VËSHTRIM NË TË DREJTËN DOKESORE TË MIRDITËS

Prej shumë vitesh Mirdita më ka tërhequr me të veçantat e saj, për historinë dhe etnokulturën e saj. 48 vjet më parë, 1953, u emrova mësues në Kaftallë të Kërthpulës, në ish- bajrakun e Dibrrit. Për tre muaj bujta në një familje të madhe pesëkunorshe, në familjen e Pal Sutës, ku pata rastin të njihesha me organizimin e kësaj familjeje të madhe, me ndarjen e kryerjen e detyrave prej secilit; me pritjen e përcjelljen e miqve, që në atë shtëpi gati ishin për natë.

Më pas, vit mbas viti kam bërë përpjekje për t’u njohur në mënyrë të programuar me historinë dhe etnokulturën e Mirditës, krahas asaj të Pukës, aq sa interesi shkencor për të panjohurat e Mirditës më ka udhëhequr të përshkoj gjithë luginat e Fandëve që nga veriu në jug deri në Shkallë – Fand, Malshejti, Guri i Gëziqit, Guri i Kuq, Mërkurth me Zajsë, Kthellë e Epër, Kaçinar me Bukmirë, Kolori, Vig, Rrajë e Velës e mjaft katunde të tjera.

Këto ekspedita më kanë afruar më shumë me Mirditën, ku kam gjetur mikpritje e bujari, ku jam njohur me të veçantat e të përbashkët e saj etnologjike. Nga të gjitha këto kam vënë re se një nga pasuritë më të mëdha të Mirditës është edhe E Drejta Dokesore e saj. Por, nga kjo pasuri e madhe, ndofta, sot do të ishte më me interes të hidhnim një vështrim në institutin e Pajtimit të Dhèut, të shprehur në popull në trajtën Paqtimi i Dheut, kurse në Fand në trajtën Pajtozi i Gjomarkut.

Në K L D, botim i vitit 1933, mbledhur e kodifikuar prej Shtjefën Gjeçov Kryeziut, Pajtimi i Dhèut del vetëm një herë në ? 1142, ku radhiten tagret e krenëve dhe të derës së Gjonmarkut; "Kur del për pajtim të dhèut ka tager më razogj (dy hae bukë). Këtë ? e plotësojnë disi ? 969 e 970, ku shkruhet: "Pajtimi i gjakut bahet dy mëndyrësh: – Me të himë të dashamirëve të shpisë së të vramit e të famullitarit (mënyra e parë); – Me të dalun të krenëve, të derës së Gjonmarkut e të djelmve të flamurit (mënyra e dytë).

Siç shihet këtu është ajo që në të dy mënyrat ka vend për plotësim e saktësim, por kryesorja, ballafaqohemi me lëndë aq të pakët për këtë institut me kaq rëndësi.

Hulumtimet e bëra në terren dhe në botime tregtojnë se "Krye shtatë vjetësh Gjomarku, Kapidani i Mirditës, me krenë e bajraktarë, ka tagër e detyrë me thirrë Kuvendin e Shpalit për Paqtim të Dhèut. Kuvendi i Shpalit me Gjomark, krenë e bajraktarë, pleq e strapleq, lajmëtarë e gjobëtarë, cakton ditën kur me fillue Paqtimi i Dhèut." Njëkohësisht, ky Kuvend kërkon që të "Lypet me marrë masa me sigurue mashkujt në gjak, për mos me lejue zbatimin e matejshëm të gjakmarrjes."

Ditën e caktueme Kapidani me krenët e mëdhaja të Mirditës fillon paqtimin katund për katund ene shpi për shpi në çdo dhè të Mirditës. Në çdo katund thirren krenët e bajraktari me pleq e strapleq për me gjykue e pleqnue, me falë e paqtue çdo varrë e vrasë." Por në vazhdim të këtyre normave theksohet mendimi për raportet krenë e Gjomark me dhè e katund duke u dhënë pa ekuivok : "Pa dhè e katund nuk bahet kamë para". Këtu del qart tagri i krenëve të dhèut me bajraktar, pleqt e strapleqt e katundeve brenda kufijve të tyre, ku nuk kanë të drejtë të hyjnë, të pleqnojnë e të vendosin Gjomark e krenët e mëdhaja pa bashkëpunuar me këta të dhèut e të katundit.

