I PUKËS
Lindi në Dedaj të Pukës, ku skamja qëndronte këmbëkryq, megjithatë ishte i etur për dije. Ndoqi shkollën verore të Pukës duke ecur mbi dy orë rrugë në të tatëpjeta e rrëpira. Si rrall kush, në fëmijëri, pati fatin të ishte personazh i vërtetë i veprës të Migjenit të madh. Natyra u tregua bujare me të, i fali zgjuarsinë, pamje gazmore e të qetë dhe dëshirën për dije. Ishte vetëm 12 vjeç, në vitin 1937, kur mësues Milloshi, me dëshirën që të ndihmonte atë dhe familjen e tij, e mori si shërbëtor në shkollë. Filloi punën e parë te mësuesi dhe autori i novelëzës Zeneli. Kishte dëshirë të ndiqte studimet për mësues në Shkodër, por ajo mbeti thjesht ëndërr. Po këtë vit pësoi dy humbje të mëdha: vdekjen e të atit dhe ndarjen me mësuesin dhe punëdhënësin e dashur, e tanimë, të sëmurë që mori rrugët jashtë vendit për kurim dhe vdiq.
I motivuar me idealet njerëzore rradhitet me forcat e përparuara të kohës dhe merr pjesë në luftën për çlirimin e vendit. Në mars të vitit 1944 bëhet anëtar i Partisë Komuniste. Besoi te komunizmi, në fillimet e rinisë, per jetë më të mirë, të qetë, të sigurt, si në vendet e zhvilluara të Europës dhe për këtë u shpreh se do të jepte gjithçka nga vetja. Qarku i Shkodrës, ku varej Puka, shihte te Zeneli vlera të idealizmit duke besuar në gadishmërinë dhe sakrificën e tij. E provuan, si fillim, me drejtimin e rinisë dhe shumë shpejt, pasi vunë re mençurinë, energjinë dhe forcën si drejtues e kaluan në pozicione më të larta në aparatin e Shkodrës. Për cilësi të spikatura, në moshën 21-vjeçare, në nëntor të vitit 1946, komiteti qëndror e vendosi në krye të drejtimit të partisë për rrethin. Ishte ky rasti më i rradhë, kur një djalë 21 vjeçar do të drejtonte një rreth të tërë. Me dinamizëm të pashoq e mobilizim shembullor, i vihet punës organizuese e drejtuese, thuajse nga e para e hiçi. Rrjeti shkollor, tregtar, shëndetësor, rrugor, nxjerrja e përpunimi i lëndës drusore e mineralet ishin disa nga sektorët më të rëndësishëm. Ai ridimensionoi ndryshimet e shoqërisë nëpërmjet ngritjes së nivelit social – kulturor, material dhe vetëdijes së masave. Binte në sy masivizimi dhe tërheqja e tërë shtresave e moshave e në veçanti përkushtimi i rinisë, nga ku nëpërmjet përvojës së fituar e shkollimit dolën drejtues për sektor të ndryshëm.
Zeneli nuk vinte nga ndonjë shkollë, por çuditërisht, shumë shpejt fitoi përvojën dhe shprehitë e punës. Te sakrificat dhe mençuria e popullit, të cilit nuk iu nda asnjëherë dhe në studimin këmbëngulës individual, gjeti rrugët që të ecte përpara. Pyeste pa ndalur, nuk pëlqente ndikimin: "A jemi mirë. A po e bëjmë mirë." Ndryshe nga punët në komandë përdori dialogun, dëgjonte, madje, me durim dhe deri në fund e pastaj thoshte: "A ta bëjmë kështu, çfarë mund të bëjmë së bashku." Rëmbente mendjet, shpirtin dhe energjitë krijuese e fizike në dobi të punëve e komunitetit, ku vendi ishte mbrapa për shkak të së kaluarës, shfytëzimit barbar të pasurive nga të huajt dhe vështirësive të theksuara të terrenit malor e me klimë të ashpër.
