Si e kam njohur Lulin e Vocerr

Ishte tetori i vitit 1953 kur u hap lajmi se në fshatin Iballe, aty ishte qendra e kësaj krahine, do të vinte Deputeti i kësaj zone për takim me popullin  dhe të gjitha fshatrat përreth shkuan në takim me Deputetin. Edhe unë u nisa me fshatarët e mi. Dikush më tha pse isha nisë, pse nuk kisha qëndrua në shpi. Askush nuk e dinte se pse shkoja edhe unë në takim me Deputetin. Mbas pak kohe ne arritëm. Iballja kishte shumë njerëz të grumbulluar duke brohoritur, duke kënduar e hedh valle siç e kanë zakon malsorët mikpritës. Mirëpo pak pak erdhi Deputeti që pritej kaq me padurim. Nuk munguan brohoritjet, ushtoi jehona në këtë fushë rrethuar nga malet. Populli e priti me gëzim këtë ardhje. Ky burrë i bukur që nuk ta pake rrallë syri në Shqipëri, i veshur ushtarak, ishte gjeneral Gjin Marka Toma. Pasi u përqafua me popull u gjet në tribunen e vogël i shoqëruar nga disa personalitete, por kryesisht nga Sekretari i Komitetit të Partisë, Zenel Islami.
Tribuna e vogël ndriçonte nga këta burra. Zani i tyre ushtoi malet nga fjalët që i thanë popullit, i cili brohoriste pa pushim. Mbasi mbaroi metingu Deputeti u takue me dashamirsi me shumë njerëz. Unë po rrija diku afër dhe porsa u afrue unë i dola për afër, ju drejtova mezi nga njerëzit  munda t’i afrohem sepse isha i vogël dhe s’kisha mundësi ta takoj por mezi e preka në mangen e xhaketës ushtarake dhe kështu gjenerali i cili disi e cika në rroben e stolisur me grada dhe shirita të kuq. Ai shikoi anash dhe kur pa që unë isha afër tij më kapi nga dora dhe më afroi afër tij. Mirëpo një djalosh që e shoqëronte dhe nën krah mbante një automatik disi deshti t’më largonte, por Deputeti më solli afër veti dhe më pyeti: "Ej ti çun, ç’kemi, si e kalon me shndet, a mson dhe çfar klase isha. Ai nuk e kuptoi se unë desha të flas.

Me leje shoku Deputet! Fol të lumtë goja, – m’u përgjigj. Unë jam në klasën e katërt. Mbas nji muaji mbyllet shkolla. Të lutem më ndihmo që të shkoj në shkollë tjetër. Atëherë kishte pak kërkesa për të vazhdue shkollë përveç fillores. Ai m’u përgjigj, pra Deputeti: Mirë, të shkojsh, të lumtë, edhe ju djemt e ktyre anve të shkoni mirë. Po unë prap vazhdova. Unë kam një hall shoku Deputet. Urdhëro fol. Pse kam babën në burg politik dhe disa s’po t’i thom. Në këtë kohë Zeneli po bisedonte me njerëz të tjerë që e kishin rrethue me shum dashamirsi. Ai njihej pothuaj me shumicen e tyre, por menjiherë e preu biseden e erdhi tek Gjenerali ku i tha: Shoku Zenel, të lutem ndihmoje ktë djalë, çoje në nji shkollë profesionale.

Sekretari i kom. Partisë, Zenel Islami më pyti në ç’fshat banon, i kujt shtëpi je. Mbasi i tregova, ai uli pak sytë për tokë dhe u mendue pak dhe më tha: Do t’ndihmojmë, mos ben merak. Kështu u ndam me këto burra shteti. Të gjithë më shikonin sikur të isha lakuriq dhe u çuditën si guxova me fol me Deputetin. Po ta shikoje të hinte friga nga bukurija, nga veshja e ktij burri. Unë u largova menjiherë i gëzuar sikur të kisha fituar parajsen, bile as fshatarët e mi nuk i prita. Ika për shpi.