Por njëkohësisht edhe dhèu me katundet e veta ka detyrë që brenda kufijve të vet t’u prijë krenëve të Mirditës me Gjomark dhe t’u binden shtëpi për katund për çdo vendim të dalur nga Kuvendi i Shpalit.

Pajtimi i Dhèut kërkon pajtimin e gjaqeve mbarëkrahinor pa përjashtim. (Dihet se gjaku i mikut nuk hynë në pajtim me Kanu).

Për ta lehtësuar dhe shpejtuar pajtimin e gjaqeve krenë me Gjomark marrin me vete edhe famullitarin, i cili prin me kryq në dorë; kurse krenët e dheut me bajraktarin, pleq e strapleq katundesh e fisesh përgatitën për çdo gjak që duhet të pajtohet. Zakonisht pajtimi shtëpi për shtëpi e katund për katund zgjat, simbas gjaqeve që duhet të pajtohen, por jo më shumë se dy ditë.

Pajtimi i gjakut gjatë veprimit të Paqtimit të Dhèut bëhet simbas ritit tradicional, pavarësisht se këtu pajtimi organizohet dhe udhëhiqet "nga lart", në se mund të shprehemi kështu.

Sa i lashtë është ky institut kanunor është vështirë të gjendet në terren, po aq në arkiva e biblioteka.

Dr. Pal Doçi te "Mirdita vatër e qëndresës antiosmane", na njeh me një dekret të Portës së Lartë me të cilin Bibë Doda më 1837 caktohet Kapidan i Malit të Mirditës, ku duhet të kryejë edhe pajtimin e gjaqeve në Mirditë.

Në një relacion të zv/konsullit të Austrohungarisë në Shkodër,dërguar më 1857 Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, shkruhet: "Në Mirditë qëndron ende zakoni i lashtë gjerman i udhëtimeve gjyqësore të kryetarit (Kapidanit) nëpër mbarë vendin, i quahtur këtu vojvodin, të cilin Bibë Doda do ta nis nësër."

Në vazhdim, në një relacion tjetër të vitit 1879 theksohet se Kapidani i Mirditës "lajmroi se ai tani do të fillonte vojvodin, dmth me gjithë suitën e tij të shkonte shpi më shpi për pajtim të gjaqeve."

Këto materiale arkivore, nga njëra anë, dëshmojnë se vojvodin, kupto këtu krenët, vojvodët, siç quheshin me termin sllav, të cilët bashkë me Kapidanin e Mirditës, dilnin për Pajtimin e Dhèut, me sa duket, ishte një term zyrtar në administratën e asaj kohe. Por edhe në popull, sidomos në zonat kufi me Pukë, është ruajtur termi vojvodë për kreun, prijsin, plak dhèu siç e quante Mirdita në përgjithësi. Kështu, në Bajrakun e Dibrrit, është njohur vojvoda i Kashnjetit, Paluca, kreu i Bajrakut të Dibrit dhe një prej krenëve të mëdhaja të Mirditës. Gjithashtu vojvoda i Gojanit të Madh e Gojanit të Vogël, të Gojanit të Poshtëm apo Gomsiqes së Poshtme, të quajtun ndryshe : vojvoda i Spaçit të Vogël.

Nga ana tjetër, vojvodin/vojvodini qenka një e drejtë e lashtë dokesore, që ngjasoka me një doke të tillë të lashtë gjermane, ngjasime këto që vinë nga ngjasimet e formacioneve ekonomike-shoqërore në stade të ngjashme zhvillimi historikoshoqëror.

Në disa dokumenta, si edhe botime, vërehet tendenca për ta lidhur pajtimin tradicional mbarëkrahinor të Mirditës me një zabitname, me një proces të mbajtur gjatë pajtimit të gjaqeve prej një përfaqësuesi të administratës osmane dhe se kjo veprimtari gjoja u bëka me kërkesën, shtyrjen dhe praninë e autoriteteve osmane.

Në këtë çështje është marrë veçanërisht Pal Doçi, i cili ka arritur në përfundimin se Pajtimi i Dhèut nuk është vepër as e ndërhyrjeve osmane, as vetëm e Gjonmarkut me krenët e mëdha të Mirditës, por vepër e përbashkët e të gjithë krenëve me bajraktarë, pleq e strapleq të katundeve e dhenave të mbarë Mirditës, ku sigurisht, krenë me Gjomark kishin rolin e vet.