Emri simboli i Zenelit, përkushtimi në punët krijuese e vunë në nivelin e njeriut dhe drejtuesit më të lartë të ditës. Duke jetuar me kërkesat e kohës, pasuronte çdo ditë njohuritë përmes studimit, shkollave pa shkëputje nga puna, ishte metoda e vetmohimit të tij. Karakterin, energjitë dhe besueshmërinë populli ia vlerësoi. " Hallin, nevojën, problemin ma zgjidh Zeneli, kemi besim se e ka marrë në dorë vet biri ynë"- kaq shumë i besoi populli, birit të tij të vuajtur e fukara, por me virtyte të rralla. Emri i Zenelit gjendej gjithmonë e më shumë, më larg e më lart.’ Jo vetëm përballonte punët e shumta, por i përgjigjej ftesave nga rrethet veriore e jugore të vendit. Megjithëse ftohej që të jepte përvojë, me modesti, ulte kokën dhe thoshte: " I mësova të gjitha këto atje ku isha". Në moshën 23-vjeçare, në vitin 1948 i kërkoi dorën dhe krijoi familje me Drita Gjylbegun, vajzë e fisme, nga familja e njohur në Shkodër për patriotizëm, kulturë e mirësi.
Megjithëse punonte me këmbëngulje, përkushtim e aftësi, si rrall kush shqetësohej se te populli vërente shumë halle e mungesa. Varfëria ishte problemi më i madh. Por kishte dhe nga ata që për arsye shumë të ngushta personale i dolën kundër Zenelit. E nga të gjitha këto ai doli më i pastër dhe i suksesshëm. Mençuria dhe e drejta fitoi dhe idhulli i pukjanëve doli më i përgatitur. Kuptoi se ishte faktor e problem e jo thjesht simbol në letërsinë Migjeniane. Nga këto ndeshje iu përforcua bindja dhe ideja se mësimet e popullit, shpirti dhe ndershmëria e tij janë forcat më të fuqishme.
U pikëllua shumë nga vrasjet në krye të detyrës të shokëve më të afërt Lekë Berisha e Zenel Çoba, me të cilët mendonte të ecte gjatë në punën për të mirën e popullit. Në kulmin e punës për vendlindjen e tij, emërohet në të njëjtën detyrë si sekretar i parë (i asaj kohe) i Lezhës. Me mençuri, përkushtim për punën, respekt dhe dashuri për njerëzit punoi disa vite. U shqua për kujdes e maturi me njerëz, me moton e rrall për kohën: "Brinjë me ta dhe asnjëherë mbi ata, apo në kurriz të tyre" Shprehej hapur: " Asnjë njeri, kushdoqoftë, nuk ka të drejtë të qëndrojë në zverkun e të tjerëve, apo të pengojë e të dëmtojë të ardhmen e tyre". Kujtojmë se Lezha trajtohej si rreth me probleme të veçanta, veçanërisht fshati.
Në vitin 1956, kur në Shkodër mbërritën eshtrat e mësuesit, punëdhënësit e tij të parë dhe poetit të mjerimit, që kishte skalitur në novelëzën Zeneli emrin e tij, mbajti një fjalë me plot mallëngjim, dhimbje e respekt. Ish nxënësi përulej para këtij vigani dhe iu zotua për amanetin e botës së re.
Në vitin 1956 deri 1959 kreu studimet universitare për filozofi në Moskë, ku spikati si student i mprehtë dhe me vullnet të fortë, madje dhe vetë Hrushovi, në vizitën që bëri në vendin tonë, u interesua për Zenelin.
