Kumtesë që i shtohet librit të vlefshëm Migjeni në Pukë

Që të shkosh te Migjeni duhet të kalosh domosdo nga Puka. Po të shkosh edhe si vizitor a kalimtar në Pukë, Migjeni ashtë aty me gjithësinë e universit të tij, me grushtin e dobët e të sëmurë që godet malin që nuk bzan. Kujtoj Pukën e më zbret në kujtesë Migjeni, Luli, Zeneli, Bukuria që vret me legjenda mistri, molla të ndalueme e kangët e pakëndueme, gjithë ai shpërthim vullkanik i poetit të ri djaloshar që mbolli në fidanishtet e artit letrar "Kangët e Rinisë" dhe "Poemën e mjerimit".

Migjeni e ka ngarkue Pukën në kurriz e udhëton me të në përjetësi, po e njajta gja ndodh edhe me Pukën që e mban poetin në gjithësi të historisë së vet si një pjesë të qënies eprore, ndaj dhe epiteti krahasues se "Puka dhe Migjeni janë dy vllazën siamez" më duket se i qëndron në sy realitetit, të vërtetës së pamohueshme që i lidhi përjetësisht.

Migjeni jetoi në Pukë nji periudhe të shkurtër kohe nga jeta e tij e shkurtër, e prerë në mes si nji shkrepëtim meteori që në djegien e tij ndriçon qiellin e përjetësimit të shpirtit fluid. Migjeni ia ndjente vullkanit llavën që djeg e përvëlon gjithçka gjen përpara, duke u ba lajmëtar i pavetëdishëm i tij, ai asht njikohësisht viktimë paqësore e zjarrit utopik e iluziv të turrit idealist përmbysës. Kodi i Migjenit asht kodi i varfërisë së tejskajshme, i shprehun në shpërfytyrimet e kohës së tij, shpërfytyrime tronditëse me vula mjerimi e shpresa të idhujve pa krena. Fenomene të përhershme prezente edhe sot si atëhere në jetën e bashkatdhetarëve të tij, ndonëse në kalendaret e botës ka kalue thuajse një shekull impulsiv zhvillimi, përvoje e përsosjeje. Vepra e tij si nji kasnec, lajmëtar burizan paralajmëronte mllefe, dhimbje eprore, kundërpetale varrezash masive, vrasjesh e zhdukjesh, internimesh e shfarrosjesh çnjerëzore në emën të nji "bote të re".

Lind pyetja: A ishte Migjeni aspirant i iluzioneve utopike për barazi e drejtësi njerëzore, apo nji viktimë e verbër që u paraprin katastrofave të mëdha në emën të drejtësive të mëdha klasore?!…

Migjeni mbetet në tërësinë e vet nji krijues i avancuar i relizmit kritik, por kurrsesi vepra krijuese e tij nuk mund të quhet pararendës i letërsisë proletare, as tendencë qorrnajash për shkallmime traditash. Së pari, Migjeni nuk ka letërsi të orientuar e të angazhuar, por akuzë të orientimit shpirtëror ndaj padrejtësive shoqërore. Së dyti, ai nuk njeh rolin e ndihmëslustragjiut e bojatisësit të realiteteve përditë e më tragjike në emën të lumturive që nuk u duken kurrë. Migjeni u cilësue nga realizmi socialist si pararendës i tij për shumë arsye tashma të njohura botërisht. Për t’u godit poeti ynë kombëtar Gjergj Fishta dhe kryevepra e tij kombëtare "Lahuta e Malëcis" duhej gjetur nga pseudoletërsia nji idhull i besueshëm i cili mund të ishte vetëm Migjeni për vetë fuqinë iluzive të artit të tij që buronte nga çdo pore dhimbje, gjak e qelb. Përzgjedhja e Migjenit në këtë rol u shkonte për shtat padronve sllavolindorë të parimeve leniniste mbi letërsinë e partisë. Por Migjeni u ndje tepër ngushtë, i vogël e i paplotë me mbush gjithë ato horizonte qiejsh që i sundonte profetësia e artit fishtian, ndaj dhe mbeti si nji varkë në detin e oqeanin e artit të traditës. Një vark pa port, anije, nëndetëse e flota të mëdha gjë e cila e fryu, e pompoi e tollumbacoi ashtu si "idhujt e rremë" të realizmit socialist për të mbush nji boshllëk të zbrazun të ushqimit idealist shpirtëror. Kjo përpjekje amatoreske e diletantizmit socialist për të mbulue diellin fishtian me lëkurën e artë të Migjenit ishte aq sa utopike edhe e dëmshme, hyjnizuese e hiperbolizuese për vetë lumin e vogël e burimet e njianëshme që reflektonte arti i thellë e i vertetë, por fatkeqësisht produkt i nji jete të shkurtër që bart më shumë vrulle, pathos e pasione, adoleshencë e iluzione se sa mundësi të praktikave reale dhe bashkëkohësi ideale.

