Frang Bardh Ipeshkv, në vitin 1637 për këtë kishë shkruan: “Nga Arësi, po atë ditë, shkuem në Berdhet, mbi 8 mil larg prej Arësit. Berdheti asht katund 19 shtëpishë dhe 146 frymësh.Ka një kapelë n’emën të shna Prendes që përfshin vetëm 15 vetë. Asht e rrethueme në mur dhe e mbuleme me drrasa e deren e ka pa çeles dhe asht e vendosun në Udhën Publike që kalon nëpër Dukagjin e shkon në Serbi, (asht 3 mile larg prej katundit të vet Berdhetit). Në mengjes çova e thirra të gjithë katundin e shkova me të gjithë, burra e gra, te kapela e thanun e tyne për të meshue.
Aty ma së pari rrëfeva shumë gjind e mbasandej fillova meshën, predikova e kungova shumë gjind, dhe krezmova 33 vetë. Aty erdhi edhe një katund tjetër, i quejtun Vilëza, nëpër të cilin kalova duke shkue në katundin e Berdhetit. Vilëza asht 11 shtëpishë dhe 83 frymësh, janë afër me Berdhetin dhe bashkë¬famulli. Berdheti ka një kishë tjetër pak larg nga kapela e thanun, n’emen të Shën Mërisë, në të cilën vorrosin të vdekunit, duket vetëm nga themeIi se aty ka qenë kishë”.
Në viin 1967, kisha u mbyll dhe pas pak kohe ajo u rrenua, sa edhe themelet u punuan me traktor, u prenë lisat e medhenjë dhe të moçem, gurët e mureve u shpërndanë. Është fat se dikush nga besimtarët ruajti dy qoshe guri të gdhendur të derës, njëra me Kryqin dhe tjerta me shenjën e lashtë të praktikuar nga krishterimi në formën X, germë që perkon me germën e parë të mbiemrit të Jezu Krishtit (Xristo).
Në verën e vitit 2008 filloi puna për rindërtimin e kësaj kishe të vogel, por e madhe nga shenjtërimi.
Nga viti 1932 kemi një shenim nga At Gjon Karma, për këtë kishë: “Në lagje Gegaj gjindet Kisha e Zojes Shna Prendes, me nji lter të herëshem, rrethue me lisa të naltë e të moçem. Per Festë të kësajë Shejtneshë ndezin qira’ e bajnë edhe darken per miqasi.”
Leave a Reply