që jam i sigurt që prej vitesh ka punuar me dashuri e përkushtim, të bëhet e njohur dhe e vlerësuar si vetë Kabashi. Punën e prof. Xhemalit e kam vlerësuar dhe vazhdoj ta vlerësoj gjithnjë e më shumë. Të lutem përshëndete dhe bëji shumë të fala nga ana ime. 

Unë jam mirë, por shumë i ngarkuar me punë. Aktualisht, tash tre muaj bëj edhe punën e ambasadorit, sepse T. Laçon e kthyen në atdhe. Fëmijët i kam në shkollë dhe mësojnë mirë. Të falënderoj edhe njëherë për letrën shoqërore, por edhe interesante që më dërgove. Ne tani mund të komunikojmë me e-mail. 

Të uroj shëndet, optimizëm në jetë e gjithë të mirat në familje! 

Halit Furriku”. 
10 tetor 2008.” 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*