Përpjekja mjerane e liderëve të Realsocit për të mbush qiellin e fjalës shqipe me Migjenin e Mjedën duke luftue deri në asgjësim Fishtën, Nikajn, Harapin, Gjeçovin, Prenushin etj., krijues e studiues që u shpallën reaksionarë e u etikuan me lloj lloj akuzash nga ma monstruozet, duke përfshirë "zogjtë pa flatra", "papagallët e diktaturës" "shokët komunarë" e tellallgjijtë e idhtarët e tjerë të Realsocit. Kjo goditje qëllimkeqe e cila në çarqe dogmatike vazhdon edhe sot, s’asht gja tjetër veçse ngushtim e zvoglim i qiellit tradicional të letërsisë shqipe me tendencë për errësimin e kollosve si Buzuku, Matrenga, Bardhi, Barleti, Variboba etj., lëvrues të traditës së fjalës shqipe. Pa vënien në vend nderi të të gjithëve, fjala e re udhëton pa genin e vet pa rrajët ushqyese të truallit të vet. Ka mendjelehtë që me egoizmin e padijen përpiqen ta nençojnë këtë traditë duke e akuzue si "letërsi murgjish" pa ia njohur epokën, vlerën, kumtin as mesazhet që mbarten në raport me flakën e shkruar në gjuhën tonë. Ky errësim qëllimkeq i traditës nga segmente të veçanta nuk u bani asnji nder as talentit të Migjenit e Mjedës, por as vetë idhtarëve pa krena të letërsisë e arteve si ndihmuese të diktaturës e zingjirëve të hekurt të saj. Mjeda e Migjeni kanë vendin e tyre të veçantë, të nderuar deri në shkallën eprore, por ata nuk mund t’i bajnë hije askujt ashtu si nuk mund të mbeten bimëhije e asnji tjetri. Qielli ka aq shumë yje dritëzues sa që askush nuk ka pse të vrasë dritën hyjnore me shpresën e verbër se do të zënë vendin e tyre. Kjo logjikë krijoi idenë megallomanike te shumë krijues e lulëzon me Realsocin. Orvajtja për ta "zvoglue" veprën e Migjenit duke e etiketue si pararendëse e Realizmit Socialist s’ishte gjë tjetër veçse përpjekje për ta kallupos e për ta formatue me shabllonet e artit dogmë të modelit. Por Migjeni nuk ishte shkrimtar as poet i kallëpeve të ngurrta e stampave të fjalës sterile, ai krijoi hapsirën e vet të bollëshme për t’i dhurue vehtes vend nderi në panteonin e pavdekësisë së fjalës së shkruar. Ashtu si Anteu që merrte forcë nga toka ashtu edhe këngëtari i mjerimit gjeti anteun e tokës së vet, Pukën e Lulit të vocërr, legjendës së misrit e bukurisë që vret, duke sundue përjetësisht atje pavdekësitë e tij, të cilat edhe pse rastësisht u bënë vitrina xhevahirësh e margaritarësh magjistar që askush nuk mund t’ua shuajë origjinën e dyfishtë, shpirtin e poetit dhe vendsubjektet të artit ngadhnyes të sugjeruar prej mbijetesës së tij. Kështu Puka dhe Migjeni mbeten dy vllazën siamez, asnjani nuk udhëton dot pa marrë tjetrin në kurriz, në shpirt e në frymë hyjnore. Fakti që Migjeni u emnue si mësues në Pukë në nji kohë kur brenda këtij rrethi funksionin shtatë shkolla në kushte primitive për arsimin pukajan ishte shtytje shpresëmadhe. Nxënës të tij por edhe bashkëkohës e më tej u shkolluan e u arsimuan në gjurmët e fjalës dhe eksperiencës së tij, mësimdhënës, edukator e luftëtar u paepun i dritëdijes.

Shumë studiues e analistë kanë pranue faktin se periudha e artë e qëndrimit të tij në Pukë asht periudha e artë e lulëzimit të artit të tij me përmasa gjithëkohore. Kam ndjerë kënaqësi të vërtetë kur mësova se për Migjenin dhe vlerat e tij të gjithanshme bashkëmësuesit, intelektualët, krijuesit e njerëzit e dijes e penës kanë realizue një sesion shkencor dhe botue nji libër me titullin kuptimplotë "Migjeni në Pukë". Aty janë përfshirë kumtesa, shkrime, kujtime.