Emërohet sekretar i partisë për atë kohë, në Elbasan dhe shpejt kaloi kryetar i komitetit ekzekutiv, në të cilën punoi me përkushtim. Së bashku me shokun e tij Thoma Deljana u bënë shembuj që vlerësohej në atë kohë. Megjithëse me ngjyrime të majta, me ideale nga lindja, ëndërronte lirinë dhe demokracinë. Kjo ishte shprehje e shpirtit të tij demokrat. Vitet dhe puna bënin të sajën. Kurajua dhe guximi të mbështetura në përvojën dhe diturit përbënin mjetet më të parapëlqyera që së bashku me mendimin e specialistëve të fushave të ndryshme, përdoreshin në përcaktimin e detyrave. Përkrahte të renë, emancipimin, zgjidhjen e problemeve të shumta sociale, shoqërore, ekonomike, modernizimin e prodhimit industrial e bujqësor, kulturën, artet, sportin, mendimin tekniko-shkencor, të përparuarën etj. Shkonte në çdo fshat, objekt prodhimi e shërbimi, atje ku jetonin e punonin njerëzit. Gjithmonë ishte realist. I shmangej tejkalimeve që i vinin nga informacione jo reale, zemërvegjlit, intrigantët, karrieristët, të ecurit për ndëshkim qoft edhe si kompesim për të humburit në luftë e më vonë. Këto qëndrime e sjellje e bënin mjaft pozitiv.
Me mundësitë e kohës argëtohej në kinematë publike të kohës, pjesët teatrale, eskursionet në vende klimaterike e historike, shëtitjet e mbrëmjes ishin pjesa më e zakonshme e qetësisë me familjen dhe nxiste qytetarët që kjo të bëhej ritual për fitimin e energjive të reja. Në shoqëri recitonte mjaft mirë si aktor, këndonte, i binte çiftelisë, instrumentit karakteristik të zonës, kërcente dhe vallzonte me finesë. Ngadonjëherë luante letra ose domino kur këmbëngulnin shokët.
Ndërsa Zeneli punonte e drejtonte deri në vetmohim, në hierarki rritej e forcohej xheloxia, duke e parë gjithmonë e më shumë si rival të mundshëm me përgatitje të pakrahasueshme dhe si drejtues të suksesshëm e popullor. Nga natyra ishte shpërthyes, duke dëshmuar guxim e vullnet të zjarrtë për ti vënë punët përpara. Në shpirt dhe në punë ishte më demokrati i kohës, pak liberal. Shprehej lirshëm kur e pyesnin edhe eprorët më të lartë: "Të gjithë po punojnë. Por fshatarsia ka halle e mundim të madh. I duhen më shumë vegla, mjete e makineri pune, vepra ujore, plehra kimike, farëra të zgjedhura e specialista". Ide e mirë ishte përgjigja! Nuk u vlerësuan nevojat urgjente e kushte siç mendonte ai. E përballoi situatën pasi i erdhi në ndihmë prejardhja e varfër, intelegjenca, shkollimi, përvoja e shpirtit njerëzor që kishte. Madje i erdhi në ndihmë edhe shkrimi i Migjenit i cili pati thënë: "… lene Zenelin të rrojë…. Tue pa të vetët të dashtun tepër ultë tue mos mujtë me e ndihmue"- pasojë kjo e bllokatës së vendit tonë në vitet ’60-të.
Vlerësonte të kaluarën dhe historinë. Në përvjetorin e ushtrisë Nacional-Çlirimtare, me shpirtin gazmor të një artisti, pa snjë shenjë vuajtje e dëshpërimi vihet në krye të gëzimit. Thjeshtësia arriti kulmin kur ai i binte çiftelisë e këndoi këngë mbresëlënëse kushtuar dëshmorit Zenel Çoba. Natën, po natën e territ të pabesisë dhe plle siç e thot populli, ndodhi çudi, e papritura, enigma. Në orët e para të datës 9 korrik, kryetari i komitetit ekzekutiv thonë se u vetëvra. Ky mbeti njoftimi dhe qëndrimi zyrtar i kohës. I ftohtë si vet vdekja. Në moshën 36-vjeçare, me 16 vjet punë si funksionar kryesor në katër rrethe të vendit, duke lënë nënën, gruan, tre fëmijë, motrën dhe nipërit, shuhet krejt papritur njeriu më i dashur i familjes, më i përkryeri në trevën e Pukës e drejtuesi shëmbullor në rrethet ku shërbeu.
