Reportazh nga Puka

Migjen, faleminderit: Pas 70 vitesh përsëri "mes nesh"

Me të zbardhur dita e 6 marsit 2006, në orët e para të mëngjesit, nën puhinë e një shiu të hollë e të akullt, së bashku me Drejtorin Rajonal të Arsimit, z.Loro Mandi dhe përgjegjësin e Sektorit të Inspektimit pranë Qarkut Shkodër, z.Arben Dani, ngjitemi në drejtim të Pukës, e thënë ndryshe nga kuota 30 drejt lartësisë mbi 700 m mbi këtë nivel. Shoferi i Drejtorisë Rajonale të Arsimit, Tishi, siç i thërrasim të gjithë, është koshient për përgjegjësinë e kësaj ngjitjeje. Ditë më parë ai për arsye pune ka qenë në këtë zonë që këtë dimër përjetoi temperatura deri në minus 30 gradë.

 Një ditë më parë mediat njoftuan për bllokim të rrugës Fushë-Arrëz – Qafë Mali. Megjithatë le të shpresojmë të na ecë mbarë, thotë me humorin e një shkodrani plot gjallëri Tishi. Dëshira e të gjithëve, dëshira për t’u "takuar" me Migjenin pas 70 vitesh, kur filloi të punojë si mësues në këtë trevë është disi intriguese. Që në ftesat e dërguara me këtë rast nga bashkëpunimi i Z.Arsimore, Bashkisë së Qytetit dhe shkollës 9-vjeçare të qytetit që mban emrin e poetit të madh ka një akustikë serioziteti. Veprimtaria e planifikuar ka një emër krejt të ri, brilant, intrigues, një emër që vjen si risi në përvojat tona pedagogjike.

Quhet Dita e Komunitetit. Duket takimi me Migjenin do të jetë fare interesant me kodin e vet të zbërthimit dhe realizimit sa pedagogjik, sa poetik, sa human, sa shkencor. Gjithsesi, një përballje e këndshme në zhvillimin e përgjegjësive menaxhuese nga vetë organizatorët. Ne udhëtojmë dhe natyrisht fantazia e secilit merr krahë. Drejtori Rajonal i Arsimit, pas 3 muaj në detyrë, e ka vënë në axhendën e vet të punës një kontakt të tillë pune, një kontakt aspak rutinë me arsimin atje, por një kontakt disi gjithëplanësh me përfaqësuesit e arsimit në bazë dhe në rreth, me përfaqësuesit e pushtetit lokal atje, e pse jo edhe me dy deputetët e zonës, të ftuar në këtë eveniment.

Përgjegjësi i Sektorit të Arsimit, Beni, kthehet kësaj treve dhe lartësive të saj plot pas tridhjetë vjetësh mësues në këtë rreth malor. Udhëtojmë dhe shkëmbejmë mendime në klimën e një meditimi të natyrshëm që ta kultivon edhe shiu me heshtjen dhe nanurisjen që na ofron gjatë krismave të ftohta në xhamat e automjetit. Tishi me gjakftohtësinë e një shoferi profesionist i duhet të tregojë kujdesin e duhur. E çuditshme, gjatë gjithë rrugës të bie në sy mungesa totale e shenjave rrugore. Shmangia e linjës nga aksi kryesor Durrës-Morinë në mënyrë aspak normale ka shmangur vëmendjen e duhur të sektorit përkatës nga kujdesi për këtë rrugë jo pa probleme.