Sigurisht, s’ka se si të ishte ndryshe, për derisa Mirdita ishte një krahinë autonome që shquhej mes krahinave autonome të veriut për rolin e të veçantat e saj, që zbatonte plotësisht të Drejtën e saj Dokesore. Prandaj, s’ka se si t’u bindej dhe t’u nënshtrohej dekreteve sulltanore për zabitname, për një çështje kaq delikate dhe kaq të rëndësishme, siç ishte pajtimi i gjakut mbarëkrahinor në afate të caktuara. Por, kuptohet se autoritetet osmane përpiqeshin të shfrytëzonin këtë institut tradicional dokesor mirditas e të mbarë maleve shqiptare, për t’u paraqitur në opinionin e konsullatave të huaja në Shkodër e më tej, sikur kishin fituar kaq autoritet në male sa të dekretonin e të zbatonin vepra kaq humane me dimensione krahinore dhe mbarëkombëtare. Pra, këtu kemi të bëjmë më shumë me një dinakri në kuadrin e përpjekjeve të Portës së Lartë se gjoja edhe malet, siç ishte Mirdita e panënshtruar, po i bindej autoritetit sulltanor.

Lashtësia dhe zbatimi tradicional i këtij instituti për pajtim gjaqesh në mbarë Mirditën, duket edhe në përdorimin e termit dhèu, një term paraosman të cilin e ka shpjeguar mjaft mirë Mark Tirta. Emërtimi dhèu në Mirditë, si edhe në Pukë, përgjithësisht ishte një njësi tokësore me përmasat dhe atributet e bajrakut. Prandaj, jo rastësisht Mark Tirta thekson faktin se Mirdita përbëhet prel 12 dhènash, duke njanuar kështu termin osman bajrak.

Tani besoj se nuk do të ishte pa vend të shtrohej pyetja në se mund t’i shërbejë gjendjes aktuale ky institut i rëndësishëm tradicional. Përgjigja mendoj të ishte : mjafton vullneti i mirë mbarë shoqëror me intelektualë, shoqata e organizata shoqërore në bashkëpunim me pushtetin vendor, si edhe klerin për të arritur në ripërtritjen e këtij instituti tradicional të pajtimit mbarëkrahinor dhe ndërkombëtar. Sigurisht, në përshtatje me kushtet e sotme.

Shembull tipik ka qenë viti 1945,fill mbas Luftës, pas 26 vjetësh kur u arrit Pajtimi i Dheut, mbarëkrahinor për N/prefekturën e Mirditës, si edhe në Pukë e më gjërë.

____________________________

B u r i m e t

1. Shtjefën Gj. Kryeziu, Kanumi i Lekë Dukagjinit, Shkodër, 1933, ? 969. ?
970. ? 1142;
2. E drejta zakonore shqiptare, ASHRPSSH, IKP, Tiranë, 1989,
f. 193.
3. Dr. Pal Doçi, Mirdita vatër e qendrës antiosmane, Tiranë, 1999, f. 152 –
157.
4. Prof. As. Dr. Kahreman Ulqini, Bajraku …… Tiranë, 1991, f. 75 – 80.
5. Prof. Dr. Mark Tirta, Rreth njësive etnografike…. Kultura Popullore 2/1982
f.71.
6. Burime në terren, Mirditë dorëshkrime të autorit;
7. Sinan Prendi, Histori : Mesjeta Koha e re dhe e sotme, "Mirdita", Rrëshen,
1999, f. 107;
8. Xh. Meçi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Varianti i Pukës, Tiranë, 1997.
   

Ad Pikaria qytet apo stacion rrugor
Nga Xhemal Meçi

Ka më shumë se një shekull që është pranuar mendimi se Puka antike dhe Ad Pikaria janë i njejti stacion rrugor në udhën verilindore të Ilirisë Qëndrore, që fillonte në brigjet e Adriatikut me qytetet Lissus (Lezhë) e Skodra, drejt Lindjes, për Dardani, Danub, Maqedoni Veriore e më tej, dhe anasjelltas. Kështu, Hani (konsull austriak, albanolog i shquar i mesit të shekullit XIX), mendon se Puka dhe Ad Pikaria, gjatë sundimit romak, janë i njejti stacion rrugor në këtë udhë me rëndësi ballkanike. Në mbështetje të këtij mendimi qëndron pak a shumë edhe Nopça (gjeolog e palentoolog hungarez, albanolog i njohur i fillimit të shekullit XX).