Kaluan disa ditë, edhe shkolla u mbyll se atëherë shkollat ishin verore. Fillonin në mars dhe mbaronin nga data 10 nëntor. Në muajin dhetor u nisa për Pukë nëpër pyje dhe gjatë rrugës takova 20 veta dhe ju luta t’më merrnin me vete, pa ju tregue se pse do të shkoja në Pukë dhe kështu ditën e dytë mbrrim në qytet dhe secili shkuam në punët tona. Unë u drejtova te Kom. Partisë.

Aty ishte një polic dhe pasi më pyeti se çfarë kisha, unë i tregova due të takoj sek. I. Zenel Islamin. Ai si me tallje më tha a do të pranohesh në parti more xuxar. Me sa duket ishte andej nga jugu. Jo i them, kam një hall. Por ma thuaj mua. Unë heshta. Ai përsëri më tha, fol, pse rrin si mumje. Asnjeren fjalë s’e kuptova. Ik më tha se do t’i zhguli veshët. Unë u frikova sa desha të ik, por mendova gradat dhe trupin e nji Gjenerali. Polici m’u duk si nji mësues i keq që kishim kur isha në klasën e dytë dhe mora zemër prapë  dhe u largova pak. Ai iku për të ndezur nji cingare duhan. Unë u futa në Komitet dhe poshtë shkallëve të katit dytë ishte një tavolinë dhe do parulla ku unë u msheha mrapa tyre dhe po shikoja kur Zeneli po vinte. Dhe pas dy minutash ai erdhi dhe sa u fut mbrenda te dezhuri, që as ai nuk më pa kur u futa te shkallët ai ishte vetë i tretë, unë dola dhe i thashë me leje, shoku sekretar.

Por polici më kapi në krah. Po ti nga u fute dhe mbasi unë u tërhoqa duke i shpëtue policit u drejtova tek Zeneli. Ai u tha le të vin tek unë. Pasi më dha dorën u ngjitëm në zyren e tij në katin e dytë. Ai më pyti dhe ju kujtua takimi im në Iballe me Deputetin. Dhe si përfundim i dha porosi një djaloshi që me sa duket punonte në komitet dhe bashkë me mue, mbasi u përshëndetem me sekretarin i cili më uroi u bëfsh djalë i mirë dhe të shkoftë mbarë shkolla u nisëm në kom. ekz, seksioni i Arsimit. Aty ishte shef arsimi Vat Deda dhe ai i dha porosinë e Zenel Islamit. Ai diku shkroi emrin tim e të fshatit. Unë u largova, por nuk u lajmërova sot e asaj dite.

Atëherë unë mbas disa kohësh mora vesh se Zenel Islami kishte shkue në Bashkimin Sovjetik në shkollë. Shpresat e mija humbën për shkollë, por tani mbeti vetëm të shkoja në punë dhe kështu unë shkova në Kryezi në punë. Mirëpo e keqja ime vjen mbrapa meje. Në vitin 1959 u dogj Stabilimenti i Kryeziut dhe mue më hoqën dhe më çuen në pyll sepse isha me përbërje klasore të keqe. Kështu edhe puna me shokë, me bashkëmoshatarët e mi u ba si shkolla. Në vitin 1960 unë shkova në Llixhat e Elbasanit, se në pyll fitova edhe sëmundjen e reumatizmës. Atje u në u shoqërova me një burrë nga Berisha e Pukës dhe u gëzova se isha vetëm. Me datën 28.11.1960 rreth orës 9 erdhi nji veturë dhe ne ishim duke shëtitur në oborrin e hotelit dhe nga vetura doli nji burrë i shkurtër por i pashëm. Por shoku im nga Berisha foli menjiherë: O kush qenka ky, thotë. A e njeh më thotë mue.

