(shkurt, 2010)
Kanë një pozim të përbashkët, gratë e Veriut të thellë. Qëndrojnë si rastësisht diku në pritje, teksa shikojnë në pafundësi…. Gruaja, ndoshta 55 vjeçare, as denjon të na hedhë sytë, kur kalojmë atypari. Është e përqendruar e gjitha diku mbështetur në trungun e një peme. Dhe, pllaja e Qerretit, me shtrirjen e saj- ia jep këtë mundësi. Rrezet e diellit, këtu duken më të plota, ndërsa këtë mëngjes shkurti kanë shpërthyer retë, që qëndrojnë të gufuara mbi një nga komunat më të njohura të rrethit. Qerretin e përshkruajmë blic, pasi Jutta i ka derdhur që nga larg objektivin e saj këtij monumenti natyror. Si për të mos e trembur. Pak minuta më vonë i jemi afruar Pukës…
Pak minuta në Pukë
Ndërsa, përshkruajmë qytetin, Mercedesi, jo sak i vjetër, gulçon në rrugën kryesore që të dërgon në ish-Turizmin e qytetit. Ngrica e rrugës ia anon shpesh më përdhuni fundin, ndërsa turiri me tre cepëshin klasik gjerman, mundohet të mos epet. Gjithsesi, vetëm pas 4-5 minutash jemi në qendrën e pandryshuar prej vitesh të qytetit të Pukës. Tufa e rrezeve, këtu mezi ia ka dalë t’i përçajë retë e ngarkuara tejet xhamisë. Kjo e fundit, që ndodhet pas Qendrës, të duket në një mjedis gati surreal: Fashë drite në mugëtirën e ditës…Përparim Laçi, sportisti i vjetër i Pukës, vjen shpejt. Kemi folur një ditë më parë në telefon dhe është treguar i gatshëm për të gjitha. Ngutshëm. Teksa i jap dorën rrëzohem. Është e katërta herë, që më ndodh kjo gjë në pak minuta, por në kokë më trand ideja se më presin dhe shkarje të tjera spektakulare. Përparimi ma shtrëngon dorën në një pozicion sikur më ka hedhur knock out. Akoma s’jam çuar. Justifikohem me veten, si gjithë të pafuqishmit. Jam në "ringun" e tij. Trajneri i ekipit kampion të Shqipërisë në ski, nuk "e shijon" fitoren, por më jep një këshillë edhe më trishtëse: Do kesh më vonë dhimbje në trup. Ky burrë simpatik, tepër i pranishëm në media, sot është një lloj kryetari bashkie në hije i qytetit. I njeh të gjithë, ndihmon kë mundet dhe flet dhe punon me këdo. Kalimi i kohës me këtë mënyrë jetese e ka nxjerrë të suksesshëm. Është nga të pakët shqiptarë të provincës, që nuk ankohet për qytetin e tij. E jo vetëm kaq, por na tregon me pathos se këtu s’mund të jetohet. Fiziku i mirë dhe energjitë e shumta, e kanë bërë që të ketë një humor konstant. E kujtoj kur me një grup kolegësh të tij alpinistë të Tiranës, arriti dhe u ngjit deri në kuotën 5500 metra deri në një nga kampuset e Himalajeve. Pastaj e kam humbur krejtësisht ngaqë nuk i ndjek kronikat sportive. Atëkohë, kujtoj se për shkak të fee-së së kripur kanë zbritur. Anipse, edhe pse u trishtuan për atë që s’mundën, Përparimi erdhi me një pasuri të madhe në kokë. Hanet aziatike dhe pritje-përcjelljet e tyre i kanë sjellë një ide. Pak muaj më vonë do ishte ideator i projektit "40 Hanet e Shqipërisë" dhe madje një nga të parët që e bëri realitet. Në një odë të Ish-Turizmit, ku foto të Lambertz-it dhe Ippen të rrethojnë ngado dhe të afrojnë natyrshëm me Pukën e vjetër, shkëmbejmë kujtimet e sportit dhe në fund i shpjegojmë sërish qëllimin. Për fat, Përparimi nuk e njeh fjalëzën mohuese: Jo. Pastaj sërish flasim pak për Ippen dhe Lambertz dhe Pukën e tyre. Jutta ngazëllehet me këtë të fundit, kurse Përparimi na shpjegon se hani (alias vila e tij trekatëshe) i tij është vetëm pak më larg, një hani të dikurshëm…Shoferin tonë ndërkohë e ka zënë një gjumë krejt dimëror dhe i patrazuar…
Intermexo
Në kronikat hartografike është shumë e përmendur dhe studiuesit vendas përmendin sesi Ptolemeu nuk e shënon rastësisht qytetin Ad Picaria, ashtu siç nuk mund të shënonte rastësisht qytetet e njohura para tij, si Lissus dhe Skodra. Prandaj, Ad Picaria në shek. II, afro 1800 vjet më parë bëhet i njohur si qytet në brendësi të vendit. Në vazhdim, në shek III-IV, në Tabulla Peutingeriana, në Itinerarët (harta të rrugëve antike), Ad Picaria shënohet fill pas qyteteve Skodre dhe Lissum, XXX milje në verilindje të Lezhës.
