Katundi Rrapë i Pukës shtrihet në të dy anët e rrugës automobilistike Shkodër-Kukës në mes të Pukës dhe Fushë-Arrëzit, në një reliev si të rrafshtë i rrethuar me kodrina të mveshura me dushkaja dhe gështenja. Këtu edhe në kohë të lasht ka kaluar rruga e vjetër antike. Që në atë kohë Rrapja ka pasur hanin e vet me emrin Hani i Furrikut, në këtë han bujshin karvane shtegtarësh që nga Shqipëria etnike, Kosova, Prizreni, Gjakova. Rrapja është vend pa ujë dhe si rezultat prodhimet bujqësore ishin të pakta por Rrapegjit merreshin me blegtori, artizanate dhe punë bujqësore si kositje, prashitje, në fushat e Zadrimës dhe të Shkodrës. Rrapja në kohën e sundimit Osman ka pasur rreth 15 shtëpi kryesisht kasole me gjethe, rrallë ndonjë shtëpi me dërrasa dhe me mure guri. Emri Rrape vjen nga lashtësia. Gojëdhënat thonë se disa hanxhinj që vinin me karvane nga bregdeti u ndaluan për të fjetë te hani. Njëri në afërsi të hanit nguli një thupër prej degës së rrapit, të cilën e kishte patur si thupur për të ngarë kuajt gjatë rrugës, në të nesërmen udhëtarët nisen heret dhe e harrojnë aty të ngulur. Më vonë thupra, ose shkopi, zë dhe rritet dhe si shumë fshatra të tjera edhe Rrapja mori emrin e vet Rrap-Rrapë, në emër të rrapit që u rrit aty. Mbas dekadash e shekujsh rrapi u tha dhe në vend të tij mbodhën një gështenjë. Ajo gjendet edhe sot rreth 250-300 vjeçare, kjo është monument kulture dhe mban fotografinë në kopertinën e librit të Mahir Hotit e Gjovalin Alisë "Puka, vështrim gjeografik". Unë për gështenjën kam shkruar disa vargje të cilat po i citoj më poshtë:
Me degët tuja na ke mbulue
Tuj ra borë e tuj ra shi
Shpesh aty jena strehue
Kurrë s’na ka pasë merzi
Degët e tuaj janë tuj u tha
Kështu rrodhi historia
Në libra kanë me të pa
Se ka mbet fotografija
Afër xhadesë tuj u përvlue
Kërkon uji etjen me shue
Lufta e Rrapes më 20 tetor 1944, Brigada 24 S. vinte nga Mirdita për të kaluar nga Rrapja e me çlirue zonën e Pukës. Në këtë datë në Rrape u përball me autokolonën gjermane. Lufta ishte e ashpër, u vranë disa gjermanë dhe u dogjën dhjetra makina ushtarake, gjermanët kryen raprezalje mbi popullsinë, dogjën shtëpitë dhe vranë Kadri Zogun dhe Male Shaqen. Nga ajo ditë u shkrua në histori lufta e Rrapes dhe në kujtim të kësaj lufte për çdo vit festohet kjo ditë nga i gjithë rrethi i Pukës. Rrapegjitë bashkë me fqinjët e qytetit të tyre Pukë, Fushë-Arrëzit, kanë ndihmuar hapjen e rrugës automobilistike nga bora e madhe që zakonisht bie në këto zona.
Shtoj se në rastet kur rruga është bllokuar nga bora rrapegjitë i kanë strehuar shoferët në shtëpitë e tyre, përmendim Elez Dema, Rrustem Kadrija, Jaho Kadana, Bajram Shaqja etj., i pritën me bujarin e pukjanit me shprehjen "bukë e krypë e zemër". Posa e Rrapes, kjo postë ka funksionuar si postë qysh në kohën e sundimit turk dhe vazhdoi e tillë në kohën e Austrisë, në atë të Vidit, Fan Nolit, Zogut dhe deri në 1943, posta e Rrapes ka qenë për gjithë zonën përreth saj.