Më vonë, edhe autorë vendas, duke i mbetur besnikë këtij mendimi fillestar, u mjaftuan me të dhënat e Hanit dhe Nopçës.
Mirëpo duke u mbështetur në burime më të gjera, del se, në këto studime, dy çeshtje nuk janë shpjeguar dhe argumentuar plotësisht:

E para, Ad Pikaria dhe Puka, vërtet janë e njejta qendër, duke u përputhur gjeografikisht dhe gjuhësisht?
E dyta, Ad Pikaria apo Puka antike, dëshmohet si qytet?

Le t\’i drejtohemi çeshtjes së dytë. Për të parë nëse Ad Pikaria ka qenë qytet, duhet të mbështetemi në të dhënat e autorëve antikë. Kështu, në shek. II, gjeografi dhe astronomi i Aleksandrisë së Egjiptit, Klaud Ptolemeu, në Gjeografia, Libri II, shënon qytetin Ad Pikaria (Ad Picaria), Apicaria (apo Epicaria), sëbashku me qytetin Skodra (Shkodra), në vargun e 16 qyteteve të brendshme të Dalmatisë (Dalmatia, ndarje administrative romake). Sigurisht, Ptolemeu nuk e shënon rastësisht qytetin Ad Picaria, ashtu siç nuk mund të shënonte rastësisht qytetet e njohura para tij, si Lissus dhe Skodra. Prandaj, Ad Picaria në shek. II, afro 1800 vjet më parë bëhet i njohur si qytet në brendësi të vendit. Në vazhdim, në shek III-IV, në Tabulla Peutingeriana, në Itinerarët (harta të rrugëve antike), Ad Picaria shënohet fill pas qyteteve Skodre dhe Lissum, XXX milje në verilindje të Lezhës.

Drejt Lindjes shënohen stacione të tjera rrugore, si Creueni (Kreveni, që mendohet të jetë Vaspasi), Gabues etj.. Me këtë fakt nuk mund të dilet në përfundimin se Ad Picaria në shek. II-IV ishte thjesht një stacion rrugor, sepse qëllimi i Itinerarëve ishte dhënia e rrugëve me qendrat stacionare nga kalonin, qofshin qytete apo qyteza kështjellë.
Mbas shek. VI, Ad Picaria nuk gjendet e dokumentuar. Ç\’ndodhi me të? Shuflai (historian kroat, studiues i historisë mesjetare shqiptare), thotë se shumë qytete të Ilirisë u dogjën dhe u shkatërruan gjatë pushtimeve të fiseve barbare. Këtë fat pati, pra, edhe Ad Pikaria. Ndërsa Puka del e dokumentuar vetëm në veprat e Prokopit të Çezaresë (historian i madh bizantin i kohës së Perandorit Justinian).

Puka, (Pakue, Pukae), cilësohet si një prej ndërtesave të rindërtuara në shek. VI. Pra, Puka del si fortesë e rëndësishme, e rindërtuar. Si e rindërtuar, del se ka qenë e ndërtuar para shek. VI, kur ishte edhe Ad Pikaria. Që Puka ishte një qendër e banuar në shek. II-IV, e dëshmojnë edhe gjetjet arkeologjike të vitit 1985.

Po atëherë, pse nuk përmendet Puka në shek. II-IV si Ad Pkaria?. Sepse s\’duhet të ketë qenë një qytet i njohur, por një qytezë-kështellë diku në afërsi të Ad Pikarias, si Shqeli i Këçirës etj., në funksion të këtij qyteti.

Si përfundim, Ad Pikaria ka qenë një qytet antik, që e ka filluar jetën rreth 1800 vjet më parë, duke mbijetuar afro tre shekuj. Kurse Puka qe një qytezë-kështjellë, e cila u shkatërrua në një kohë me Ad Pikarian nga fiset barbare, por që u rindërtua përsëri në shek. VI në këtë brendësi vendi.

Në mungesë të Ad Pikarias, Puka mori një rëndësi të veçantë.

Ku duhet kërkuar Ad Pikaria antike? Ad Pikaria antike duhet kërkuar ngjitur me Pezhvën.Hulumtimet e bëra në këto vite na çojnë në përfundimin se duhet kundërshtuar idea se Ad Pikaria dhe Puka përputhen gjeografikisht dhe gjërësisht, siç janë shprehur kohë më parë disa albanologë të huaj.

Duke analizuar të dhënat e mundshme, do të bëhet më i sigurtë argumentimi i parashtruar.