Mbas shek. VI, Ad Picaria nuk gjendet e dokumentuar. Ç’ndodhi me të? Shuflai (historian kroat, studiues i historisë mesjetare shqiptare), thotë se shumë qytete të Ilirisë u dogjën dhe u shkatërruan gjatë pushtimeve të fiseve barbare. Këtë fat pati, pra, edhe Ad Pikaria. Ndërsa Puka del e dokumentuar vetëm në veprat e Prokopit të Çezaresë (historian i madh bizantin i kohës së Perandorit Justinian).
Drejt Qerretit
30 minuta më vonë kemi saktësuar përfundimisht planin tonë. Do shkojmë në Qerret, në një vend që dikur ka qenë edhe më i madh se Puka vetë dhe që vite më parë, në një eksperiment të pasuksesshëm, u tentua të ishte një fshat i mirë socialist. Guida jonë ka një makinë të lartë me timonin britanik dhe kjo na ndihmon t’i shkojmë qendrës së komunës bash në vendin e saj. Si në një mjedis krejt kiç, dy ndërtesa të lyera krejt me një blu të zbërdhylur i bëjnë kontrast kohës dhe blusë së qiellit, që duhet të ketë javë që nuk duket këtej. "Në kohë të Enverit, ky vend u llogarit që do mblidhte banorët nga anekënd fshatrave të Pukës dhe do punonin. Sot? I shikoni këto dy ndërtesat. Poshtë kanë berra, thi…".Në fakt nuk na rezultojnë ashtu dhe vetë Përparimi për një moment mëdyshon. Ani na ndihmon të flasim me banorët. Kryqëzohemi me dy makina të larta, ndërsa një grup fëmijësh, që sapo kanë mbaruar shkollën sorollaten më kot …Pallatet janë tipike të asaj kohe, ndërsa varfëria e punimeve dhe pak gjërat që e rrethojnë, e bëjnë mjedisin shumë vrastar. Një gjë në mes të qytezës së vogël socialiste dhe fshatit. Por regjimi shkoi dhe më tej. Shpyllëzoi sipërfaqe të tëra me shpresën se do arrinte të prodhonte më shumë në këto toka. Kuptohet se ishte e pamundur. Toka inproduktive s’mundi të plotësonte planet pa bereqet të qeverisë së atëhershme aq ideologjike.
