Presidenti Topi në Pukë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me dt. 30 tetor 2011 paradite ishte në qytetin e Pukës, i pranishëm në evenimentin kulturor “Sofra Pukjane”, organizuar nga intelektualë dhe biznesmenë të qytetit të Pukës për të promovuar traditën dhe kulturën e kësaj zone. Në eveniment ra në sy mungesa e zyrtarëve të PD-së dhe e kreut të bashkisë së Pukës, Beqir Arifaj, si dhe deputetëve të mazhorancës së Qarkut të Shkodrës. Të zgjedhurit vendorë e kishin paralajmëruar bojkotin ndaj numrit një të shtetit. Me këtë rast, Presidenti dekoroi me Urdhrin “Nënë Tereza” dhe “Mjeshtër i Madh” dy figura të njohura të Pukës.

                                         Pukë 30 tetor 2011.

 

Presidenti B. Topi i dorëzon Urdhërin “Nënë Tereza” akorduar M. Dod Alis, djalit të tij
Nikoll Marka Dodës.

 

Presidenti Topi i dorzon Urdhërin “Mjeshtër i Madh”, Pukë 30 tetor 2011.

Në qendër të Pukës, kreu i shtetit u prit në një tmosferë të përzemërt e festive nga ideatori dhe organizuesi i “Sofrës Pukjane”, Arjan Ndoi, nga intelektualë, artistë dhe qytetarë të shumtë të mbledhur me këtë rast

 

Pasi vizitoi “Ekspozitën etnokulturore” të qytetit verior të Pukës, kryetari i shtetit mori pjesë në aktivitetin e përvitshëm “Sofra Pukjane 2011”, në koncertin e madh festiv me këngë dhe valle popullore e karakteristike të trevës, që u mbajt në shtëpinë e kulturës “Eqerem Çabej”. Me këtë rast, u zhvillua edhe ceremonia e dekorimit të dy personaliteteve të njohura të Pukës, ku, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe  leximit të dekreteve presidenciale nga sekretari i përgjithshëm, Aleksandër Flloko, Presidenti i Republikës, i dorëzoi zotit Elez Rrust Selimi, Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Për punë të palodhur e plot përkushtim në shërbim të shëndetit të njerëzve, për rezultate të larta në aplikimin e arritjeve bashkëkohore të mjekësisë në vendin tonë”, si dhe familjarëve të zotit Mark Dodë Alia (Pas vdekjes), Urdhrin “Nënë Tereza”, me motivacionin: “Veprimtarit patriot, i cili jetën e vuri në shërbim të bashkimit, arsimimit dhe përparimit kombëtar dhe që diti t’i qëndrojë me dinjitet persekutimit të regjimit komunist”.

 

 

Vallet, muzika tradicionale e zonës e luajtur nga çiftelitë, fyelli dhe daullet dhe vargjet e Reshat Arbanës krijuan një atmosferë festive te “Sofra Pukjane”. Aktiviteti kulturor “Sofra Pukjane” zhvillohet për të katërtin vit, duke u kthyer tashmë në një traditë për qytetin e Pukës. Në fjalën e tij, Presidenti është shprehur se “e prita më shumë dëshirë ftesën për të marrë pjesë te ‘Sofra Pukjane’. Aktivitete kulturore si ‘Sofra Pukjane’, apo ‘Oda Dibrane’ apo ‘Sofra Tiranase’ krijojnë mundësinë e ruajtjes së traditës kulturore dhe të unitetit.

Kjo është krenari jo vetëm e Pukës, por e së gjithë Shqipërisë. Presidenca do të dekorojë dhe figura të tjera të Pukës, por këto dekorime do të bëhen në Presidencë”. Më tej, kreu i shtetit tha se “ndihem i gëzuar dhe i emocionuar sa herë që vij në Pukë, sepse te ju gjej mikpritje, gjej bujari, gjej alegri, gjej gëzim, gjej solidaritet dhe jo pa qëllim më kujtohet i madhi profesor Çabej, i cili nga studimet e tij kishte nxjerrë, mbi baza shkencore që Puka vinte nga fjala ‘Publica via’, të pushosh i qetë. Pra sa herë vij këtu, vërtet që ndihem shumë mirë”., Presidenti është përshëndetur me qytetarë të shumtë që e prisnin në qendër të Pukës dhe ka pranuar ftesën për një drekë me personalitete të Pukës që kishin ardhur nga qytetet ku jetojnë, jashtë dhe brenda vendit.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*