Stop gjuetisë ilegale me prozhektor

Nga: Armir Mehaj

PUKË-Kryesia e Shoqatës së Gjuetarëve të Pukës ka lëshuar alarmin për rrezikun që po i kanoset gjallesave të egra në masivet pyjore të këtij rrethi. Kryetari i shoqatës, Riza Hoxha e ka cilësuar si mjaft shqetësuese ushtrimin e gjuetisë edhe në këtë periudhë, kur sezoni ka përfunduar që më 28 shkurt.

Ai ka deklaruar se gjuetarë të ardhur nga rrethe të tjera po ushtrojnë gjueti të paligjshme gjatë natës me prozhektorë, çka përbën kundërvajtje penale. Hoxha ka ngritur shqetësimin edhe për ngritjen e kurtheve dhe leçeve, të cilat kanë sakrifikuar jo vetëm bagëti të imta, por edhe gjedhë në zonat e Karmës dhe Ukthit. Ndërsa, rreziku në këto zona është mjaft evident edhe për barinjtë. Kreu i Shoqatës së Gjuetarëve ka shigjetuar me akuza Drejtorinë e Shërbimit Pyjor të rrethit të Pukës, e cila sipas tij nuk ka marrë asnjë masë që prej një viti për ushtrimin e gjuetisë së paligjshme. \”E vetmja strukturë shtetërore që na përgjigjet kur kërkojmë ndihmë, është Komisariati i Policisë së Pukës.

Gjithsesi, ne kërkojmë që efektivat blu të vënë në pranga të gjithë personat e papërgjegjshëm, që jo vetëm dëmtojnë faunën me anë të gjuetisë së paligjshme, por rrezikojnë të shkaktojnë dhe viktima në njerëz\”, – është shprehur Riza Hoxha. Edhe përfaqësues të tjerë të shoqatës në fjalë pohojnë se zhvillimi i gjuetisë në këtë periudhë decizive të vitit, rrezikon seriozisht faunën në rrethin e Pukës. Sipas tyre, shumë prej kafshëve të egra si: kaprolli, dhia e egër dhe derri i egër po shkojnë drejt shfarosjes totale. Shoqata e Gjuetarëve dhe Peshkatarëve paralajmëron edhe rrezikun e madh që u kanoset banorëve të disa fshatrave si dhe gjuetarëve amatorë të këtij rrethi, të cilët ushtrojnë gjuetinë e peshkut me eksploziv, klor dhe korrent.

Riza Hoxha deklaroi për \”Gazeta Shqiptare\” se, u bën apel strukturave shtetërore që të ndërhyjnë për frenimin e këtij fenomeni, pasi po rrezikohet një pasuri kombëtare dhe shtetërore. Kjo, dhe për faktin se rrethi i Pukës ka masivin më të madh pyjor në Shqipëri dhe vetëm përmes kësaj pasurie synon zhvillimin e turizmit malor, i cili nuk mund të zhvillohet pa kafshët e egra që po shfarosen dita-ditës nga dora e njeriut.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*