Në fakt s’ka bagëti në ndërtesa. P. D. , 62 vjeçar, më shikon dhe nuk e kupton se çfarë bëjmë me fotot tona. Jemi ndarë në tre pjesë. Mundohem ta pyes në mënyrë të çrregullt. "A sikur të mos ishin këta emigrantë, bash të gjithë do kim dek", më thotë shkurt. Si e shtyni këtu?-i pyes. "Jetojmë. Jam i ramë. Ken’ dash dhe menu se gjërat do ndryshonin por asgja nuk kena. Kurrgja. Dobët. Jo se gjanat s’kanë ndryshu, por kjo s’quhet jetë". Është e vërtetë. Kanë gjërat më të domosdoshme në shtëpi, por kjo jetë në këtë vend kaq të zhveshur, në këtë bardhësi, gati nuk të thotë asgjë. Sakaq, më kureshtarët janë afruar. Janë afruar një grup djemsh, që mbajnë si repistat, kapuçonët e pahequr nga koka dhe se me çfarë përtypen. "Ç’ka po doni?"-ma pret njëri prej tyre. Hiç. Ti?-ia pres. Ngre supet. Një burrë tjetër me një emër katolik është shumë kurioz për foton që i bëj një si mullari. E pyes për bagëtinë dhe mbijetesën. "Rrimë me bagëtinë, sepse ndryshe do kishme cof", ma pret. A ka punë? "Duhet me shku në Pukë dhe atje me këqyr ndonji gja. Por vallahi dobët asht’", ma pret. Jutta më duket se nuk e ka gjetur objektin për veten, sepse kjo është thjesht një ndërtesë në një komunë fshati. Ka të ngjarë që të dy te jemi pak të deziluzionuar sepse ishim të mezi-pritur që të shikonim një përshtatje…jetese në kohët e reja. Në vend të kësaj, qetësi dhe hallakatje e kotë. Në një kronikë të dikurshme në këto pak kilometra katrorë, banorët gati luftonin me njëri-tjetrin. Lufta bëhej për kullota. Për ato, që banorët e sotëm pothuaj nuk kanë përfituar gati asgjë. Përveç varfërisë. Po qëndroj edhe më në një si zgëqe, ndërsa dy djem më ngacmojnë për aparatin. Një burrë, që i shmang, dhe që do të bisedojë më kthehet gati me fraza atike, duke më shpjeguar situatën: "Mundohena. Kena pak gjana. Rroftë emigracioni". S’kuptoj sërish gjë. Pse jetoni atëherë këtu, ia pres. "Ku dreçin me shku",-ma pret
Intermexo2
Tërbuni ka kullota të mira që i shërbejnë fshatit Kqira si kullota veriore, meqë këto kullota nuk janë larg dhe nuk janë larg vendbanimit të Pukës. Banorët muhamedanë të Pukës kanë hyrë në konflikt me banorët katolikë të Kqirës për të. Fshatrat në të dy shpatet e Lejes përbëjnë një bajrak, që e ka bajraktarin në fshatin Qeret i Epërm, e për këtë shkak edhe bajraku quhet i Qerretit. Ai numëron 1450 frymë prej të cilëve 1210 janë të besimit katolik dhe 240 janë muhamedanë. Fshatrat janë Dushi, Kqira dhe Qerreti i Epërm në luginë të Gomsiqes, Komani dhe Qerreti i Poshtëm në luginë të Drinit apo në shpatin verior të vargmalit që mban një orë e gjysmë, shkruan Ippen.
Kryetari i Komunës
Përparimi është i pari që e mbledh veten në grupin tonë. A shkojmë më mirë te kryetari?- na thotë. Rrok Ndrec Dodaj, është një burrë i ri, i cili ka fituar mandatin e tretë në komunë. Pas përshëndetjeve të rastit, biseda është e thjeshtë: A është sërish aq e varfër Qerreti, sa duket nëpër fshatrat e saj?! Burri ndalon një moment. "Nuk është varfëri kaq e tejskajshme", ma pret teksa i shpjegoj për dy lagje në Luf, që e kanë vështirë dhe për ujë dhe kushtet kryesore të higjienës. Ka një farë të drejte: Shtëpitë e fshatarëve janë tejet larg me njëra-tjetrën dhe vështirësisht të pambajtshme e të paadministrueshme nga pushteti lokal. Vetë Qerreti kufizohet njëkohësisht me tre qarqet më të mëdha të Veriut: atë të Lezhës, Shkodrës dhe Kukësit. Lezhës i afrohet komunën e Ungrejt, ndërsa Mirditës me komunën e Kaçinarit, Pukës i afrohet në Gjegjan, kurse Shkodrës me Bashkinë e Vaut të Dejës…." Me një popullsi prej 3700 banorësh, komuna me 12 fshatrat e saj ka një shtrirje prej 230 kilometrash katror. Qerreti, Kqira, Lufi, Plep, Fier- Gomsiqe, Vrith janë disa nga fshatrat kryesorë dhe mbi 50 % punojnë në emigracion në Itali dhe Greqi si gjithë shqiptarët. Familjet kuptohet kanë burimin e parë bagëtinë dhe më pak bujqësinë. Por s’dalin…", më sqaron burri i ri. Toka është ndarë me Ligjin 7501 dhe me trojet e vjetra, por me forcat që kanë këto familje s’ka standarde, që ata të arrijnë dhe të dalin me prodhimet e tyre. Një përpjekje e pamundur duket se po bëhet edhe me magazinimet dhe prodhimet bujqësore, që duket se me modestinë e tyre nuk do munden dhe për shumë kohë ta sigurojnë dot mirëqenien e banorëve. "Në Shoqatën AgroPuka me një projekt zviceran janë bërë disa ndërmarrje dhe me një pronare Marie Shkjau, që ka bërë një fabrikë për prodhime frutash. Janë dhe të tjerë që prodhojnë në bujqësi. Dhe ato tregun e gjejnë nga Agropuka që i mbështet. Por kaq…". E pyes për pronat dhe a munden këto zona me burimet e tyre t’ia dalin. Sërish mëdyshje.
