Poezi nga Petrit Nika

Kthimi i Odiseut në Itakë

Agshol mjegullor. Anì misterioze,
çan ujërat e mefshta të detit Mesdhe,
kërcasin direkët dhe velat e mallit
mbështillen mbi krye t’udhëtarit Odise.

Zgjohen ngadalë syprinave gjallesat,
llampat e qiellit fiken në fshehtësi;
njëzet vjet heroi humbi në detëra,
tevona – gjet vragën e Itakës së tij.

Mbi tëmtha thinjat i zbardhin n’për ag,
(kreshnik itakas riosh la atdhenë);
Kaq vite firuan; me humbje a lavd,
kurrgjë djalërinë heroit s’ia kthen.

Anì misterioze mes ujërash hepohet,
ta presë në breg askush s’ka dalë,
asnjë flamur për heroin s’çohet,
veç shiu këngëzon mbi direk me mall.

S’ka as Penelopë. Çdo ndjenjë zbehu koha
Dhe pritja e femrës e pati një cak.
S’e dinte Odiseu ç’legjenda të kota,
kthimi i tij do mbillte mbas pak.

Odiseu n’Itakë mbas vitesh t’shtegtimit,
s’u kthye të mbretërojë; u kthye të vdesë,
këtë gjë fort mirë e dinte Penelopa,
ndaj mashtroi kush tha se kuturisi të presë.

Itakë e gjorë! Burrit të lavdishëm,
nën qiellin e vranët moskokëçarëse i rri,
mbi tëmthat e bardhë të luftëtarit pikët,
rrëshqasin me mal dhe prehen m’anì.

13 korrik 2005

Dasma e Ifigjenisë

Gjithë ditën n’lumë Ifigjenia
U çmall me shpirt llagar;
Ndërsa n’ujdhesë, zgavra me mija
E prisnin plot ushtarë.

Një re e bardhë shaluar kish
N’Aulidë, kodrat përçark;
"Zefiri shpejt për ne do fryjë!"
– tha njëri nga detarët.

Dhe zbrazën kupat plot me verë,
për nder të hyut Poseidon,
dhe ditën shtynë të rëndë beter,
bashkë me prijsin Agamemnon.

Kur dita u bor larg ndër valë
Dhe mbrëmja e fshehu n’terr limanin,
një kor hyjnish u shkreh në vaj,
vajtonin bijat e oqeanit.

Aherë, n’Mikenë vasha e shkretë
Përmallur hynte në pallat.
(N’për ag, mbi kalë pas Odisesë,
nesër do shkonte nuse larg.)

Ende s’e dinte kjo ferishte,
ç’fatkob hyjnesha i kish gatitur,
i mrrolur nxinte Odiseu
dhe pinte verë me miq të fisëm.

Orët kalonin. Hije t’Erebit
Përgjonin Mikenën rreth e çark.
Mesnatë. Prân lira dhe aedi
I fundit shkon të flejë në shtrat.


Rrugët flenë. Fle pallati,
Ifigjenia, krushk Odiseu,
përmes rruzullimit kalon Hipnosi
dhe shpall pushtet n’qytet t’Atreut.

Fshehtas në gjumë, ati i mnershëm
I kumt ca fjalë vashës së gëzuar;
"O bijë, që era të bredhë ujdhesës,
hyjnitë për fli të kanë caktuar.

Nga dor’ atrore, gjakun n’altar
T’kërkon mëni e Artemidës,
ku presin fllugat radhë – radhë,
thellë në liman, pranë Aulidës."

Mëngjesi gdhiu me diga resh,
përmbi kodrinat gëlqerore.
Fugonte gjogu i Odisesë,
përmbrapa nusja si fjoll’ bore.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*