Unë po shikoja, por i hutue nga shikimi dhe pa i dhanë përgjigje thotë asht Zenel Islami i Pukës. Unë mbeta i ngrirë në kamë dhe sytë m’u mbushen me lot. Po ky i tham asht në B. Sovjetik tash sa vjet. Jo ka ardh. Asht Kryetar i Kom. Ekz. në Elbasan dhe ky i thotë shoqëruesit. Ai doli në katin e tretë të hotelit se atje paskan dhomë për qetësi udhëheqësit e rrethit. Dhe i thotë dy vetë nga Puka don me të takue, janë këtu në Llixha dhe na ftoi. Ne të dy bashkë me shoqëruesin u ngjitëm lart në katin e tretë dhe hymë në dhomën ku ishte Kryetari. Ai u çue në kambë dhe na priti me shumë dashamirsi, bile me atë shokun tim u përqafue. E njihte për afër dhe u gëzua që na takoi. Ky ishte Prendush Gjergji nga Berisha. Kishte qenë kryetar Këshillit të fshatit për 15 vjet dhe njihej mirë me Zenel Islamin. Biseduen njëri me tjetrin gjatë se ishin dashamirë njeni me tjetrin dhe pas pak më tha, më fal djalosh, por më kishte marrë malli për Prendushin, kisha vite pa e pa. Më pyeti si je dhe nga je, nga ç’fshat.

Unë i kallxova, mirëpo Prendushi i tregoi i kujt isha, si ma quanin baben. Ai u mendua pak, por i thashë, shoku Kryetar në qoftë se të kujtohet, megjithëse kanë kalue shumë vite jam ai djali që të kam takue në Iballe, kur ishte Deputeti Gjin Marku për çështje shkolle. Po thotë, ti ishe edhe në Pukë me më takue dhe ishe futur nën shkallën e Komitetit dhe qeshën me të madhe kur i tregoi Prendushit si kishte ndodhur. Mandej më pyeti a shkove në shkollë? Jo i thashë. Po nuk të ndihmoi Shefi i Arsimit që i dhashë porosi. Jo i thashë. Përsëri më pyeti se ku punon. I thashë në nji sektor pylli. Kush është përgjegjës sektori. Është Mark Nikolla prej Berishe.

Ai pyti shokun tim, Prendushin se kush ishte dhe mbasi i kallxoj ai tha po ata janë djem t’mirë ata vllazen. Bani shumë të fala nga unë Zenel Islami nga Elbasani. Mos harro! Ne u ndamë, u përshndetëm me ta dhe më tha, vazhdoje shkollen me korrespondencë tani je i rritur e jo si atëherë që u fute nën shkallët e Komitetit me u mshefur nga polici me më takue mue. Kështu u ndame dhe mos me u takue më.

Pasi u përshëndetme ai na porositi sa vite që doni të vini këtu në llixhat e Elbasanit që unë të jem këtu të vini kur të doni t’më takoni mue dhe ne u larguem me shumë dashamirësi dhe respekt. Bile Prendushi u mërzit kur u ndame. Sytë ju mbushen me lot dhe Zeneli i tha mos u mërzit në do të takohemi e kam dëshirë të vij në ato fshatra të Pukës sepse kam shumë mall për to. M’u ban të fala shumë personave me emer. Kam mall shumë për Pukën, për njerëzit, për malet, për gurët e tyre. Kam shumë vite pa ardhur në Pukën time, por besoj së shpejti nga vera do të vi. por s’erdhi kurrë asnjëherë. Kështu unë kisha 7 vjet pa e pa dhe ai përsëri më porositi të vazhdoja me korrespondencë shkollën meqë e kishte kuptue se e kisha shumë marak dhe ai s’mundi t’më ndihmojë.

