Veprimtari me të talentuarit

Në mjediset e bibliotekës së qytetit të Pukës, në një hapësirë të zbukuruar me kujdes, zhvillohen vazhdimisht veprimtari të larmishme. Midis të tjerash, edhe një veprimtari e veçantë, e cila mblodhi në një sofër së bashku përfaqësues të talenteve të reja të shkollës 9 – vjeçare "Migjeni", prindër e drejtues të rretheve jashtëshkollore, personalitete krijuesish pukjanë, drejtues të ZA , të pushtetit lokal etj.

 Kjo veprimtari tematike artistike, e para e këtij lloji në Prefekturën e Shkodrës, nga ana e Qendrës Kulturore të fëmijëve Pukë, ishte një buqetë urimi e falënderimi për talentet e fëmijëve pukjanë, që ndër vite kanë shpalosur aftësitë e tyre interpretative e ekzekutuese në takime lokale e ndërkombëtare. Këto talente në fushën e këngës, valles, pikturës, sportit, shkencës etj u vlerësuan nga pjesëmarrësit në veprimtari si një risi e punës mësimore – edukative – arsimore në rrethin e Pukës dhe më gjerë. Artistët e vegjël të QKF Pukë, kanë shpalosur vlera krijuese, interpretuese dhe ekzekutuese kudo që është kërkuar kontributi i tyre, janë mburrje fëmijët e talentuar pukjanë si Ensuida Gjergji, pjesëmarrëse në spektaklin kombëtar "Gjeniu i Vogël", me çiftin fantastik të valltarëve Eva Shkreli e Emirion Lluka, cilësuar nga Juria e FFK të Gjirokastrës "Freskia e Festivalit".

 U nderua dhe u duartrokit Saudita Laçi, fituese e Kampionatit Kombëtar të skive në Velipojë. Meritojnë duartrokitje motrat e mrekullueshme dhe plot talent Drilona Preka dhe Eriola Preka, sikurse të mirëpritura dhe me shumë perspektivë këngëtarët e rinj: Sodorela Gjergji, Arben Hadroi, Lindita Glloga, Gëzim Arifaj e shumë e shumë të tjerë. Kënga, vallja, poezia, intervista, përshëndetjet të gërshetuara bukur me strukturën artistike të spektaklit e bënë mbresëlënëse këtë veprimtari. I pranishëm në veprimtari, drejtori i ZA Pukë Hilë Boci, me emocion tha: "Ne u jemi borxhli këtyre talenteve.

Mbështetja jonë nuk do të mungojë, ajo do të jetë nga përparësitë e punës sonë me të njëjtat konsiderata u shpreh dhe Fran Mulaj, drejtor i QKF Fushë – Ares, Azbi Terbuni, inspektor i arsimit e kulturës pranë Bashkisë Pukë, këshilltari Astrit Kuci, studiuesi e gjeografi i njohur Gjovalin Alija si dhe kuadro të tjerë si Pjetër Gjoni, drejtor i konviktit të Pukës, Flora Gjoni, zëvendësdrejtore e shkollës 9 – vjeçare "Migjeni", e cila mbështeti këtë veprimtari. Urimet kalonin edhe tek metodistët e QKF Pukë Armir Cenaj, Fahrije Mehaj, Zepe Islami, Marjana Uka etj. QKF Pukë vijon suksesshëm veprimtaritë e saj, sidomos tani që fëmijët dhe të rinjtë janë duke kaluar pushimet e verës.

FRAN VUKAJ

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*