Shqiponja dykrenare e Kastriotëve e zbuluar në Rodon

Ne Kishen e Shenandout nje afresk qe paraqet shqipnjen e vertete te flamurit tone. Qysh nga koha e Skenderbeut nuk kishte ndonje dokument zyrtar qe ta vertetonte prejardhjen e simbolit tone pervec vules zyrtare te prijesit shqiptar.

 

 

Deri më sot nuk kishim një vizatim autentik të shqiponjës së këtij flamuri, e cila dihet që është me shqiponjë dykrenare në fushë të kuqe siç na e dokumenton Barleti dhe historianët e tjerë. Gjurma e vulës së Skenderbeut e lënë mbi një akt zyrtarë të tij e ka shqiponjën dykrenare, por vizatimi i sajë është parë si i përshtatur me formën rrumbullake që e qarkon atë, si rendom praktikohet në vula, dhe si do e shohim më poshtë ky mendim është i drejtë
 
Rasti e solli që shqiponja e Kastriotëve e pikturuar në një afresk të zbulohet mbrenda tokës arbërore e jo në kancelaritë e arkivat e huaja, si ruhen shumica e dokumenteve të historisë tonë.
Pas kthimit të disa pronave kishtare komuniteteve fetare, filloi dhe interesimi i këtyre të fundit për studimin e tyre, ruajtjen dhe rindertimin. Një nder këto prona është Kisha e Shnandout në Rodon (sot fshati Muzhel), ku ruhet dhe shqiponja e pikturuar e Kastriotëve, Për këtë kishë dokumentet flasin që e kanë ndertuar Gjon Kastrioti ose i biri,heroi ynë i njohur Skenderbeu.

 

 

Gjatë viteve kur Gjon Kastrioti I u mund nga osmanët, atij i lanë në pronësi zonat e Mysjes, që përfshijnë edhe Rodonin dhe këtu thonë se zotëroi gjatë disa viteve edhe Skenderbeu përpara se të çlironte Krujën. Një legjendë e shënuar nga konsulli austrohungarez i Shkodrës Teodor Ippen në fillim të shekullit tonë, thotë se këtë kishë e ndertoi Mamica Kastrioti, por e saktë është që kjo kishë funksiononte në vitet kur Skenderbeu filloi të ndertonte kështjellën e Rodonit, që eshtë në afersi të kishës. Po ky autor na njofton se ruheshin dhe themelet e Manastirit që ishte ngjitur me kishën, por që sot dallohen me vështërsi. Në kuadrin e 500 vjetorit të vdekjes së Skenderbeut në Rodon u bënë kerkime mbi fortesën e Rodonit, dhe më këtë rast na është dhënë dhe përshkrimi i rrënojave të kësaj kishe, e me gjendjen në të cilën është rrënoja sotë kuptojmë se shkatërrimi ka vazhduar edhe gjatë këtyre 30 vjetëve.

Është kujdesi dhe interesi i At Zef Pëllumbit që i nisur nga gjurmët e afreskave në muret e kësaj faltorje të vjetër e quan në zbulimin e kësaj shqiponje. Deri më sot është zbuluar vetëm një siperfaqe e vogël e këtij afresku që falë natyrës dhe punës me mjete cilësore të realizuar para pesë shekujsh ajo u ruajtë.

Shqiponja është në afreskun e realizuar në brezin e poshtëm të faqes së harkuar të murit të absidës. Në krahun e majtë të shqiponjës dallohet figura e një kalorsi e majtas e djathtas këtyre janë edhe shenjat e pazbuluara plotësishtë, siç duket edhe të dy shqiponjave të tjera. Këto do dallohen e të studiohen pasi të pastrohet afresku tërësishtë.

Shqiponja është e pikturuar me ngjyrë të kuqe të hapur mbi suva të bardhë dhe në disa pjesë na ka arritur e dëmtuar, por që dallohet qartë se është me dy kokë. Pasqyrimi tek fotografija që po botojmë është e bërë me objektiv nga e djathta e sajë, kështu që na përfytyron një zmadhim nga ky krah, por ajo në të dy krahët është simetrike. Fiksimi fotografik në këtë pozicion u bë, sepse trualli deri lart është i mbushur me mbeturina ndertimi e dhera dhe ato nuk pastrohen, për ta ruajtur monumentin nga lagështira e tëpërt e shirave të stinës së dimrit. Sipas mendimit të studiuesit të artit mesjetar Mustafa Arapi afresku është veper e një piktori profesionist, mjafton të shohësh vizatimin e kthetrave dhe kuptohet që është frut i një dore të shkathët të një piktori me përvojë. Kjo bie në sy edhe nga vrojtimi i figurës së kalorsit që sot për vetë fazën e zbulimit të afreskut nuk ka një gjykim se kujt figure historike ose religjioze i kushtohet.