Në ora 9.40 arrijmë. Dendësia e shiut të ftohtë tashmë arrin kulmin. Fare përballë nesh pllakati "Shkolla 9-vjeçare "Migjeni", së bashku me portretin e poetit të madh sikur na urojnë mirëseardhjen në festën tonë të përbashkët, në substancën e një takimi që gjithsesi do të mbetet si takim brenda vetes. Migjeni, si "biri" dhe jarani shpirtëror i këtij qyteti malor na pret i pari. "Mësuesi i Popullit" Millosh Gjergj Nikolla nuk ka "ardhë" vetëm, si 70 vite më parë. Jo, në krah të tij dhe ballin e takimit tonë të parë e bëjnë dy mbesat e Migjenit, Sonja Çami (Luarasi) dhe Angjela Ceka, dy vajzat e Ollgës, motrës së poetit, në prehërin e të cilës Migjeni do të ndihej i lumtur deri në çastin e fundit të jetës. Në krah të tyre qëndrojnë ish-nxënësit e shkollës "Migjeni", Drejtori i Z.A., z.Hilë Boci, Kryetari i Bashkisë, z.Rr. Strugaj, Nënprefekti i Pukës, z.Dedë Pershpali, drejtori i Shkollës 9-vjeçare "Migjeni", poeti Riza Tafilaku, përgjegjësi i muzeut "Migjeni", studiuesi i mirënjohur, z.Xhemal Meçi, Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rrethit dhe njëherësh Drejtori i QKF Pukë, z.Fran Vukaj.

Të gjithë së bashku shkëmbejmë përshëndetjet e para që duke takuar gotat me verë – lëng thane i Pukës, na thotë njëri nga mikpritësit e këtij takimi. Siparin e takimit e hap drejtori i Shkollës 9-vjeçare "Migjeni", poeti R.Tafilaku. Pasi vë në dukje vlerat totoale të trupës mësimore të kësaj shkolle, si një trupë totalisht e angazhuar në zhvillimin e përgjegjësive të veta mësimore-edukative, çka lexohet shumë qartë që në hyrjen dhe mjedisin për ta patur lakmi shkolla të këtij niveli në metropole, apo edhe në kryeqytetin shqiptar, drejtori na njofton për organizimin me sukses të mësimit të hapur me të gjitha klasat (32 klasa), një mësim i lirë që me praninë e komunitetit nga Bashkia dhe periferia e saj të prindërve dhe mësuesve krijon një risi të vërtetë të konceptit dhe aplikimit të një komunikimi thelbësor të raporteve shkollë-prind, mësues-komunitet, apo shkollë-komunitet në tërësi, njëra ndër dobësitë më të mëdha të shkollës sonë aktualisht. Janë vetë prindërit që ndjekin ecurinë e gjallë të fëmijëve të tyre, por janë edhe vetë praktikat që sfidojnë një tërheqje krejt të pajustifikueshme të interesit të prindërve për shkollën duke e konsideruar thejsht si një punë të mësuesit.

Në shkollën tonë, vijon drejtori, është realitet i kapshëm funksionimi real i kabineteve funksionale nga ai i fizikës, biologjisë deri tek ai i gjuhës shqipe etj. Është një shkëmbim i shkëlqyer i përvojave tona me ato të shkollave të këtij niveli në Kosovë me steda funksionale që përdoren në funksion të disa proceseve mësimore. Futja e departamenteve në shkolla, debatet profesionale aty deri testimi i nxënësve, sidomos kl.VII dhe VIII nga vetë këto departamente ku përfshihen 4-7 mësues sipas profileve, ka arritur ndjeshëm nivelin e mësimdhënies dhe mësimnxënies si një realitet vlerash dhe aspak retorikash shifrore që nuk thonë asgjë. Janë pikërisht këta departamente që kanë realizuar me sukses deri edhe testimin mbi nivelin semestral të përparimit në profilet përkatëse. Drejtori i Zyrës Arsimore, i cili na ka pritur me të shkelur në Pukë, paraqet një rezyme të punës që bëhet në këtë rreth dhe të problemeve që na dalin në kuadrin e hapave reformues të shkollës sonë në tërësi. Ai vërtet na ka gëzuar kur na flet me një vizion krejt të qartë të strategjisë arsimore në këtë rreth.

