Është lindur më 1935 në fshatin Meçe, në një familje me tradita patriotike. Që në shkollën e Mardhnaqit (Qelëz) me sistem pesë klasësh, me mësuesin shkodran, Zef Përjaku, do të dallohej për talentin e tij në përvetësimin e lëndëve mësimore, që jepeshin ato vite. Pas çlirimit të vendit me kërkesën që bën ai, kryen kursin pedagogjik në Shkodër për mësues. Në vitin 1952 emrohet mësues, po në atë shkollë, ku kishte mbaruar filloren, në Mardhnaq. Ai kujton se së bashku me Kolë Ndue Palin (mësues nga Shkodra) zhvillonin mësimin me dy klasë kolektive. Në vitin 1953-1954 jep mësim në fshatin Buzhalë. Më 1955-1956 mobilizohet ushtar. Pas kthimit nga ushtria punon si mësues më 1957 në Koman dhe më 1958¬1960 në Qelëz (Mardhnaq), ku sjell në kujtesë edhe kolegët e tij Hysen Rrustemin dhe Brahim Pemën.
Ndër kujtimet që ruan për ato vite janë respekti për prindërit, interesimi i tyre për të sjellë fëmijët në shkollë, pa përfillur vështirësitë ekonomike familjare,mungesa e objekteve shkollore dhe e bazës materiale si libra, fleore etj. Këto, na thotë, i përballonim me punë këmbëngulëse, me gjetjen e metodave mësimdhënëse, sa më efektive. E veçantë ishte, se në ato vite, respektohej mësuesi, qoftë nga prindërit dhe nga nxënësit, quhej edhe si njeri i shtëpisë. Fëmijët dalloheshin për disiplinë të lartë në mjediset shkollore e jashtë saj.
Mësues Rustemi për të ngritur nivelin arsimor, në vitet 1960-1963 studion në gjimnazin e punëtorëve të arsimit në Tiranë, shkollë të cilën e kryen me rezultate shumë të mira. Ishte viti 1963 kur emrohet mësues në fshatin e vendlindjes Meçe. Këtu jep mësim deri më 1977, vit kur do të përballonte katër orë rrugë më këmbë, larg shtëpisë, për të mësuar nxënësit në shkollën Qafë-Mugu. Dhe ky transferim bëhej me qëllime të caktuara, për t’i krijuar vështirësi në punë, për t’i thyer mitin si mësues i dalluar, e më pas për të gjetur pretekste ndëshkimi. Ai, pa përfillur vështirësitë, realizoi programin mësimor, madje edhe këtu përvoja e tij u përgjithësua. Për këtë periiudhë, mbresa sjell mësuesi vendas, Hilë Kola, kur cilëson, se mësues Rrustemi, ndonëse bënte orë të tëra rruge më këmbë, ishte i pranishëm në orarin e caktuar në shkollë, zhvillonte me nivel orët e mësimit dhe rezervonte kohë përtë punuar me nxënësit edhe pas drekave.
Në rrethin e Pukës numrohen disa mësues të larguar para kohe nga arsimi, për shkaqe biografie, se dikush nga farefisi i tij ish dënuar për agjitacion e propagandë kundër partisë e pushtetit. Si të tillë e zuri lapsi edhe mësuesin Rrustem Nimani, pas 26 vite punë në arsim.
Ishte viti 1978, kur do t’i komunikohej e pa pritura, të cilën e ruan në kujtesë si një brengë. Do të largohesh nga arsimi – i thanë, ti i njeh shkaqet që sjell “njolla” në biografi! – Është dënim i rëndë, që më jepet pas kaq v~esh në arsim. Nuk di se çfarë parimesh kam shkelur, përveçse kam punuar me të gjitha forcat mendore e fizike për të realizuar programin mësimor bashkëkohor, siç e kërkon etika e një mësuesi përgjigjet: “Largohet nga arsimi, pa dëshirën e tij, për të punuar në ish kooperativën bujqësore Kabash, e më pas, deri në moshën e pensionit në ndërmarrjen pyjore Fushë-Arëz. Largohet nga nxënësit mësuesi, që me mundë e djersë kishte përfituar kualifikimin e shkallës së parë dhe për punë të dallueshme në procesin mësimor-edukativ, mbante dy dekorata: Medalje “Naim Frashëri” dhe këto të justifikuara plotësisht me punë, madje më 1976 ishte propozuar për t’u nderuar me titullin “Mësues i Merituar”, por ju pengua nga pushtetmbajtësit.
I meritonte vlerësimet se mësues Rrustemi studionte me vëmendje të rejat shkencore-pedagogjike, i aplikonte ato në orën e mësimit. Për 12 vite drejton rrethin metodik të zonës së Kabashit dhe është ndër të parët që përdor me nxënësit e ciklit të ultë, punën me laps, eksperiencë të cilën së bashku me disa mësues të tjerë e trajtojnë si përvojë të mirë e rezultative në një seminar kualifikimi në Rrethin e Lushnjes.
E veçantë është, se në të gjitha shkollat ku ka shërbyer si mësues, ish• nxënësit e tij e vlerësojnë edhe sot si një edukator dhe mësues korrekt, që të ndihmonte, por edhe dinte të korrigjonte gabimet, duke përdorur këtu anën psikologjike për secilin. Ato sot janë me arsim të lartë dhe punojnë në sektorë të ndryshëm ekonomiko-shoqëror, se vetë mësuesi prirjet e nxënësve i delegonte në organet kompetente dhe jepte ndihmesën e vet, për të vazhduar shkollat përkatëse. E, këto edhe pse ndoshta ndonjë prej tyre kishte ndonjë “njollë” biografike të kohës, mësuesi këmbëngulte në të tijën, për t’i arsimuar.
Mësues Rrustemi është në pension dhe nuk i largohet vendlindjes.
Peshën e viteve s’e ndjen dhe aq. Më shumë ndjen streset e viteve të internimeve, larg nxënësve e kolegëve për më shumë se 12 vite. Sikur edhe kjo periudhë, të shënohej si mësues në librezën e punës, Rrustem Nimani, do të radhitej ndër pionierët e arsimit me afro katër dekada në profesionin e zgjedhur, që në moshë të re. Ai hedh kujtimet e jetës së tij si mësues dhe edukator, të familjes e të afërmve që përbëjnë një bërthamë intelektualësh në fushën e arsimit. Do të cilësonim, një thënie të djalit të Rrustemit, Avnisë, kur thotë se: “Edhe unë do të dëshiroja të isha mësues, por ato vite kur u dënua babai, e pësova dhe unë. Shkollën e lartë e mbarova në vitet e demokracisë dhe jo për mësues, ndonëse këtë profesion e dashuroj shumë. Të mësosh edhe të edukosh breza të tërë, është detyrë e shenjtë”.
Marrë; Nga libri Udhërrëfyesit e Dijes të autorit Gjon Gjoni
Leave a Reply