Pasi u ktheva nga Llixha shkova në punë dhe nji natë i shkoj në zyrë përgjegjësit dhe i tham kam disa të fala për t’i thanë. Ai më thirri duke rujt si sekret bisedën, por kur e ndigjoi me vemendje më tha si e paske takue Zenel Islamin, por kur i tregova bisedën që kishim ba ne të dy me të në Elbasan ai u gëzua dhe më pyti imtësisht për bisedën për shndetin e tij dhe i dhashë të falat e tij me vllazen dhe familjarisht. Bile dhe kur u ndamë për s’dyti herë, ai m’u përgjigj, e din se kush asht ai more djalë. Ai është burri ma me shkollë dhe burri që s’ka nxjerrë Puka dhe zor nxjerr ma ma t’mirë. Ai ka qenë disa herë në shpinë time, kam dëshirë ta shof. Ne biseduam prapë me përgjegjësin dhe i tregova si e kisha njohur. Ai më tha do të mbaj porosinë e tij për ty se të falat e dyta kanë qenë për ty që të kem kujdes ktu në punë.

Ishte korriku i vitit 1961 kur po udhëtonim nji grup njerzish për disa halle familjare. Ne u takuam rastësisht në Iballe që po udhëtonim drejt qytetit të Pukës meqenëse nuk kishte makinë ne u nisëm në këmbë, ku për 8 orë e ma shumë nuk arritshim atje. Duke udhtuar në të dalë të fshatit Iballe u grumbulluam tek një lis i madh dhe prisnim njeni tjetrin siç e kan zakon malsorët. Ne u ulëm në ktë lëndinë dhe po pushonim sa të vinin shokët që ishim mbrapa nesh. Pasi u bashkuem dikush tha, ndezim nga nji cingare duhan dhe kemi shumë rrugë për të ecur. Disi ra një heshtje. Vetëm kutitë e duhanit po i vërtitëm mirëpo nji plak i majtur disi foli me nji za të varur: shikoni or burra, do t’ju jap nji lajm të keq me dhimbje të fortë jua them. Të gjithë heshten.

 Ra nji heshtje vorri. Dikush nuk e ndezi cingaren e duhanit. Pra, filloi plaku, para 5 ditësh ka ndodh nji ngjarje tronditëse për mbarë popullin e Rrethit Pukës. Ata ishin në pritje rrënqethëse të këtij lajmi, pa ditur se ç’po flitej nga goja e plakut. Dikush tha mos bre burrë, çfarë na paska ndodhur. Po ju tregoj. Zenel Islami i Pukës ka qenë me detyrë në Elbasan dhe paska vra veten. Të gjithë u hutuem nga lajmi i hidhur. Nji kushëriri im që ishte me mue tha: unë e kam pasë dashamir, kemi punue bashkë me rininë në fillim në vitet e çlirimit. Të gjithë u prekën në shpirt, dikush qau me lot, kurse unë qava me të madhe sa të gjithë u habitën.

 Pusho, më thotë kushriri, ti nuk e ke njohur. Pse bërtet? Unë përsëri po qaja me lot pa pushim. Dikush më bërtiti, por plaku më doli zot: mos i folni, qaj biro për Zenelin, qan mbarë populli Pukjan. Edhe të tjerët filluan të qajnë, dikush tha çohemi se jemi vonë. U nisëm. Plakut i bëri përshtypje unë si qava dhe tha, është djalë i shpis mir prandaj qau. Ky nuk e ka njohur Zenelin. Mirëpo në mbramje kur ra nata ne vendosëm të rrimë përjashta meqenëse ishte verë, ishim rreth 20 veta. Ndezme nji zjarr të madh dhe nji burrë më pyti sa u mërzite ti more djalë. Edhe ty të dhimbsen burrat e mirë. Unë ju tregova të gjithë historinë si e kam njohur Zenel Islamin (Lulin) e Migjenit. I shkruaj këto rreshta për të kujtuar këtë burrë Pukjan që kurrë s’ka për të xjerrë trualli i Pukës, burrë besnik intelektual si Zenel Islamin. Populli i Rrethit Pukës s’do ta harrojë vrasjen e komunizmit të këtij burri. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij në zemrat e mendjet e Pukjanëve.


Shan Sokoli

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*