 

 

Nuk na është ruajtur nga shekulli 15 asnjë flamur kombëtar relike, që ta njohim deri më sot dhe as një vizatim autentik i shqiponjës së tij, që është shqiponja e Kastriotëve. Studiuesit kanë konkluduar se shqiponja e flamurit kombëtarë na u ruajtë në vizatimet e krijuara sipas shembëlltyrës së sajë e shijeve estetiko-emocionale që ruante e krijonte tradita shqiptare. Kjo është dhe rezultat i ndryshimit që kanë shqiponjat e ruajtura nga pasardhësit e derës së Kastriotëve. Forma e vizatimit të shqiponjës së gdhendur në emblemën mbi varrin e Konstandin Kastriotit nuk është identike me trajtën e gravuar në një liber uratash që i kushtohet një pasardhësi tjetër të Skenderbeut, as me shqiponjat e gdhendura mbi varret e dy nipave të tjerë të heroit tonë që i njohim e ruhen në Itali, as me shqiponjën e emblemës së nipit tjetër i njohur në histori me emrin Skenderbeu i Ri, emblemë që ruhet e vizatuar me ngjyra në dorëshkrim në bibliotekën Marciana në

 

 

Venecie. Më e afërt është Shqiponja e vulës së Skenderbeut, por dhe kjo jo identike për arsyet që i thamë më lartë. Shqiponja dykrenare e flamurit tonë kombëtar është vizatuar sipas këtyre shqiponjave e që nga shekulli 15 pati nw vazhdimwsi ndryshime nga ajo që u pranua e u vendos në Flamurin e Arbërve me 2 mars 1444.

Ja vlen të themi dhe dy fjalë për monumentin që Donika Kastrioti i ngriti nipit të sajë, K. Kastriotit në varrezat e kishës Santa Maria La Nova në Napoli. Emblemën e gdhendur në dy anët e monumentit mortor e ka botuar studiuesi italian Padilione në vitin 1870 dhe më vonë arbëreshi Z. Skiroi në Palermo në vitin 1904. Pothuajse të gjithë studiuesit shqiptarë i drejtoheshin kësaj shqiponje dhe shpesh herë ka krijuar dhe keqinterpretime per kurorat që ka sipër dy kokave, deri sa më 1967 u bë e njohur nga Dh. Pilika dhe shqiponja e vulës së Skenderbeut. Në një botim shkencor heraldik të vitit 1926, studiuesit italian emblemën heraldike të monumentit të K. Kastriotit e kanë klasifikuar si emblemë të një pasardhësi të derës së Skenderbeut. Tashi që u njoh shqiponja e Kastriotëve pa kurora mbi dy krerët rikonfirmon atë që Prof. Dhimitër Pilika ka shkruar, se kurorat janë shtesa të pasardhësve të Kastriotasve në dheun e huaj, por na hap dhe një dritare për ta kufizuar dhe datën kur është realizuar afresku më shqiponjën Kastriotase të Shnandout të Rodonit.

Skenderbeu gjatë fuqizimit të pozitës së tij pretendonte se ai ishte pasues i shtetit të Balshajve e synonte për një shtrirje territoriale të shtetit për të arritur zotërimet e gjëra të atyre të kryezotit të Arbërit, Balsha II. Në këtë periudhë Skenderbeu filloi të praktikoi në vulën e tij shtetërore, krahas shqiponjës dykrenare të trashëguar nga dera atërore edhe yllin gjashtëcepash të Balshajve, por asnjëherë shqiponjën e kurorzuar. Vula që njohim është e vitit 1459, pra dhe afresku duhet të jetë realizuar para këtij viti.

Faza në të cilën është zbulimi dhe studimi i këtij afresku të kishës së Shnandout na kanë shpalosur shqiponjën e Kastriotëve, që është njëkohësishtë dhe shqiponja e flamurit kombëtar shqiptar, por muret e kishës kanë gjurmë dhe të afreskave të tjera e ndoshta do na japin dhe dëshmi epigrafike ose dhe skena të jëtës së atij shekulli. Kisha dokumentohet se ka funksiunuar deri në shekullin e 17, por shpeshherë ka mbetur pa famulltar e kujdestar, kurse një gojëdhanë thotë se ajo u dëmtua rëndë nga një termet i mesit të shek. 19. Materiali arkeologjik flet për një tempull shumë më të hershëm në atë truall e për rreth ka patur dhe dy kisha të tjera të dokumentuara që nga shekulli 12-13. Në Rodon thotë Barleti Skenderbeu shpinte familjen dhe shkonte edhe vetë për pushime e gjueti në periudhat në mes të betejave. Kisha e Shnandout lidhet si një ansambël me shumë vlera me kështjellën e Rodonit, që e ndërtoi Skenderbeu në valën e luftës.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*