Hani i Rrapës ka një histori të lashtë siç e ceka më lart. Ky han ka ekzistuar që në kohë të hershme, në kohën e Ilirit që lidhet edhe me rrugën e vjetër Etnike Antike. Këtu ka qenë nyje lidhëse në mes të Adriatikut dhe Kosovës. Ky han ishte edhe i siguruar nga keqbërësit, plaçkitësit, për arsye se Rrapja ishte në një farë mënyre dorëzane për shtegtarët që bujshin aty.
Rreth një kilometër larg është Rrapja e Vogël ose shtëpia e Memës, me disa shtëpi të vogla, përreth shtëpisë së Memës është një shtëpi e madhe patriarkale me rreth 85 anëtarë familje prodhimet bujqësore ishin të pakta se pjesa më e madhe e tokës së punueshme ishte mbi ujë. Kjo shtëpi merrej me blegtori, kishin rreth 45-600 kokë bagëti të imëta, plus lopë e qe, tufa kishte 7-8 çobanë dhe më se 15 qenë stani dhe shtëpie. Shtëpia e Memës kishte shumë kullosa dhe mrize, kullosat fillonin te kodra e repes, maja Ertunës-Livadh-Kabash-Qafë-Laje, etj.
Me vendosjen e sistemit komunist 1945, shtëpia e Memës u nda në disa shtëpi, sepse udhëzimi i Partisë ishte që mos të ketë shtëpi të mëdha patriarkale, vlen të përmendet një ngjarje në kohën e Zogut. Një hasian e zë nata rrugës afër shtëpisë së Memajve, shtegtari ishte me gjithë gruan e vet shtatzanë. Shtegatari i thërret: "O i zoti i shtëpisë! A pret miq?". "Hajde, bujrum!", përgjigjet i zoti i shtëpisë. Mbasi hyn në shtëpi tek zjarri fillon edhe muhabetin, shtegtari thotë se jam nisur për në Shkodër për të vizituar gruan se e kam të sëmurë, plus kësaj është edhe shtatzënë. Mbasi u nxenë dhe hëngrën darkë, gruan e kapin krizat dhe gruaja e shtëpisë më në moshë e merr gruan dhe e dërgon në një dhomë të vogël ku zakonisht përdoret si dhomë lindje e shtëpisë së madhe.
Nga 12 e natës, ndigjohet një vaj fëmije i porsalindur, sigurisht në dhomat e burrave nuk shkoi asnjë lajm për lindjen e djalit. Në nadje, kur erdhën kafet dhe rakia, të shoqit i tha i zoti i shtëpisë, "Me jetë të gjatë djalin, o mik!". Për një moment shtegtari u shtang. Mbas një pauze të shkurtër, fytyra filloi t’i shëndrisë. Faleminderit, erdha dy vetë e po shkoj tre vetë, dhe qysh tash do t’ju baj kumbarë, ju do t’i merrni flokët djalit dhe do ta pagëzojmë me emrin shpëtim. I shoqi u nis vetëm për në Shkodër dhe gruaja lehonë me fëminë e vogël duhet të pushojë disa ditë para se të marrë rrugën për në shtëpinë e vet.
Shkolla e Rrapës
Në vitin 1945 filloi të ndërtohet shkolla e Rrapës dhe përfundoi në 1946. Shumica e punimeve u kryen me kontribut vullnetar nga vetë populli i Rrapes.
Për herë të parë vogëlushët e Rrapes ulen në bankat e shkollës së re. Në këtë shkolë erdhën edhe fëmijët e Memës etj.
Me anë të këtij shkrimi për historikun e Rrapës së Pukës, jam përpjekur brenda mundësive të njohjes dhe të studimit të kësaj treve ku edhe unë jam biri i saj.
Sigurisht ky fshat i vogël ka një histori të madhe, por le t’ua lë fjalën historianëve të ardhshëm që ta vazhdojnë. Siç del nga ky shkrim, Rrapja ka qenë gjithmonë një nyje e lidhur me Shqipërinë Etnike.
Leave a Reply