Në vijim të bisedës, z.Loro Mandi, pasi vlerëson të pranishmit për seriozitetin e organizimit të Ditës së Komunitetit, si një risi pedagogjike në këtë përvjetor të 70-të të "takimit" tonë me Migjenin, "Mësuesin e Popullit" këtu mes jush, vë në dukje disa nga speficikat e kësaj ndërmarrjeje të nevojshme në arsimin tonë në tërësi dhe në qarkun tonë në veçanti. Personalisht e quaj privilegj ardhjen në këtë mjedis pune e veprimtarie në tërësi të shkollës suaj. Duke ju garantuar që do t’ju jap ndihmën e duhur në zgjidhjen e problemeve si ai i aneksit në Pukë duke tejkaluar deri edhe planin për 5-6 shkolla të grupuara, dua të theksoj edhe nevojën dhe punën që duhet bërë këtu për shtrirjen e arsimit profesional, i cili, ju e dini që në vitin 2009 synohet të kapë shifrën 404 si republikë.

Drejtori i Zyrës Arsimore flet qartë për një projekt të tillë ambicioz në këtë rreth, ku turizmi deri ai shtëpiak është totalisht i mundshëm dhe me shumë interes. Hapja e shkollave profesionale të profileve të zejtarisë, të punimit në dru etj., në sistemin 3+2 etj., vazhdon Drejtori Rajonal, z.Mandi, është një mundësi e juaja, por edhe një mbështetje e nevojshme dhe e garantuar nga ana jonë. Në këtë kuadër nevoja e rifuqizimit të konviktit, që aktualisht ka vetëm 150 vende, apo futja e gjuhës së dytë, krahas anglishtes, të italishtes, është një kërkesë dhe emergjencë tjetër e komunitetit.Në vijim të "Ditës së Komunitetit", veprimtarisë me rastin e 70-vjetorit të ardhjes së Migjenit në Pukë, vijojmë me sesionin shkencor kushtuar këtij përvjetori jubilar.

Pjesëmarrja në këtë sesion është mjaft e larmishme dhe impenjative: mësues, nxënës, prindër dhe të ftuar, intelektualë të njohur dhe studiues me emër të këtij rrethi kanë krijuar atë kuadër të nevojshëm të një "ditëtakimi" aspak të zakonshme me poetin e madh, "Mësuesin e Popullit", Millosh Gjergj Nikolla.

Sesionin e nderojnë me pjesëmarrjen e tyre, n/Prefekti i Pukës, z.Dedë Pershpali, Kryetari i Bashkisë, z.Rr.Struga, Drejtori Rajonal i Arsimit, z.Loro Mandi, Drejtori i Zyrës Arsimore të Rrethit, z.Hilë Broci, Përgjegjësi i Muzeut "Migjeni", studiuesi Xhemal Meçe dhe në veçanti dy mbesat e poetit, Anxhela dhe Sonja, që personalisht më ka takuar të jemi gjithnjë së bashku me to në veprimtaritë zhvilluar për poetin e madh në Shkodër, Tiranë etj. Drejtori i Z.Arsimore, pasi falënderoi të pranishmit për kontributin dhe vëmendjen serioze ndaj këtij sesioni shkencor ia dha fjalën për ta mbajtur kumtesën e parë "Migjeni pas 70 viteve përsëri në Pukë", Kryetarit të Bashkisë, z.Strugaj.

