Mjeshtri I Restaurimit te mobiljeve te vjetra

Dollapë që koha i ka dënuar me harresë, karrige gjithfarë modeli ku ka vite që askush nuk ulet, pasqyra sqimatare po aq sa edhe zonjat që dikur zbukuroheshin në to. Duket sikur jemi për vizitë në një shtëpi përrallash, por në të vërtetë nuk është kështu. 
Një burrë, hijerëndë për nga pamja, quhet Bajram Hyseni dhe sporti që ushtron, siç i pëlqen ta cilësojë punën që bën, është restaurimi i mobilieve të vjetra.
Bnajrami ka lindur ne fshatin Micoj te Pukes dhe qe i ri eshte marrë me punimin e mobuljeve të drurit.
Këtu, në këtë dhomë, Bajrami risjell në jetë, falë punës së tij të palodhur, antikuarë të harruar dhe të përçunduar nga koha dhe pakujdesia e njeriut.
Kur e takuam, ai po merrej me restaurimin e një komoje, e cila besohet t’i përkasë fillimit të shekullit të 20-të. Shenjat e cigareve të shuara mbi trupin e mobiljes tregojnë qartë torturat e ushtruara mbi objektin nga zotëruesit e saj në dekada.
“Kjo është një komo që i përket fillimit të viteve 1900. Kjo është gjetur në Pazarin e Ri, Tiranë, dhe një klient ma ka sjellë për ta restauruar. Ky është një punim i bërë me dorë. Perveç djegieve nuk ka dëmtime të tjera. Do t’i bëjme një pastrim-lustrim dhe mendoj se për 12 ditë do ta kthejmë në gjendje optimale”, shprehet Bajrami. 
Ansambli imobiliar, ku koha dhe faktori shkatërrimtar njerëzor, kanë ushtruar ndikimin e tyre negativ, është i gjerë. Kjo karrige, ku merimangat kanë ndërtuar mbretërinë tyre, mendohet t’i ketë përkitur një familje të kamur të kohës.
Bajram Hyseni                                         
“Këtu kemi një karrige e cila mendohet të jetë e vitit 1920. Thuhet se është model austriak. Edhe këtu punimi është bërë me dorë. E veçanta e kësaj karrige është se mbështetëset i ka me një lloj materiali të veçantë”, shpjegon Bajrami. 
Objektet drusore në këtë dhomë janë të shumëllojshme. Dikur, ky lloj modeli pasqyre ishte mëse i zakonshëm në paradhoma apo në dhomat e gjumit. 
“Këtu përpara kemi një konsul me pasqyrë. Mendohet që duhet të jetë e fundit të viteve 1800. Është punuar me dru amerikan. Ka disa pjesë që i mungojnë dhe që do t’i zëvendësojmë për ta kthyer në gjendje të mirë. Ajo që është e veçantë këtu, është xhami origjinal”, thtoë Bajrami.
Dhe nuk ka sesi të mungojnë, në të gjithë këtë mori sendesh, që presin dorën e restaurimit, edhe punime made in Albania. Kjo bufe, vjen nga veriu i vendit dhe është objekti më i moçëm në këtë dhomë.
“Kjo është një bufe dykatëshe. Nuk gjen më si ky model. Ka qenë në një gjendje shumë të keqe. Xhami i bufes është origjinal madje është i ngjitur me kallaj”, thotë Bajrami.
Dashuria e këtij njeriu për drurin nuk do shumë për t’u kuptuar. Mjafton të shkëputesh pak nga atelieja e tij dhe të ngjitesh një kat më lart, në banesën ku ai jeton. Gjithçka këtu është e punuar me dru dhe pjesa më e madhe e orendive shënojnë në pasaportë të paktën 150 vite jetë
“Këtë zanat unë e kam mësuar në vitin 1991, në Greqi dhe me kalimin e kohës kam filluar ta perfeksionoj, kuptohet edhe duke e vjedhur zanatin. Është një punë shumë e lodhshme të merresh me restaurimin e këtyre objekteve dhe po kështu edhe t’i gjesh. Mobiljet e vjetra i gjej në pazar, ose mi sjellin tregtarë të ndryshëm, ose edhe klientë të cilët janë të interesuar për t’i pasur”, thekson Bajrami.
Dy dekadat e fundit të punës së tij, Bajrami i ka ndarë midis Shqipërisë dhe fqinjit jugor Greqisë. Ai ka parë shumë dhe është i aftë të bëjë një krahasim midis kulturave imobilare të dy vendeve.
“Në Shqipëri, kultura për mobiljet e vjetra është pak më e ulët. Kjo ka të bëjë me dashurinë që ne kemi për antikuarët. Kjo vjen edhe prej faktit që nuk kemi prodhuar mobilje të tilla dhe nuk ua njohim vlerën. Janë pak ata që njerëz që kanë kujdes”, thekson Bajrami. 
Marre nga “topchanell”, 14.06,2010
   

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*