Mësues dhe mjeshter i punimeve në dru e gur

Nga Gjon Gjoni

Xhemal Çaushi është i datëlindjes 15.04 1949, i lindur në fshatin Truen. Rrugën e dijes e fillon në vitin 1957, në bankat e shkollës së vendlindjes, me mësuesin e parë Hamit Ismail Ahmetaj, për të mos ju ndarë studimeve në auditorët e shkollave deri me mbarimin e shkollës së lartë. Pasi merr dëftesën e arsimit 8-vjeçar, i jepet e drejta të vazhdojë shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Jukali në Shkodër. E mbaron këtë shkollë më 1969, dhe po këtë vit emrohet mësues i shkollës Truen-Vaspas. Pas dy vjetësh, po në këtë shkollë punon në detyrën e drejtorit. Prej këtej, në Institutin e Lartë Pedagogjik Shkodër, ku arsimohet për degën Gjuhë-Letërsi. Përsëri mësues në Truen, por vetëm një vit. Në vitin 1976 emrohet drejtor shkolle, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë, pa ndërprerje edhe tani që po shkruajmë këtë copëz të biografisë të punës së tij.


                                                    Bregu i Liqenit- Truen  

32 vjet pune në arsim e kualifikojnë Xhemalin si mësues dhe drejtues institucioni të shkallës së parë. Shkolla ku punon e drejton ka qenë dhe mbetet ndër më të dalluarat. Këtu janë zhvilluar seminare përgjithësuese në shkallë zone, vetë Xhemali ka drejtuar komisionet lëndore në shkollat e Blerimit, dhe është aktivizuar në ekipe kontrolli nga ish – seksioni i Arsimit dhe Drejtoria Arsimore e Rrethit.

Duke hedhur vështrimin në vite ai cilëson se nuk është vetëm puna ime, por e gjithë kolektivit mësimdhënës, këto të ardhur edhe nga rrethe të tjera. Të përmend mësuesin Vasil Vasili, nga Saranda, ku qëndroi 6 vite në këtë shkollë, Lefter Fuçi nga Gjirokastra, pesë vite, Zamak Skënderin nga Korça (2 vjet), Theodhoraq Malon nga Saranda (4 vjet) e shumë të tjerë, të cilët pa përfillur vështirësitë, kontribuan në mësimin dhe edukimin e fëmijëve të fshatrave Truen-Sakat. Të sjell kujtime nga historiku i hapjes së shkollës së parë shqipe të zonës, në fshatin Sakat, në vitin 1936, me mësues të parë Frano Jakoven nga Shkodra.

Kjo shkollë me tradita ka nxjerrë nga gjiri i saj nxënës dhe studentë të talentuar. Në historikun e këtij institucioni gjenden emra të tillë, si Sherfi Çaushi, i cili pas dy vjet studimi për Matematikë-Fizikë si student i shkëlqyer studion edhe për 5 vjet Fizikë në Francë.

Nga ish nxënësit e tij, Xhemali të thotë edhe për Ismail Ahmetajn, për Kujdesin, Linditën metë njëjtin mbiemër, që kryen shkolla të larta për inxhinieri mekanike, ndërtimi, veterinari, Xhemal Dervishin, agronomi, Agim Thaçin, mësuesi etj. Tani të thotë se të gjithë mësuesit janë vendas. Por i pyetur për frekuentimin e shkollës, ai përgjigjet: – Ka rënie në numër nxënësish për arsye migrimi të familjeve. Në vitin 1990, ishin 80 familje dhe 137 nxënës, sot kanë mbetur 22 familje me 45 nxënës. Këto vijnë në shkollë, por ky numër sa vjen e pakësohet.

E Xhemal Çaushi, ndoshta i vetmi drejtor shkolle (mbi 3 dekada) në vendlindje, është i pasionuar edhe pas mjeshtërisë së punimeve në dru, e gdhendie guri. Vitet e fundit ai u paraqit në ekspozitën e qytetit të Pukës me 11 punime, të cilat u vlerësuan shumë prej tyre si më të mirat dhe mori çmime për to.

Mësuesi, drejtori dhe mjeshtri i talentuar vazhdon të punojë duke mos hequr lapsin, daltën dhe çekiçin nga dora e tij.

Marrë;  Nga libri Udhërrëfyesit e Dijes, të autorit Gjon Gjoni

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*