Në shekujt II-IV, Ad Pikaria dhe Puka janë dy qendra banimi, që kanë mbijetuar njëkohësisht. Prandaj s\’ka sesi i njejti vendbanim të ketë njëkohësisht dy emra të ndryshëm. Edhe krahasimet gjuhësore na çojnë në të njejtin përfundim. Le t\’i shohim më konkretisht \”faktet\” se nga nisen Skoku e Majeri (albanologë të njohur), që mendojnë se e miri i Pukës është vazhdim i emrit Epikaria (Ad Picaria).

Skoku, fillin ndërlidhës midis Epikaria-s dhe Pukës e gjen te emri Epikadus (emër burrash ilirë). Ndërsa Mejeri këtë fill e lidh me një burim tjetër: me kalimin e \”i\”-së te \”Epicaria\” në \”u\” tek \”Pukë\”, me arsyetimin se ky kalim bëhet në përshtatje me natyrën buzore të bashtingëllores \”p\”.

Por Çabej, për burimin e emrit të Pukës sjell shpjegim tjetër, i cili i kundërvihet Hanit, Skokut e Mejerit. Ai bazohet tek Frang Bardhi që, tre shekuj më parë e ka barazuar me burimin latin \”Publicia Via\” (Udhë Pukë) Pukë.

Duke marrë shkas nga faktet se Ad Pikaria dhe Puka nuk janë i njejti vendbanim, as gjeografikisht, as gjuhësisht, është hedhur idea e gabuar se Ad Pikaria duhet të ketë qenë Vigu i Kashnjetit Lezhë. Mirëpo emri \”Vig\” lidhet me burimin latin \”Vicus\” (që ka dhënë në shqipe \”Vig\”). Gjithashtu, Vigut nuk i përgjigjet largësia nga Lezha, prej nga ku rruga është shumë më e shkurtër se XXX milje. Po atëherë cili është burimi i vërtetë i emrit të qytetit Ad Pikaria dhe ku është vendndodhja e tij?
Në fjalorin latin-shqip (Tiranë, 1966, faqe 382), fjala Pikaria shpjegohet në shqip si vend ku shkrihet \”Pisa\” (pezhvja). \”Pra Ad Pikaria, apo Epikaria\”, – shpjegon historiani Injac Zamputi, – ka kuptimin \”Te Pezhja\”, apo \”Prej Pezhve\”. Kështu, Ad Pikaria (Te Pezhvja), duhet të jetë përkthim në latinisht i një vendbanimi ilir, ku popullsia e tij merret kryesisht me zejtarinë e \”pezhves\”. (Pezhvja: lëndë rrëshinore prej pyjesh halorë, që, në periudhën antike e mesjetare kishte një përdorim të gjerë për nevoja lufte dhe mjete udhëtimi tokësor e detar).

Nevojat në rritje për pezhve gjatë periudhës romake, duhet të kenë bërë të mundur rritjen e Ad Pikaria-s nga një vendbanim i vogël zejtar në një qytet të kohës me punishte të shumta pezhveje. Shkatërrimi i këtij qyteti prej fisesh barbare në fillim të shek V, nuk do të thotë se u zhduk edhe si vendbanim i së njejtës zeje. Kjo dëshmohet me vetë vazhdimësinë e lagjes \”Peshve\” (Peshkve) në Pukë – Katund. Edhe në hapësirën gjeografike, Ad Pikaria në përgjithësi ka përputhje me lagjen e sotme të \”Pezhves\”, sepse Itinerarët shënojnë XXX milje në lindje të Lezhës. (XXX milje janë baraz me 40 kilometër rrugë). Gjithashtu, gjurmët e traseve të rrugëve përfund Tërbunit dhe për breg të Gomsiqes, në Lindje të Këçirës, janë të lidhura me drejtimin e tyre Ad Pikaria (Pezhvë)-Lissus (Lezhë) dhe anasjelltas.

Pezhvja është vendi më i përshtatshëm se ka përreth për burim halor, një nga pyjet e pafund halorë, që fillojnë në dyert e saj.

Si përfundim, mund të pohojmë se rrënjët e qytetit antik Ad Pikaria (Pezhvë), duhen kërkuar afro 5 kilometër në jug të qytetit të Pukës, diku në lagjen e Pezhvës së Poshtme. Megjithatë, fjala e fundit t\’i mbetet arkeologjisë. Kërkimet e ardhshme arkeologjike do të jenë ato që do të hedhin më shumë dritë për zbulimin e të vërtetës rreth këtij qyteti të zhdukur antik.

Marrë nga gazeta "Atdheu".

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*