Vdekja e tij nuk ishte fund, por përjetësi në familje, shoqëri, komunitet e te kushdo që e njihte. Duke ditur thënien e Zenelit se çdo problem ka një zgjidhje, në këtë ngjarje, në gjendje të qetë apo të nxehtë gjenim pak ngushëllim dhe më të besueshmit thoshin: A mund të arrinte deri këtu! Njeriu shembullor me të cilin krenohej Puka u shua. Vdekje e mistershme. Familja, të afërmit, miq e shok dyshojnë. I biri, Bedri Islami, atdhetar me vlera e veprimtari mbarëkombëtare, në një botim libri kushtuar të atit akuzon: Ma vranë babanë!!!. Në këtë humbje të mistershme, pati dhe skeptik që hamendësonin se akti mund të jetë bërë nga etja për ngritjen më lartë në kupolën drejtuese të vendit. Këtë e bazonin në njohjen e karakterit të tij, që përgjithësisht shikonte vetëm përpara, pasi ai e dinte se çfarë duhej bërë dhe jo. Ishte kategorik kundër çdo lavdije e karrige të pamerituar e amorale bazuar në gënjeshtra, servilizëm, shpifje e intriga.
Sido që të jetë e vërteta, me zemër të thyer nga kjo vdekje, viktim e shpirtit të pastër, pas 46 vjetësh-9 korrik 1961-2007 me plot gojën themi një jetë e shuar ndryshe nga të tjerët. Vetëvrasje apo vrasje të pranojmë secili me bindjen e faktet e veta. Ajo që na vret më shumë është se ky personalitet me vlera të spikatura u shua në moshën më të bukur për jetën, familjen e shoqërinë, e cila dëshironte ta kishte sa me gjatë me vete. Ndaj ndëshkimi qoft dhe gjykimi rëndon shumë. Vite kanë kaluar, por emri i tij qëndron në kujtesën e njerëzve. Sjelljet ndaj familjes e në veçanti bashkëshortes ishin mjaft arrogante e ndëshkuese. Por njerzillëku, humanizmi dhe qytetaria nuk u kursyen për të mira. Në Shkodrën e njohur për dashuri e mirënjohje, pati njerëz të mirë si Bilal Parruca, që heshturazi ndihmuan për arsimimin e fëmijëve të cilët ecin në rrugën e të atit.. Regjimi i asaj kohe e mbajti në harresë, por jo populli. Ai e vlerësonte dhe simbol të vetin. U vetëvra apo u vra! Kjo nuk mbetet më enigmë, ashtu siç është e vërteta në errësirën e natës
Në shenjë të këtij kujtimi shumë familje mbajnë si relike kujtimi e mallëngjimi fotografin e tij varur në mur apo album. Thënia se bir më të mirë, më të zgjuar, më të dashur, më të përkushtuar e të gjendshëm se Zenel Islami vështirë se lind kjo anë e vendosin dhe e bëjnë atë si të gjallë në mes të gjallëve, duke mos mbetur pronë e harresës, por shembull virtytesh të një drejtuesi të popullit.
Edhe lideri i kohës kur jetoi Zeneli, pavarësisht konjukturave, e vendosi në vendin e merituar në muzeun e rrethit të Pukës. Ata e dinin mjaft mirë se Puka i dha një drejtues të talentuar e të mprehtë, të cilin ia ktheu të shuar, ndryshe nga të tjerët.
I moshuari Idriz Meti figurë e spikatur, ish-drejtues në regjimin e asaj kohe, kur Zeneli drejtonte më lartë në Pukë, pas gati 50 viteve shkruan: "Është kënaqësi shpirtërore të qenurit pranë një njeriu apo drejtuesi.të aftë e me cilësi të larta njerëzore. Zenel Islami, Luli ynë i vocërr, ishte më i miri mes shokëve që kam patur". Në shenjë dhimbjeje u vetëvra që e vranë, me plotë zemër themi: Qoft i lehtë dheu ku prehen eshtrat e tij, në paqe shpirti. Respekti dhe mirënjohja e Pukës është shprehur me titullin: "Zenel Islami- Qytetar nderi i bashkisë Pukë".
Me shumë respekt përulemi para emrit të tij, personazh real i Migjenit, – simbol i Pukës.
Gazeta: "Koha jonë"
Leave a Reply