Në vijim, kumtesa u mbajtën nga studiuesit Jaho Brahaj "Qyteza e Pukës dhe Migjeni", nga drejtori i Shkollës 9-vjeçare "Migjeni", z.Riza Tafilaku, "Shkolla "Migjeni" në dritën e krahasimeve, "Migjeni në aktualitetin e sotëm" nga kritiku letrar z.Kadri Ujkaj, Zeneli, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve M.Madhe, nxënësi ideal i Migjenit nga studiuesi Xhemal Meçe, "Mesazhet që marrim nga vepra artistike e Migjenit" nga z.Flora Gjoni, zv/drejtore e shkollës, "Faleminderit Migjen", nga regjisori dhe Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rrethit Pukë, z.Fran Vukaj. Për arsye pune nuk morën pjesë deputetët e ftuar të këtij rrethi, z.pr.dr.Rrexhep Uka dhe z.Frrok Gjini. Kumtesat u ndërprenë dhe po aq u shoqëruan gjithnjë me interpretime mjaft të goditura të nxënësve të kësaj shkolle nga veprimtaria e Migjenit. Ishte kjo fryt i një bashkëpunimi efikas mes drejtorisë së Shkollës 9-vjeçare "Migjeni" me QKF në rreth nën drejtimin e drejtorit dhe regjisorit të palodhur z.Fran Vukaj.

Në fjalën e tyre veprimtarinë e përshëndetën edhe mbesat e Migjenit, të cilat theksuan se Migjeni e deshi Pukën, që në zgjedhjen e këtij rrethi për të punuar si mësues, po aq si parnasi i shpërthimit të tij poetik. 95-vjetori i lindjes së poetit do të jetë edhe viti i vlerësimit pukjan si "Qytetar Nderi", por ambicja shkon edhe më tej. Krahas veprimtarive të larmishme në këtë jubile të poetit synohet vendosja në vendin e duhur të shtatores së poetit, por edhe shpallja e një çmimi poetik "Migjeni". Gjithsesi nëse Migjeni mjerisht deri në ndonjë universitet province është parë me syrin e njerkës, në këtë provincë të largët vlerësimi dhe nderimi për të dhe veprën e tij flet qartë për atë stad civilizimi që mund të jetë pronë vetëm e njerëzve të çliruar nga hija e tablove sinoptike. Shkolla, rrugë, sheshe, mbajnë këtu emrin tënd, Migjen, shprehet shkrimtari Fran Vukaj, por përsëri jemi të pakët në angazhimin tonë në përvjetorin tënd, kur ne s’kemi një gazetë, një bust migjenian, apo thua vullnetet tona janë përsëri të shtypura, definon fjalën e tij sentenciale shkrimtari dhe regjisori Vukaj. Është shkrimtari që na kujton se në këtë rreth ka aq vlerësim dhe nderim të merituar për Migjenin, mësuesin zemërbardhë, që humorin e suksesit të tij në mësime maste me humorin e "Zenelit" të tij të mrekullueshëm, thotë njëri nga folësit.

Puka, sanatoriumi natyror i poetit i dha atij kumtin e dramës së njeriut të thjeshtë, si kumti i poezisë së dhimbjes universale migjeniane. Kështu ata plotësuan njëri-tjetrin deri në perfeksion si harmoni dhe raport brilant i individit me epokën. Puka dhe njerëzit e saj e bënë Migjenin mësues dhe poet, thotë në fjalën e saj mbesa e poetit, Anxhela. Puka i dha atij çfarë pati, Migjeni i la asaj si trashëgimi shpirtin e tij poetik. Ne të gjithëve së bashku na la modelin e dashurisë për njeriun, na la shembullin e mësuesit model që në këtë përvjetor shpaloset me gjithë madhështinë e saj. Largohemi nga Puka përsëri nën puhinë e një shiu marramendës plotë ftohtësirë dhe kënaqësinë që kaluam një ditë të rrallë, tepër mbresëlënëse dhe motivuese në realitetin e një kohe të re që shumë e shumë më tepër duhet të bëjë për mësuesin. Shumë kohë dhe shtetarë lloj funksionesh kalojnë anonim në këtë botë, por mësuesi dhe vepra e tij vazhdon të mbetet bukuria më reale dhe më e gjallë nën dritën e diellit. Shkëlqimi përherë e në rritje i Migjenit mësues dhe poet flet vetë, siç flet shpirti dhe vepra e tij.

Të faleminderit, Migjen!

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*