Regjisori Fran Vukaj i dekoruar me dekoratën Martin Canaj, poet dhe krijues i talentuar, referon kumtesën me titullin magjistar: "Faleminderit, Migjen" (meditim). Ai thotë: "Puka dhe Migjeni plotësojnë mrekullisht njëri-tjetrin. Ata janë një binom i pandarë, janë sinonime të njëri-tjetrit. Kurrsesi nuk mund të kuptohen të veçuar nga njeri-tjetri".

Të faleminderit Migjen por edhe ty Fran, artisti i madh i "Njëqind Buzëqeshjeve" dhe ‘titullar’ i këtij shkrimi. Falenderoj nga zemra kryebashkiakun Halit Furrikun që në fjalën e tij titullue "Në gjurmët e Migjenit" ka vu emrin tim në kryelistën. Si poet, por edhe si shkrimtar, Migjeni plotëson magjikisht universin e tij të plotë me zjarrin e atij vullkani që me llavën e vet krijoi malet e veta të dhimbjeve e pikëllimeve. Duhet thanë se vargmalet e lahutës së Malësisë kanë vendin e vet ashtu si "Andrra e jetës" dhe "Juvenilja" e Mjedës, veprat e Asdrenit, Poradecit, Canajt, e të tjerë bashkëkrijues. Unë mendoj se tendenca për të hiperbolizue veprën e tij, i ban dam në radhë të parë vetë atij, ndërsa akuza se ai ishte pararendës i Realizmit Socialist, asht nji akuzë ashtu si qindramijëra shpifje, falcifikime, mohime, zhdukje e mashtrime që polli rrenalizmi i madh me liderët e vet të artit proletar. Zërat e dëgjuar në lamin e letrave për të vlerësue a çvlerësue krijuesit nga etnia, origjina a faktorë të jashtëfjalës e jashtëpohimit të tyne nuk u bajnë aspak nder, vlerë as lartësim shfaqësve të tyre, të cilët për fat të keq harrojë se letërsia e artet janë "njeriu e shpirti në universalitet", pastaj origjinë, etni, fe a raport kohor e natyral. Fenomeni i talentit dhe aplikimi real i tij nuk kushtëzohen as nuk parakushtëzohen nga shtysa të jashtme, por nga forcat e brendshme të genit individual të vetë krijuesit. Mjeda, Migjeni e Poradeci etj, i këndojnë botës së kafazit të vet e kjo u mjafton atyne për t’qënë bilbila të kohës së tyre. Fishta duke thye kafazët nuk priti të hapeshin ata, por i plasi e i bani copë e thërrime me forcën homeriane të artit të tij. Gabohen tmerrësisht të gjthë ata njerëz të letrave a papagaj të tyre që mendojnë se vetëm gjenitë kanë liçensa të krijojnë supervlera. Krijuesit janë si minierat, gjenden ku nuk pritet e zbulohen në jetë papritshmërisht. Kam ndëgjue se nji disident i nderuar ka diskutue për gjuhën e Migjenit, gja për të cilën sipas idesë time studiuesi gabohet. Gjuha asht për shkrimtarin e poetin vertetë lana e parë për veprat e tij, por ortografia e rregullsitë gjuhësore fillojnë aty ku ka vdek letërsia. Krijuesit e vërtetë krijojnë kodet e veta si kudo edhe në formatikat evulante të botës së fjalëve. Askush nuk e ka mandatin e formulës për të përligj rregullore, statute as kanone, kallupe as stampa teorike, as praktike në të cilat duhet të hyjnë krijuesit dhe krijimtaria. Migjeni në kohën e vet i theu të gjitha porcelanet, vorbat, vegshat, ortundat, çerepët, duke krijue prodhimet e veta unikale, që mbajnë përjetësisht vulën e tij.

Dikush mund të thotë se Migjeni ishte e do të mbetej si nji krijues i madh edhe për Pukën e binjakëzimin me të. Por ja që përgjigjen ua jep vetë Migjeni në Pukë, fjala plot emocion, dhimbje e shpirtit të tij të revoltuar ndaj mjerimit, varfërisë e padrejtësisë shoqnore. Pra, Migjeni dhe Puka, ky binom i përjetshëm udhëtojnë në kohra si dy vllazën siamez.

E Diele, 02 Mars 2008
Nga Ton Zmali

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*