Pjesa e fshatit me fshat i ka të ndara mirë pronat administrative dhe Komuna e Qerretit "është nga më të shpejtat, që ka arritur të bëjë transferimin e pronave nga shtetërore në komunale dhe ka bërë po ashtu ndarjen e planit dhe menaxhimit të pyjeve me të cilën ka bërë dhe ndarjen. Normalisht në komunë janë rreth 9700 ha dhe kullota me pronësi të Qerretit, kurse pjesa tjetër është tokë inproduktive që në kohën e monizmit, ku janë shpyllëzuar dhe janë bërë toka bujqësore rreth 35,000 ha", thotë kryetari.
Varfëria
Paçka notave të zbutura të kryetarit, një shifër, që më thotë më vonë, të shqetëson dhe të fal kuadrin e zakonshëm: "Kam 440 familje që marrin asistence, nga 1300 familje, që ka komuna. Pjesa tjetër 160 familje jetojnë me buxhetin prej punëve me arsimin, shëndetësinë etj. Me këtë shtrirje, ju e kuptoni se ka problematikë dhe kuptohet se nuk ka plane urbane dhe shtëpitë janë të ndara. Por, situata s’është aq e zezë. 10 fshatrat e komunës Qerret janë me ujë të pijshëm dhe kanë sisteme të ujit. Ka shtëpi të veçanta që janë larg dhe që shfrytëzojnë burime natyrore, pasi projekte për shtëpi të veçanta nuk mund të bëhen" . Është në prag të një projekti dhe kur e pyes për stafin na përmend ligjin se mund të operohet dhe me të tretë. E pyes nëse do të kandidojë sërish dhe çfarë do donte të linte në fund të punës së tij. Më thotë diçka, që në fund zbërthej kryesoren: Do të lerë një infrastrukturë…
Gati një vit më parë, kam qenë në një kishë në Kqirë, ku një prift i huaj është munduar të menaxhojë gjithçka. Është shkruar shumë për të dhe përpjekjen, por shqetësimi është sesi vetë shqiptarët arrijnë të përshtaten, kur menaxhohen nga të huajt. Për këtë s’kam përgjigje. Modeli i priftit është aq i thjeshtë sa nuk mund të merrej me mënd!!! Duhej pak ndihmë nga jashtë, të cilën mund ta bëjë çdo lloj strukturë shtetërore, dhe pastaj ishte Okay. Por ç’të themi? Prifti organizonte fëmijët dhe familjet e varfra të mblidhnin bimë medicinale, lende lisi, dredhëza (luleshtrydhe) dhe pastaj ua blinte. Ai vetë gjente tregun. Problemi ishte i tregut të shitjes, por për këtë shteti ngre supet…Shikoj nga larg Përparimin, që është mërzitur nga biseda jonë me kryetarin. Duhet ta kemi tepruar. Zyrtari i ri lokal, i mandaduar tre herë dhe plot energji, mbahet si një nga komunarët më me vizion…
Sërish me Përparimin në han
Sipas traditës, burri na përcjell deri tutje. Më premton se do më sjellë disa të dhëna via-email, por ato, ashtu si e parashikoj s’mbërrijnë kurrë. Ndahemi. Përparimi na ka ftuar në shtëpinë e tij dhe do të na bëjë surprizë pistën e tij të skive. Është në lagjen Laçaj, në vendin e racës së tij. Është një nga katër lagjet autoktone të Pukës bashkë me Dregzaj, Kukaj dhe Mehaj, që e rrethojnë qytetin. Na ka mbetur mendimi te stanjacioni i këtyre banorëve dhe pashpresa. "Nuk bëhet gjë po nuk punove, ma kupton mendimi Përparimi. Kam një fjalë në kokë: Edhe nëse nuk ke punë bëj diçka. Mos rri në vend!"
