Jo dhunës fizike

Nga Rexhep Uka

Asnjëherë nuk do dal në mbrojtje të dhunës, sado e justifikuar qoftë ajo ndonëse në të vërtetë, termi është i gabuar, se nuk ka dhunë të justifikuar. E kam fjalën për ngjarjen në stadiumin e Pukës. Kjo, për Pukën, simbol i tolerancës, është unike e këtij lloji. Diçka e rëndë duhet të ketë ndodhur që janë ndezur gjakrat. Ky opinion nuk është aspak subjektiv apo personal imi, por i konfirmuar në shkallë kombëtare dhe nuk mund ta ndryshojë askush për hir të një episodi sado zhurmëlënës dhe i stisur qoftë ai. Do të bëja gabim nëse do të zgjatesha në përshkrimin e asaj që ka ndodhur, pasi media e ka katranosur deri në tepri. Unë jam dakord me dënimin publik të dhunës, por asnjëherë nuk do pajtohem me ekstremet, se ato takohen në një pikë të përbashkët, dhuna mediatike për njerëzit është binjake me atë fizike. Se cila është më e rëndë, do të isha në gjendje ta shtjelloj, madje hollë, por nuk e marr përsipër edhe për një arsye tjetër, për t’i qëndruar një fjale apo premtimit tim ditën e parë të kuvendit aktual, sipas të cilës, moralizimi sot është i bezdisshëm dhe i papranueshëm.

Puka, jo për mua, por për këdo që e njeh sadopak historinë tonë, është me të vërtetë një shembull i maturisë, tolerancës dhe urtësisë. Kjo ka shumë shpjegime e fakte që e bëjnë realitet të pakundërshtueshëm, kam krijuar bindjen që jo më kot një nga 2 rrugët më të rëndësishme në historinë e këtij vendi "Egnatia" dhe "Via Pubblica", kjo e fundit ka kaluar në Pukë, sepse në të udhëtohej me siguri dhe qetësi, gjë shumë e vështirë për ato kohëra… No coment…

Në 1997, Puka ishte zona që me shqetësim ndiqte ngjarjet e dhimbshme në vend, në qetësi të plotë, pa asnjë krismë apo xham të thyer. Eshtë shkruar për këtë, por jo sa duhet. Ky virtyt është kulturë dhe kultura nuk është as fushore as malore, krahas hireve të natyrës të këtij vendi me një popull të shumëvuajtur përbën një pasuri të vërtetë, e cila do gjejë vetëm shpërblim në çdo kohë.

Por ja që ngjarja e fundit me të vërtetë na ka tronditur shumë. Një popull që e karakterizon toleranca mendoj se mban në vetvete dhe pozicionimin ndaj padrejtësisë. Ndaj padrejtësisë, arbitrimit arbitrar, në turmë, në këtë raport të fortë subjektiv dhe kolektiv, edhe psikologët do ta kishin të vështirë të gjykonin në mënyrë të drejtë.

Jam i bindur se në stadium zhduken të gjitha partitë, ideologjitë dhe triumfojnë këmbët, topi, rrjeta etj., etj.
Në atë fole të vogël sportdashësish, kur një ekip futbolli po zgjonte dhe prishte monotoninë e zakonshme, ku të gjithë pa asnjë dallim politik fokusojnë vëmendjen dhe investimet duke e parë sportin dhe në veçanti sot për sot futbollin si një avantazh konkret të zhvillimit të sotëm dhe të ardhshëm për zonën me investime jo të vogla në infrastrukturën përkatëse, penalizohet me shumë zell dhe pasion ekipi për të mos e marrë më veten për kushedi sa kohë që askush nuk e di, më duket e padrejtë.

 Nëse do ishte efikase kjo masë, do të isha unë dakord i pari, por nuk jam aspak, sepse gjykimi duhet nisur nga shkaku që solli incidentin, d.m.th. gjykimi i arbitrit. Sa herë na ka qëlluar të gjithëve këtu të asistojmë në ndëshkimin e ekipit tonë të zemrës vetëm nga njëanshmëria apo fobia e arbitrit? Çfarë bën federata me këta arbitra në të tilla raste? Në rastin e Pukës, që kur u panë shenjat e para të gjykimit diskriminues të arbitrit në fjalë, u bënë paralajmërime për ndaljen e provokimeve negative dhe respektimi i "fair play"-t. Megjithatë, asnjë reagim konstruktiv, përkundrazi, ato u shtuan duke ndezur edhe më shumë rebelimin e sportdashësve pukjanë.

I ftoj të gjithë, në radhë të parë federatën, ta rigjykojë problemin dhe të jenë të bindur se jashtë çdo kompleksi do të japim të gjitha sugjerimet tona për një zgjidhje më profesionale dhe demokratike.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*