Për Përparimin duhet të ketë qenë një goditje e vërtetë ideja e haneve, që ka parë në Himalaje. Pastaj ishte e thjeshtë: Kishte një shtëpi karakteristike alpine, shumë miq turistë, materiale skije dhe gjëra të tjera, pse të mos e shfrytëzonte. Na shpjegon, teksa e lëmë Pukën tash në një kah tjetër, ku ngjitesh drejt bjeshkëve, ku ndodhet shtëpia e tij: Si ka mundur të ngrejë bizneset e tij? Ato shkojnë që nga shërbimet, blegtoria, hoteleria dhe pista e skive, e cila tash do asistohet dhe me një ndihmë nga Komiteti Olimpik. Si do të vazhdojë dhe pse beson se biznesi i tij do të ecë? A ka mundësi, që t’i bëjë një njeri krejt i vetëm?! Në fakt është bashkë me të shoqen dhe pesë fëmijët, dhe askush nuk pushon në familjen Laçaj. Të gjithë e kanë një detyrë. Ndërkohë fëmijë, dhe të rinj pa fund bashkë me fëmijët e tij (dy syresh kampionë të Shqipërinë), rrëshqasin lirisht. Ne e këqyrim këtë, teksa jemi miqtë e tij, në pasditen e vonët të ditës. "Kam krijuar dy-3 shtëpi të tjera Janë njerëz të mirë, me edukatë dhe me njerëzi në pritjen e njerëzve. Këtu janë 11 mjedise që do i shihni me banjo, pa banjo. Ka kapacite me 11 dhoma dhe 20 shtretë. Ka internet dhe gatim shtëpie, guida për ski dhe alpinizëm. Janë 15 euro për person në ditë, ku veç tre vakteve hyn dhe guida dhe mësimi i skive. E kam ëndërr që kjo përvojë të rritet ngado dhe idenë, që po e mbështet edhe Ministria e Kulturës që Hanet të shkojnë edhe në Theth, Valbonë, Bogë e gjetiu" . Çdo gjë në këtë vend e ka një rend: Gruaja i përshtatet me gatimin familjar dhe me mikpritjen që është e rrallë. Të gjithë fëmijët në mirësjelljen dhe pranimin. Në hanin e Përparim Laçit nuk dimë se çfarë t’i themi në fund, veçse të ketë fat. Trishtimi më i madh është pas kësaj dite të lodhshme se pse është kaq e pamundur që të dalin shqiptarët nga stanjacioni dhe gjendja e pritjes…që i mban të ngërthyer kaq frikshëm. Kë presin vallë? Çfarë bëjnë gjithë këto mekanizma, projekte? Kur ndahemi afër muzgut me Përparimin te pista e tij dua ta pyes dhe njëherë: Pse nuk bëjnë dhe të tjerët diçka?-i them. Gjithkush mund të sajoj diçka. "Duhet me punu, thjesht", ma kthen. Ndahemi gati në errësirë.
…
Ka rënë i plotë muzgu. Një grua, me veshjen karakteristike të Mirditës, është mbështetur në fund të rrugës së Pukës. Nuk është ajo e mëngjesit, kuptohet, por ka të njëjtin vështrim- Pa përcaktim. Marrim rrugën në kthim, ndërsa një thellimë e lehtë ngrihet në ajri. Të jetë ky shikimi i pashpresë i malësorëve të Veriut!!!-mendojmë rrugës në kthim në shkurt-dimrin e vitit 2010.
Marre nga revista "MAPO"
Leave a Reply